Të falënderoj ty, gruaja-nënë, që mban në kraharor qenien njerëzore me gëzimin dhe mundimin e një përvoje të pashoqe, e cila të bën udhërrëfyese në hapat e tij të para; mbështetje gjatë rritjes; pikë referimi në ecjen e mëtejshme në jetë. Të falënderoj ty, gruaja-bashkëshorte, që bashkon në mënyrë të pandashme fatin tënd me atë të një burri, në një bashkim dhurimi të anasjelltë, në shërbim të bashkësisë dhe të jetës.
Letra e Papës Gjon Pali II drejtuar grave.
FALEMINDERIT GRUA!
Ju, grave të botës mbarë, ju drejtoj përshëndetjen time më të përzemërt!
1. Secilës prej jush dhe mbarë grave të botës, ju drejtoj këtë Letër, në shenjë mbështetjeje dhe mirënjohjeje, ndërsa afrohet Konferenca IV Botërore për Gruan, e cila do të mbahet në Pekin gjatë shtatorit të ardhshëm.
Dëshiroj, para së gjithash, t’i shpreh vlerësimin tim të thellë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila ka nxitur një nismë me rëndësi kaq të madhe. Edhe Kisha dëshiron të japë kontributin e vet në mbrojtje të dinjitetit, të rolit dhe të drejtave të grave, jo vetëm nëpërmjet ndihmesës konkrete të Delegacionit zyrtar të Selisë së Shenjtë në punimet e Pekinit, por edhe duke i folur drejtpërsëdrejti zemrës dhe mendjes të të gjitha grave. Pak kohë më parë, me rastin e vizitës që më bëri Sekretarja e Përgjithshme e Konferencës, zonja Gertrude Mongela, pikërisht në prag të një takimi të tillë të rëndësishëm, desha t’i dorëzoj një mesazh, në të cilin përmblidhen disa pika kryesore të Doktrinës së Kishës në këtë drejtim. Eshtë mesazh i cili, duke kapërcyer kufijtë e rrethanës që e frymëzoi, hap perspektiva më të përgjithshme mbi realitetin dhe problemet e grave në tërësi, duke u vënë në shërbim të çështjes së tyre në Kishë dhe në botën e ditëve të sotme. Prandaj vendosa që t’u përcillet të gjitha Konferencave Ipeshkvnore, për të siguruar përhapjen e tij sa më të plotë. Duke përsëritur atë që shkruaja në atë dokument, dëshiroj t’i drejtohem tani drejtpërsëdrejti çdo gruaje, për të medituar së bashku me të mbi problemet dhe perspektivat e gjendjes së gruas në kohën tonë, duke u ndalur posaçërisht tek tema kryesore: tema e dinjitetit dhe e të drejtave të grave, të para nën dritën e Fjalës së Zotit.
2. Pikënisja e këtij dialogu nuk mund të jetë tjetër, veç falënderimit. Kisha - shkruaja në Letrën apostolike “Mulieris dignitatem” (“Dinjiteti i gruas”), - dëshiron të falënderojë Trininë Shenjte për “misterin e gruas” e për çdo grua, për gjithçka që përbën vlerën e përjetshme të dinjitetit të saj femëror, për “veprat e mëdha të Hyjit që janë kryer në të dhe nëpërmjet saj në historinë e breznive njerëzore (n. 31).
Të falënderoj ty, gruaja-nënë, që mba në kraharor qenien njerëzore me gëzimin dhe mundimin e një përvoje të pashoqe, e cila të bën udhërrëfyese në hapat e tij të para; mbështetje gjatë rritjes; pikë referimi në ecjen e mëtejshme në jetë.
Të falënderoj ty, gruaja-bashkëshorte, që bashkon në mënyrë të pandarshme fatin tënd me atë të një burri, në një bashkim dhurimi të anasjelltë, në shërbim të bashkësisë dhe të jetës.
Të falënderoj ty, gruaja-bijë dhe ty, gruaja-motër, që sjell në bërthamën familjare e më tej, në tërë jetën shoqërore, pasuritë e ndjeshmërisë tënde, të mendjemprehtësisë tënde, të zemërgjërësisë tënde dhe të qëndrueshmërisë tënde.
Të falënderoj ty, gruaja-punëtore, e impenjuar në të gjithë ambientet e jetës shoqërore, ekonomike, kulturore, artistike, politike, për ndihmesën e domosdoshme që jep në krijimin e një kulture të aftë për të bashkuar arsyen dhe ndjenjën në konceptimin e jetës së hapur përballë “misterit”, në ndërtimin e strukturave ekonomike dhe politike më të pasura me ndjenja njerëzore.
Të falënderoj, o gruaja e kushtuar Zotit, ty, që duke ndjekur shembullin e më të madhes ndër gra, Nënës së Krishtit, Fjalës së Mishëruar, ia çelë zemrën dashurisë së Zotit plot bindje e besnikëri, duke ndihmuar Kishën dhe mbarë njerëzimin t’i japë Hyjit përgjigjen “pohuese”, e cila shpreh mrekullisht lidhjen që ai do të vendosë me krijesën e tij.
Të falënderoj ty, grua, për vetë faktin se je grua! Me perceptimin, karakteristik për femërsinë tënde, ti pasuron kuptimin e botës dhe kontribuon për vërtetësinë e plotë të marrëdhënieve njerëzore.
3. Por falënderimi nuk mjafton, e di. Për fat të keq jemi trashëgimtarë të kufizimeve shumë të mëdha, të cilat në të gjitha kohët dhe në çdo drejtim e kanë bërë të vështirë ecjen e gruas, duke ia mohuar dinjitetin, duke ia shtrembëruar aftësitë, duke e harruar shpesh herë e duke arritur deri atje, sa ta kthejnë në skllave. Kjo e ka penguar atë të jetë deri në fund vetvetja dhe e ka varfëruar njerëzmin nga pasuri të vërteta shpirtërore. Sigurisht nuk do të ishte e lehtë të tregohej me gisht se kush duhet ta mbajë përgjegjësinë, duke pasur parasysh forcën e sedimenteve kulturore, të cilat gjatë shekujve kanë formuar mendësisë dhe institucionet. Por në se në këtë drejtim, posaçërisht në kontekstet historike të caktuara, nuk kanë munguar përgjegjësitë objektive, këto përgjegjësi nuk kanë munguar as ndër shumë bij të Kishës, e për këtë më vjen keq sinqerisht. Një keqardhje e tillë le të kthehet për mbarë Kishën në zotim për t’i qëndruar besnike frymëzimit së Ungjillit, i cili pikërisht mbi temën e çlirimit të grave nga çdo formë padrejtësie e sundimi, përmban një mesazh që nuk e humbet asnjëherë aktualitetin, mesazh që buron fuqimisht nga vetë sjellja e Krishtit. Ai, duke kapërcyer normat që rregullonin kulturën e kohës së tij, mbajti ndaj grave një qëndrim të çiltër, plot respekt, mikpritje, dhemshuri. Nderonte kështu tek gruaja dinjitetin e saj të përhershëm në projektin e në dashurinë e Perëndisë. Duke e shikuar Atë në këtë mbarim të mijëvjeçarit të dytë, të lind vetvetiu pyetja: “Sa është përvetësuar e është vënë në jetë mesazhi i Tij?”
Po, ka ardhur koha për ta shikuar me guximin e kujtesës, duke i pranuar haptazi përgjegjësitë, historinë e gjatë të njerëzimit, në të cilën gratë dhanë një kontribut jo më të paktë se burrat e, në shumicën e rasteve, në kushte fort më të vështira. Mendoj posaçërisht për gratë që e kanë dashur kulturën e artin dhe u janë kushtuar atyre në kushte të pavolitshme, të përjashtuara shpesh nga shkollimi i barabartë, të nënvleftësura, të mohuara, madje edhe të shpronësuara nga kontributi i tyre intelektual. Për fat të keq, nga veprimtaria e shumllojshme e grave, e vënë në dukje me mjetet e historiografisë shkencore, ka mbetur shumë pak.
Fatmirësisht, në se koha ka zhdukur gjurmët e dokumentuara, nuk mund të fshihen rrjedhojat e mira të asaj limfe jetësore, që i jep jetë njeriut nga breznia në brezni, deri në ditët tona.
Njerëzimi ka një borxh të pallogaritshëm ndaj kësaj tradite madhështore të gruas. Sa gra qenë e janë edhe sot e kësaj dite të vlerësuara më shumë për pamjen e tyre fizike, sesa për kompetencën, aftësitë profesionale, veprat e mendjes, pasurinë e ndjenjave të tyre e, së fundi, për vetë dinjitetin e tyre!
4. E ç’të thuash pastaj, për vështirësitë që ende në shumë vende të botës, i pengojnë gratë të përfshihen plotësisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike? Sigurisht mbetet akoma shumë për të bërë që nëna dhe gruaja të mos diskriminohen. Eshtë urgjente të vendoset kudo barazia e vërtetë e të drejtave të njeriut, pra paga e barabartë për punë të barabartë, kujdesi për punëtoren-nënë, ngritja e drejtë në përgjegjësi, të drejta të barabarta të bashkëshortëve në familje, njohje e gjithçkaje që lidhet me të drejtat e detyrat e qytetarit në një sistem demokratik. Eshtë fjala për një akt drejtësie, por edhe për një nevojë. Problemet e vështira që do të shtrohen për diskutim: koha e lirë, cilësia e jetës, emigrimi, shërbimet shoqërore, eutanazia, droga, shëndeti e asistenca, ekologjia etj., do ta shohin gjithnjë më shumë gruan të përfshirë në politikën e së ardhmes. Në të gjitha këto fusha do të vlerësohet e do të çmohet prania më e madhe shoqërore e gruas, sepse ajo do të japë ndihmesën në kapërcimin e kontradiktave të një shoqërie të organizuar mbi kritere të mirëfillta të zotësisë e të prodhimtarisë dhe do të bëjë të reformohen sistemet në dobi të plotë të proçeseve të humanizimit, që shpreh “qytetërimin e dashurisë”.
5. Duke pasur pastaj parasysh një nga aspektet më delikate të gjendjes së gruas në botë, si të mos kujtosh historinë e gjatë e poshtëruese “megjithëse shpesh të nëndheshme” të padrejtësive të kryera ndaj grave në fushën e seksualitetit? Në prag të mijëvjeçarit të tretë, nuk mund të mbyllim veshët dhe të dorëzohemi përballë këtij fenomeni. Ka ardhur koha për të dënuar me forcë format e dhunës seksuale, të cilat jo rrallë kanë për objekt gratë, duke krijuar mjete të përshtashme ligjore. Në emër të respektit për njeriun, nuk mund të mos denoncojmë edhe kulturën e përhapur, që vë mbi gjithçka dëfrimin dhe fitimin, e cila i jep shtysë shfrytëzimit sistematik të seksualitetit, duke shtrënguar dhe vajza të mitura të bien pre e qarqeve të korruptuara dhe t’u shërbejnë për të shitur trupin e tyre. Përballë një zvetënimi të tillë, sa meritojnë të vlerësohen gratë, që me dashuri heroike për krijesën e tyre, çojnë përpara një shtatzani, pasojë e marrëdhënieve seksuale përdhunuese; e kjo jo vetëm në kuadrin e mizorisë, që për fat të keq vërtetohet në situata lufte të cilat vijojnë të tronditin botën, por edhe në situata mirëqenieje dhe paqeje, të përlyera shpesh nga një kulturë që lejon realizimin e çdo lloj kënaqësie, në të cilën lulëzojnë më lehtësisht prirjet agresive mashkullore. Në kushte të tilla, zgjedhja e abortit, edhe pse mbetet gjithnjë mëkat i rëndë, para se të jetë përgjegjësi për t’iu ngarkuar grave, është krim, për të cilin përgjegjësia kryesore i takon burrit dhe ambientit për rreth.
6. Prandaj falenderimi im ndaj grave bëhet thirrje e pikëlluar, që u drejtohet të gjithëve e veçanërisht shteteve dhe institucioneve ndërkombëtare, që të bëjnë ç’është e mundur për t’u kthyer grave respektimin e plotë të dinjitetit të tyre dhe të rolit të tyre. Prandaj nuk mund të mos shpreh admirimin tim për gratë vullnetmira, të cilat i janë përkushtuar mbrojtjes së dinjitetit e krijimit të kushteve të femrës për të fituar të drejtat themelore shoqërore, ekonomike e politike dhe kanë ndërmarrë nisma të guximshme, në një kohë kur angazhimi i tyre konsiderohej akt i paligjshëm dhe shenjë e mungesës së femërsisë, shfaqje e prirjes për t’u dukur e, ndoshta, edhe mëkat. Ashtu siç shkruaja në Mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore të Paqes, duke parë proçesin e madh të çlirimit të gruas, mund të thuhet se “ka qenë një rrugë e vështirë dhe e ndërlikuar e, ndonjë herë jo pa gabime, por në thelb, pozitive, edhe pse ende e paplotësuar për shkak të pengesave të shumta, që në pjesë të ndryshme të botës, e pengojnë gruan të njihet, të respektohet, t’i vlerësohet dinjiteti i saj i veçantë (n. 4). Duhet vijuar ecja në këtë rrugë. Por jam i bindur se sekreti për ta përshkuar me shkathtësi rrugën që çon drejt respektimit të plotë të identitetit të gruas, nuk kalon vetëm nëpërmjet denoncimit, edhe pse i nevojshëm, të diskriminimeve dhe të padrejtësive, por edhe, e sidomos, nëpërmjet një projekti sa veprues, aq edhe largpamës, i cili rishikon të gjitha fushat e jetës femërore, duke nisur nga krijimi i vetëdijes së re universale të dinjitetit të gruas. Në njohjen e kësaj të fundit, megjithë kushtëzimet e shumta historike, na çon vetë arsyeja, që pranon ligjin e Zotit, i cili na lejon të zbulojmë qartë themelin kryesor antropologjik të dinjitetit të gruas, duke na e treguar këtë në projektin e Hyjit për njerëzimin.
7. Pranoni, pra, fort të dashura motra, që bashkë me ju të kujtoj sërisht faqen e mrekullueshme biblike, që paraqet krijimin e njeriut dhe ndërkohë flet për dinjitetin tuaj dhe për misionin tuaj në botë. Libri i Zanafillës flet për krijimin në mënyrë të përmbledhur dhe me një gjuhë poetike e simbolike, por thellësisht të vërtetë: “Zoti e krijoi njeriun sipas shembëlltyrës së vet. Në shembëlltyrë të Hyjit e krijoi. Mashkull e femër i krijoi.
(Zan. 1, 27). Vepra krijuese e Zotit kryhet sipas një projekti të paracaktuar mirë. Mbi të gjitha, thuhet se njeriu u krijua “sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë me Zotin” ( shiko Zan. 1, 26), shprehje që sqaron menjëherë veçantinë e njeriut në tërësinë e veprës së krijimit. Thuhet pastaj se ai, që nga fillimi, është krijuar si “mashkull e femër” (Zan. 2, 20). Zoti ndërhyn për ta shpëtuar nga vetmia: “Nuk është mirë që njeriu të jetë i vetëm: dua t’i jap një ndihmë, që t’i përngjajë”. (Zan. 2, 18). Në krijimin e gruas, është shkruar prandaj që nga zanafilla, parimi i ndihmës: “ndihmë” - “të jetë e qartë” - jo e njëanshme, por e anasjelltë. Gruaja është përplotësimi i burrit, ashtu si burri është përplotësimi i gruas; gruaja dhe burri plotësojnë njera-tjetrin. Femërsia e realizon njeriun, po aq sa mashkullsia, por në mënyra të ndryshme e plotësuese. Kur Libri i Zanafillës flet për “ndihmë”, nuk ka parasysh vetëm veprimin, por edhe vetë “qenien”. Femërsia dhe mashkullsia përplotësojnë njëra-tjetrin, jo vetëm në pikëpamje fizike e psikike, por edhe ontologjike. Vetëm falë dyanshmërisë të “mashkullit” e të “femrës” njeriu realizohet plotësisht.
8. Pasi krijoi njeriun, mashkullin dhe femrën, Zoti u tha të dyve: “Popullojeni tokën dhe sundojeni” (Zan. 1, 28). Pra, nuk u jep atyre vetëm mundësinë për ta shtuar e përjetësuar në kohë gjininë njerëzore, por u beson si detyrë edhe tokën, duke i ngarkuar t’ia mbarështojnë burimet me përgjegjësi. Njeriu, qenie e arsyshme dhe e lirë, është i thirrur t’ia ndryshojë pamjen tokës. Në këtë detyrë, e cila në vetvete është vepër e kulturës, si burri, ashtu edhe gruaja, kanë përgjegjësi të njëjta që nga zanafilla. Në dhurimin e anasjelltë të vetvetes përmes martesës dhe në lindjen e fëmijëve, në detyrën e tyre të përbashkët për ta sunduar e për ta nënshtruar tokën, gruaja e burri nuk pasqyrojnë një barazi të amullt, ata nuk janë kopje e njëri-tjetrit, por as nuk ndryshojnë thellësisht dhe nuk kanë ndërmjet tyre kontradikta të pashmangëshme: marrëdhënia e tyre më e natyrshme, që i përgjigjet projektit të Zotit, është “uniteti i të dyve” apo “shkrirja e të dyve në një qenie të vetme”, që i lejon secilit ta ndjejë marrëdhënien ndërpersonale dhe të anasjelltë si dhuratë që të pasuron e të ngarkon me përgjegjësi. Këtij “bashkimi të të dyve” i besohet nga Zoti jo vetëm lindja e fëmijëve dhe kujdesi i familjes, por edhe ndërtimi i vetë historisë. Në se gjatë Vitit Ndërkombëtar të Familjes, kremtuar më 1994, vëmendja u përqendrua mbi gruan si nënë, rasti i Konferencës së Pekinit krijon mundësinë për një ndërgjegjësim të ri në lidhje me kontributin e shumfishtë që sjell gruaja në jetën e shoqërive e të kombeve. Eshtë kontribut me natyrë para së gjithash shpirtëror e kulturor, por edhe shoqëror, politik, ekonomik. Në të vërtetë, fushat e ndryshme të shoqërisë, shtetet, kulturat kombëtare e, në fund të fundit, progresi i tërë qenies së shoqërisë, i detyrohet shumë kontributit të gruas.
9. Normalisht progresi vlerësohet sipas kategorive shkencore e teknike, e edhe në këtë drejtim nuk mungon kontributi i gruas. Megjithatë, nuk është kjo e vetmja përmasë e progresit, madje nuk është as kryesorja. Na duket më e rëndësishme përmasa shoqëroro- etike, e cila ka të bëjë me marrëdhëniet njerëzore dhe me vlerat shpirtërore: në një përmasë të tillë, e cila shpesh është zhvilluar pa bujë, duke u nisur nga marrëdhëniet e përditshme ndërmjet njerëzve, sidomos brënda familjes, një pjesë e mirë e shoqërisë i ka borxhe të mëdha pikërisht “gjeniut të gruas”. Me këtë rast dëshiroj t’u shpreh mirënjohje të posaçme grave të cilat, përtej kufijve të familjes, impenjohen në fusha të ndryshme të veprimtarive edukative: në kopshte për fëmijë, shkolla, universitete, institute asistence, famulli, shoqata e lëvizje. Kudo që ndjehet nevoja për punë edukative, mund të vërehet gatishmëria e plotë e grave për t’iu kushtuar marrëdhënieve njerëzore, posasçërisht në dobi të atyre që janë të ligësht, që nuk kanë mbrojtje. Në veprimtari të tilla ato realizojnë ndjenjat e ngrohta amtare, kulturore e shpirtërore, me vlerë vërtetë të paçmueshme përsa i përket peshës që kanë në zhvillimin e njeriut dhe të ardhmërisë së shoqërisë. E si të mos kujtosh këtu dëshminë e shumë grave katolike e të shumë kongregatave rregulltare femërore të cilat, në kontinente të ndryshme, e kanë bërë edukimin, sidomos të djemëve e të vajzave të vogla, shërbimin e tyre kryesor? Si të mos i shohësh me frymë mirënjohjeje të gjitha gratë, të cilat kanë punuar e vijojnë të punojnë në frontin e shëndetit, jo vetëm brënda rrethit të institucioneve shëndetësore të mirorganizuara, por shpesh në rrethana tepër të pasigurta, në vendet më të varfra të botës, duke dhënë dëshmi gadishmërie që, jo rrallë, i afrohen martirizimit.
10. Dëshiroj pra, fort të dashura motra, që të meditojmë me kujdes të posaçëm mbi temën e “gjeniut të gruas”, jo vetëm për të njohur natyrën e projektit të saktë të Zotit, që duhet pranuar e nderuar, por edhe për t’i bërë asaj vend përherë e më tepër në jetën shoqërore, sidomos në atë kishtare.
Pikërisht mbi këtë temë, të rrahur tashmë me rastin e Vitit Marian, pata rastin të ndalem gjërësisht në Letrën apostolike të përmendur më lart “Mulieris dignitatem”, botuar më 1988. Këtë vit, me rastin e të Enjtes së Madhe, Letrës së zakonshme që u drejtoj meshtarëve, desha t’i bashkëngjit idealisht pikërisht “Mulieris dignitatem”, duke i ftuar të reflektojnë mbi rolin domethënës që luan gruaja në jetën e tyre, si nënë, si motër dhe si bashkëpunëtore në veprat e apostullimit. Eshtë kjo një tjetër përmasë, e ndryshme nga ajo martesore, por po aq e rëndësishme, është ajo “ndihmë” që gruaja, sipas zanafillës, është e thirrur t’i japë burrit. Tek Maria Kisha sheh shprehjen më të lartë të “gjeniut femëror”, gjen edhe burimin e pashterrshëm të frymëzimit. Maria quhet “shërbëtorja e Zotit” (Lk. 1, 38). Për shkak të bindjes ndaj fjalës së Hyjit, ajo e pranoi misionin e vet të privilegjuar, por aspak të lehtë, të bashkëshortes dhe të nënës të familjes së Nazaretit. Duke u vënë në shërbim të Zotit, Ajo u vu edhe në shërbim të njerëzve: në shërbim dashurie. Pikërisht ky shërbim i dha mundësinë të realizojë në jetën e saj përvojën misterioze, por të njëmendtë, të “mbretërimit”. Jo rastësisht thirret “Mbretëresha e qiellit dhe e tokës”. Kështu e quan bashkësia e besimtarëve; e thërrasin “Mbretëreshë” shumë kombe e popuj. Për të “të mbretërojë” do të thotë të shërbejë! “Të shërbejë”, do të thotë të mbretërojë! Kështu duhet kuptuar autoriteti si në familje, ashtu edhe në shoqëri e në Kishë. . “Mbretërimi” është zbulesa e prirjes themelore të qenies njerëzore, që është krijuar sipas “shembëlltyrës” së Atij që është Perëndi i qiellit e i tokës, dhe është thirrur të jetë në Krishtin, bir i adoptuar i Zotit. Njeriu është e vetmja krijesë mbi tokë “që Hyji ka dashur ta krijojë për vetveten e tij”, siç mëson Konçili II i Vatikanit, i cili në mënyrë domethënëse shton se njeriu “nuk mund të jetë plotësisht vetvetja, përveçse përmes dhurimit të sinqertë të vetvetes” (Gaudium et spes”, n. 24). Në këtë përmbahet “mbretërimi” amtar i Marisë. Duke i pasë dhuruar gjithë vetveten të Birit, ajo bëhet dhuratë edhe për gjithë bijat e bijtë e gjinisë njerëzore dhe ngjall besim të thellë tek çdo njeri, i cili i drejtohet Asaj për t’i prirë përgjatë udhëve të vështira, drejt fatit të vet përfundimtar e të mbinatyrshëm. Në këtë cak përfundimtar, cak që drejton si impenjimin e burrit, ashtu edhe të gruas, secili arrin sipas etapave të thirrjes së vet.
11. Në këtë horizont “shërbimi”, i cili në se kryhet me liri, reciprokësi e dashuri shpreh “pozitën vërtetë mbretërore” të qenies njerëzore, është e mundur të pranohet pa pasoja të dëmshme për gruan, një farë ndryshueshmërie rolesh, në atë masë, në të cilën një ndryshueshmëri e tillë nuk është fryt i kundërvënies arbitrare, por buron fuqimisht nga veçantia e qenies mashkull ose femër. Eshtë një diskutim që gjen zbatim të veçantë edhe në brëndësi të Kishës. Në se Krishti, me zgjedhje të lirë e sovrane, - të dëshmuar më së mirë në Ungjill dhe në traditën e përhershme kishtare, ua besoi vetëm burrave detyrën që të ishin “ikonë” e fytyrës së tij si “bari” e “dhëndërr” i Kishës, nëpërmjet ushtrimit të shërbesës meshtarake, kjo nuk i heq asgjë rolit të grave, as anëtarëve të tjerë të Kishës, që nuk janë të ngarkuar për shërbesa të shenjta, por janë të gjithë njëlloj të veshur me dinjitetin e posaçëm të meshtarisë të përbashkët, rrënjosur në Pagëzim. Këto ndryshime rolesh në të vërtetë, nuk interpretohen nën dritën e normave që rregullojnë shoqërinë njerëzore, por sipas kritereve të posaçme të ekonomisë sakramentore apo të asaj ekonomie “shenjash” që Zoti i ka zgjedhur lirisht, për t’u bërë i pranishëm ndërmjet njerëzve. Veç kësaj, pikërisht në vijën e ekonomisë së këtyre shenjave, edhe pse jashtë ambientit sakramentor, nuk është më pak i rëndësishëm “feminiliteti” i jetuar sipas modelit tepër të lartë të Marisë. Gjendet, në të vërtetë, në “feminilitetin” e gruas besimtare, e në veçanti asaj që “i është kushtuar Zotit”, një lloj profecie imanente (shih Mulieris dignitatem”, n. 29), një simbolizëm fort evokativ, si të thuash, një ikonë amësie, që realizohet plotësisht në Marinë e që shpreh qenien e Kishës në vetvete, si bashkësi e shuguruar me absolutizmin e një zemre “të virgjër”, për të qenë “vashë” e Krishtit dhe “nënë” e besimtarëve. Në këtë perspektivë plotësimi “ikonik” të rolit të mashkullit dhe të femrës, dalin më mirë në pah dy përmasa të pamohueshme të Kishës: parimi “marian” dhe ai i apostullit Pjetër” (shih ibid. n. 27).
Nga ana tjetër, në Letrën e lartpërmendur të së Enjtes së Madhe të këtij viti, u kujtoja meshtarëve se shërbesa meshtarake në projektin e Krishtit, “nuk është shprehje sundimi, por shërbimi” (n. 7). Eshtë detyrë e ngutshme e Kishës, në përtritjen e përditshme nën dritën e Fjalës së Zotit, ta vërë gjithnjë më shumë në dukje (gruan), si në zhvillimin e frymës së bashkimit, në përdorimin e të gjitha mjeteve tipikisht kishtare të pjesëmarrjes, ashtu edhe nëpërmjet respektimit dhe vlerësimit të karizmave të panumërta personale e të bashkësisë, të cilat Shpirti i Zotit i ngjall për ndërtimin e bashkësisë së krishterë dhe në shërbim të njerëzve. Në këtë hapësirë të gjërë shërbimi, historia e Kishës në këto dymijë vjet, megjithë kushtëzimet e shumta, ka njohur vërtetë “gjeniun e gruas”, duke parë të dalin nga gjiri i saj gra madhështore, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre të thella dhe të dobishme në kohë. Mendoj për radhën e gjatë të martireve, shenjtoreve, të grave me dhanti mistike. Mendoj në mënyrë të veçantë për Shën Katerinën e Sienës dhe Shën Terezën e Avilës, të cilave Papa Pali VI u dha titullin “Dijetare të Kishës”. E si të mos kujtosh pastaj, të gjitha gratë që, të shtyra nga feja, vunë në jetë nisma me rëndësi të jashtzakonshme shoqërore, veçanërisht në shërbim të më të varfërve? Ardhmerisë së Kishës në mijëvjeçarin e tretë nuk do t’i mungojnë, sigurisht, manifestime të reja e të mahnitshme të “gjeniut femëror”.
12. Ju e shihi, pra, fort të dashura motra, sesa arsye ka Kisha për të dëshiruar që në Konferencën e ardhme, të thirrur në Pekin nga Kombet e Bashkuara, të nxirret në dritë e vërteta e plotë mbi gruan. Le të vihet me të vërtetë në vend, me rëndësinë e duhur, “gjeniu i gruas”, duke mos pasur parasysh vetëm gratë e mëdha e të famshme, që kanë jetuar në të kaluarën, apo bashkëkohëset tona, por edhe ato të thjeshtat, të cilat e shfaqin talentin e tyre femëror në shërbim të të tjerëve gjatë jetës së përditshme. Në të vërtetë, posaçërisht në flijimin e vetvetes në dobi të të tjerëve në jetën e përditshme, gruaja shpreh thellësisht thirrjen e jetës së vet, ajo që ndoshta më tepër se burri, e njeh burrin, sepse e njeh me zemër. E njeh pavarësisht nga sistemet e ndryshme ideologjike e politike. E njeh në madhështinë e tij e në kufizimet e tij dhe përpiqet t’i dalë përpara në mes të rrugës e t’i jetë ndihmë. Në këtë mënyrë, në historinë e njerëzimit, realizohet projekti kryesor i Krijuesit dhe del në dritë pa rreshtur, me tërë larminë e vet, bukuria jo vetëm fizike, por sidomos shpirtërore, që Zoti i dhuroi, qysh nga zanafilla, krijesës njerëzore e, në mënyrë të veçantë, gruas.
Ndërsa i lutem Zotit për përfundimin me sukses të takimit të rëndësishëm të Pekinit, e ftoj bashkësinë kishtare ta shikojë këtë vit si rast të përshtatshëm për ta falënderuar nga zemra Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, pikërisht për dhuratën e një të mire kaq të madhe, që është feminiliteti, i cili, në shprehjet e veta të larmishme, i përket trashëgimisë së njerëzimit e të vetë Kishës.
Vigjiloftë Maria, Mbretëresha e dashurisë, mbi gratë dhe mbi misionin e tyre në shërbim të njerëzimit, të paqes, të përhapjes së Mbretërisë së Hyjit!
Me bekimin tim.
Nga Vatikani, 29 qershor 1995, Solemniteti i Shenjtërve Pjetër e Pal./Radio Vatikani