Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se dëshiron që SHBA të “marrë nën kontroll” Gazën, të ketë një “pozicion pronësie afatgjatë” mbi të dhe ta shndërrojë në një destinacion turistik të klasit botëror, të cilin ai e quajti “Riviera e Lindjes së Mesme”, raporton BBC.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Trump tha: “SHBA do të marrë nën kontroll Rripin e Gazës dhe do të bëjë një punë të mirë atje. Do ta kemi në pronësi”, tha ai.
Sipas BBC, Trump sugjeroi gjithashtu që popullsia palestineze e Gazës mund të zhvendoset në vende të tjera, edhe nëse liderët e rajonit kundërshtojnë këtë ide.
Plani i Trumpit u prit me refuzim nga Jordania dhe Egjipti, të cilët kundërshtojnë idenë e zhvendosjes së palestinezëve, raporton BBC.
Ndërkohë, ambasadori palestinez në OKB reagoi duke thënë: “Atdheu ynë është atdheu ynë.”
Nga ana tjetër, kryeministri izraelit Netanyahu deklaroi se ideja e Trumpit është “diçka që ia vlen të merret në konsideratë”.
Çfarë tha Trump konkretisht për marrjen e Gazës nga SHBA?
Trump deklaroi se SHBA jo vetëm se do ta marrë nën kontroll Gazën, por do të angazhohet edhe në pastrimin dhe rindërtimin e saj:
“Ne do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të pashpërthyera dhe armëve të rrezikshme në atë zonë. Do ta rrafshojmë terrenin dhe do të heqim ndërtesat e shkatërruara. Do ta bëjmë një qendër të zhvillimit ekonomik që do të krijojë një numër të pakufizuar vendesh pune dhe strehimi për njerëzit e zonës.”
Sipas Trumpit, SHBA nuk mund të lejojë që situata në Gaza të kthehet në gjendjen e mëparshme: “Duhet të bëjmë diçka ndryshe. Nuk mund të kthehemi mbrapa, sepse do të përfundojë njësoj siç ka qenë për 100 vitet e fundit.”
Kur u pyet se çfarë autoriteti kishte për të zhvendosur popullsinë prej 1.8 milionë banorësh nga Gaza, ai u përgjigj: “E shoh këtë si një angazhim afatgjatë, dhe besoj se do të sjellë stabilitet të madh në atë pjesë të Lindjes së Mesme, ndoshta edhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Çdokush me të cilin kam folur e pëlqen këtë ide – që SHBA të marrë në pronësi këtë tokë, ta zhvillojë dhe të krijojë mijëra vende pune në një zonë që do të bëhet e mahnitshme.”
Trump dhe Netanyahu diskutuan përpara gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
Në fund të konferencës për shtyp, Trump e përshkroi në mënyrë entuziaste vizionin e tij për Gazën.
“E imagjinoj atë si një vend për njerëzit e gjithë botës. Mendoj se mund ta shndërrojmë në një qendër të pabesueshme ndërkombëtare. Gaza ka një potencial të jashtëzakonshëm. Përfaqësues nga e gjithë bota do të vijnë atje, palestinezët gjithashtu do të jetojnë atje, shumë njerëz do të jetojnë atje”, tha Trump.