Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar ceremoni me rastin e pranimit të serverëve dhe pajisjeve përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, si donacion i Qeverisë së Gjermanisë përmes OSBE-së.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se pasjet do të ndihmojnë në zhvillimin e infrastrukturës dhe digjitalizimit.
“Në verën e vitit të kaluar, ne pranuam nga OSBE softuerin që na ndihmoi të digjitalizojmë shumë nga operacionet zgjedhore, ndërkaq pranimi i këtyre serverëve modern shënon zhvillim të mëtejshëm të infrastrukturës së KQZ-së dhe është vazhdimësi e procesit të digjitalizimit të operacioneve zgjedhore. Kjo mbështetje është e çmuar dhe do të ndikojë në përmirësimin e infrastrukturës tonë dhe avancimin e standardeve zgjedhore në Kosovë.
Gjithashtu, duke pasur parasysh rolin e KQZ-së, ky donacion është një investim i madh edhe në integritetin e procesit zgjedhor dhe në besimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor”, shtoi ai.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovës, Jörn Rohde tha se digjitalizimi do të jetë kyç në zgjedhjet e së dielës.
“Digjitalizimi do të jetë kyç për ketë proces. Ky donacion i më shumë se 140 mijë eurove siguron zgjedhje te sigurta”, shtoi ai.