Mbrëmjen e sotme kanë arritur votat e para nga diaspora në Kosovë.
Siç raporton RTK, veturat zyrtare që transportojnë pakot e votimeve nga diaspora kanë kaluar pikën kufitare të Vërmicës.
Veturat që po bartin votat po shoqërohen nga Policia e Kosovës në drejtim të Prishtinës, përkatësisht selisë së KQZ-së, dhe do të jenë nën vëzhgim nga kamerat e sigurisë.
Në vend se të barten nga operatorë të profilizuar, fletvotimet e diasporës janë nisur të shtunën nga Cyrihu për Prishtinë, me një minibus me targa diplomatike të Shqipërisë.
KQZ, në një njoftim për media të djeshëm, tha se tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
MPJD, sipas KQZ-së, “ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj”.
Ky vendim për këtë mënyrë transportimi, sipas KQZ-së, është marrë pasi procedura tenderuese për shërbimet postare është në fazën e ankesave, gjë që e ka bërë të pamundur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik fitues.