Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje aleatëve t’i bëjnë trysni Rusisë për ta ndalur luftën kundër Ukrainës, duke nisur me një armëpushim ajror dhe detar, pasi Moska e kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj infrastrukturës së energjisë dhe gazit në shumë rajone ukrainase të premten.
Zelensky tha në rrjetet sociale të premten se Rusia i shkrepi gati 70 raketa lundruese dhe balistike, si dhe i lëshoi rreth 200 dronë kundër objekteve të ndryshme të energjisë në Ukrainë.
Gjatë sulmit u goditën edhe ndërtesat e banimit.
Zelensky nuk tregoi nëse ka të vdekur nga sulmi, i cili ndodhi në një kohë kur janë rritur përpjekjet diplomatike për bisedime për paqe. Një delegacion ukrainas do të udhëtojë në Arabinë Saudite javën e ardhshme, për t’u takuar me zyrtarët amerikanë, me qëllim për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje për paqe.
“Hapat e parë për ta vendosur paqen e mirëfilltë duhet të jenë ta detyrosh burimin e vetëm të kësaj lufte, që është Rusia, për t’i ndalur pikërisht këto sulme kundër jetës”, shkroi Zelensky.
“Kjo mund të kontrollohet në mënyrë reale. Heshtje në qiell – ndalimi i përdorimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë dhe bombave ajrore. Dhe gjithashtu heshtje në det – një garanci e vërtetë për lundrim normal”, shtoi ai.
Sulmi masiv, i 30-ti ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të gjerë nga Rusia në vitin 2022, është pjesë e një strategjie më të gjerë të Rusisë për ta goditur sektorin jetik energjetik të Ukrainës. Në dy javët e fundit, sulmet ruse kanë goditur në mënyrë të përsëritur objektet energjetike në rajonin e Odesës.
Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se sulmi filloi në orën 3:03 të mëngjesit kur Rusia lëshoi raketa lundruese Kalibr nga Deti i Zi. Menjëherë pas kësaj, u dha një paralajmërim për dërgimin e një avion luftarak MiG-31K, i cili bart raketa hipersonike Kinzhal.
Forcat ruse gjithashtu lëshuan një breshëri dronësh në një sulm të koordinuar.
Zelensky tha se avionët F-16 dhe Mirage-2000, të ofruar nga Franca, u përdorën për të ndihmuar në zmbrapsjen e sulmit.
Si rezultat i sulmit të premten, Polonia i aktivizoi sistemet e saj të mbrojtjes ajrore dhe ngriti avionët luftarakë. Forcat e Armatosura të Polonisë thanë se, për shkak të aktiviteteve ajrore me rreze të gjatë të Rusisë, Polonia dhe aleatët e saj kanë nisur një operacion ajror për ta vëzhguar dhe për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi.
Naftohaz, kompania shtetërore e gazit në Ukrainë, konfirmoi se ky ishte sulmi i 17-të i kombinuar ndaj infrastrukturës së saj.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Roman Chumak, tha se objektet e prodhimit, thelbësore për nxjerrjen e gazit, u dëmtuan rëndë, por përpjekjet për rikuperim tashmë kishin filluar.
Pavarësisht mohimeve të përsëritura të Moskës se nuk e sulmon infrastrukturën civile, Ukraina dhe organizatat ndërkombëtare i kanë quajtur këto sulme krime lufte./REL/