Në Qeverinë e Kosovës sot është hapur fushata zyrtare e 16 ditëve të aktivizmit për eliminimin e dhunës ndaj gruas, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast, me shënimin e 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, Agjencia për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadën e Suedisë, përfaqësues të organizatave të grave si dhe deputete të Kuvendit të Kosovës kanë diskutuar për këtë problem social.
Shefja e Agjencisë për Barazi Gjinore nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Edi Gusia, në fjalën e saj tha se si institucione kanë bërë hapa pozitiv në drejtim të plotësimit të kornizës ligjore dhe mekanizmave institucional që ofrojnë mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna në baza gjinore.
Ajo tha se megjithëkëtë, ende ka nevojë të punohet “në drejtim të ofrimit të një reagimi më të shpejtë dhe më të koordinuar ndaj thirrjes së të gjithë atyre që kërkojnë ndihmë”.
“Fatkeqësisht gjatë vitit 2019 kemi gjashtë jetë të humbura. Pesë gra dhe vajza dhe një fëmijë, humbën jetën si pasojë e dhunës në baza gjinore. Si pasojë e një mentaliteti shumë sfidues i cili ende minimizon pasojat e dhunës ndaj grave dhe reagimi vazhdon të jetë i ngadalshëm ndaj të gjithë atyre që kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen tonë”, tha Gusia.
Shefja e Bashkëpunimit për Zhvillim nga Ambasada e Suedisë, Nasrin Pourghazian, tha se dhuna ndaj grave është problem global dhe është forma më e shpeshtë e dhunës që prek më shumë se çdo të tretën grua në botë.
“Kjo nënkupton se miliarda gra janë të prekura nga dhuna”, tha Porghazian, përfshirë edhe vendin nga vjen ajo, Suedinë, ku theksoi se atje çdo vit vdesin 20 gra nga dhuna.
“Dhuna ndaj grave, prek ato pa marrë parasysh prejardhjen etnike, statusin social apo gjendjen ekonomike. Por, ne dimë se gratë të cilat jetojnë më shumë në komunitete të varfra janë më të prekshme sepse shumicën e rasteve ato nuk kanë alternativë. Nuk kanë ku të shkojnë, nuk kanë ku të ikin”, tha Pourghazian.
Këshilltarja për të Drejtat e Njeriut nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Reyes Charle Cuellar, tha se ata kanë bashkëpunuar vitin e fundit me AGJB-në për ta ulur numrin e rasteve të dhunës ndaj grave.
Cuellar tha se ende ka vend për përmirësim dhe dhuna duhet të shkojë në zero raste. “Barazia gjinore është vlerë fundamentale në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi i BE-së me të gjitha vendet jashtë BE-së për avancimin e barazisë gjinore është prioritet”, tha ajo.
Sipas raportit që u publikua në këtë konferencë “Vlerësim i nivelit të zbatimit të procedurave standarde të veprimit për mbrojtje nga dhuna në familje në Kosovë” dhuna në familje mbetet një fenomen i përhapur dhe shqetësues.
Në vitin 2017 Departamenti i Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës ka raportuar për 1271 raste të dhunës në familje. Nga ky numër 78.3 për qind prej rasteve të raportuara kanë qenë gra dhe vajza derisa 21.7 për qind burra dhe djem.
Raporti thekson se dhuna në familje mbetet e nënraportuar për shumë arsye, përfshirë këtu varësinë ekonomike të grave dhe vajzave, papunësinë e lartë të grave dhe vajzave, stigmatizimin dhe fajësimin e viktimave të dhunës, pandëshkueshmërinë e kryerësve të dhunës në familje dhe mungesën e besimit ndaj institucioneve./aa.com/tr