Intervistë me kandidatin për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), z.Fetah Rudi“Normalisht njëra ndër kauzat e mia ka qenë dhe është zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, gjë me të cilën është duke u marrë Gjykata Speciale”.
Veprimtari i LDK-së, Fetah Rudi me propozimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ka vendosur që në zgjedhjet e 9 shkurtit të kandidoj për deputet nga radhët e kësaj partie.
Ai në një intervistë për “Bota sot” shpalsi detajet se si erdhi deri te vendimi për kandidaturë, si dhe planet që ka nëse arrin të zgjidhet deputet.
Ndër të tjera, Rudi foli edhe për çështjen e koalicioneve të mundshme të LDK-së, ku tha se kjo çështje ende nuk është diskutuar brenda partisë.
Një tjetër, çështje e rëndësishme që do fokusohet ai është edhe Gjykata Speciale, ku tha beson në misionin e saj.
“Gjykata Speciale është duke punuar dhe do të zbulojë vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë”, u shpreh ai.
Po ashtu, veprimtari i LDK-së u tregua shumë optimist për rezultatet që pret LDK-ja nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Intervista e plotë
Gazeta “Bota sot”: Z. Rudi, ju së fundi keni zyrtarizuar kandidaturën tuaj për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Si erdhët deri te vendimi për të hyrë sërish në këtë garë zgjedhore?
Fetah Rudi: Po siç dihet unë edhe më parë kam qenë deputet i Kuvendit të Kosovës dhe jam aktiv në jetën politike qe nga viti 1990. Duke parë mundësinë që të jap ende kontributin tim në LDK dhe në koordinim me kryetarin Abdixhiku dhe degën e LDK-së në Malishevë, vendosa që edhe njëherë t'i hyjë garës, pavarësisht kushteve jo të mira që ekzistojnë në Kosovë për personat me aftësi të kufizuara, sidomos mungesa infastrukturës rrugore.
Gazeta “Bota sot”: Cilat kauza do t'i çoni përpara nëse zgjidheni deputet, ku do të jetë fokusi juaj?
Fetah Rudi: Realisht janë disa kauza, por ajo që do të fokusohem është përmirësimi i kushteve të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë, si dhe rregullimi i problemi me ujë të pijes dhe energjisë elektrike për Komunën e Malishevës. Ku përmes votës sime si deputet, do të mundohem që këto projekte t’i qoj përpara.
Gazeta “Bota sot”: Cila do të jetë strategjia e LDK-së për të bindur qytetarët për të marrë besimin e tyre?
Fetah Rudi: Qytetarët e Kosovës tashmë kanë rikthyer besimin në LDK, dhe kjo po shihet pothuajse çdo ditë në çdo takim. Qytetarët e shohin LDK-në si shpresë për ndryshimin e Kosovës.
Gazeta “Bota sot”: Të gjitha partitë po pretendojnë në fitore, si është situata në terren, cilat janë pritshmërinë tuaja për zgjedhjet e 9 shkurtit?
Fetah Rudi: Normalisht që pres një fitore të LDK-së. Kjo gjë po shihet nga të gjitha takimet në terren.
Gazeta “Bota sot”: A ka LDK ‘vija të kuqe’ për ndonjë parti politike, dhe me cilat parti mund të bëni koalicion paszgjedhor?
Fetah Rudi: Kjo nuk ka qenë ende temë që është diskutuar në parti. Për një gjë të tillë, janë organet dhe strukturat e partisë që marrin një vendim të tillë.
Gazeta “Bota sot”: Si e keni parë qeverisjen Kurti në këto katër vite?
Fetah Rudi: Jo të mirë për Kosovën, sidomos përplasjet me aleatët e Kosovës, gjë e cila ka sjellur shtetin tonë në një situatë të palakmueshme, ku tani e një kohë gjendet nën sanksione ndërkombëtare.
Gazeta “Bota sot”: Ditëve të fundit po e shohim një rikthim të theksuar të zërave që kërkojnë zhbërjen e Gjykatës Speciale apo miratimin e një rezolute në Kuvend për këtë arsye, cili do të jetë qëndrimi juaj si deputet sa i përket kësaj çështjeje?
Fetah Rudi: Normalisht njëra ndër kauzat e mia ka qenë dhe është zbardhja e vrasjeve politike në Kosovë, gjë me të cilën është duke u marr Gjykata Speciale. Dhe, në këtë mënyrë, gjithçka duhet t'i lihet në dorë kësaj Gjykate dhe të mos pengohet puna e saj. Nëse vjen diçka e tillë në Kuvend, normalisht që do të jem kundër dhe do ta kundërshtoj me të giitha mënyrat, për aq sa më takon si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Gazeta “Bota sot”: Vazhdoni ta keni besimin e njëjtë tek Gjykata Speciale për zbardhjen e këtyre rasteve?
Fetah Rudi: Absolut që po, besoj që Gjykata Speciale është duke punuar dhe do të zbulojë vrasjet politike që kanë ndodhur në Kosovë. Gjykata Speciale është e Kosovës, dhe si e tillë duhet të respektohet puna dhe vendimet e saj./Bota Sot