Papa: asgjë nuk vlen më shumë se jeta fëmijëve
Papa: asgjë nuk vlen më shumë se jeta fëmijëve 04.02.2025 | 04:28
Duke hapur në Vatikan Samitin Botëror për të Drejtat e Fëmijëve, Papa nxit të dëgjohen më të vegjlit për t'i thënë "jo" luftës, kulturës së flakjes, dhunës dhe padrejtësisë. Françesku flet për jetën e fëmijëve, për fëmijërinë e flakur në "periferinë e ekzistencës", kujton skutat e qyteteve më të pasura e na nxit të mos mësohemi me të keqen, por të rifitojmë devocionin dhe mëshirën që janë "çka është më e çmuar në zemrën e njeriut”.
 
Samiti Botëror për të Drejtat e Fëmijëve hapet në Sallën Clementine, në Vatikan, me një fjalim të gjatë, titulluar: "T'i duam dhe t'i mbrojmë": fjalim që të lë pa frymë, sepse Papa flet për fëmijët që bota i ka të plagosur me shëmtimin dhe dhunën e saj, sepse numrat që e tregojnë këtë janë të frikshëm e edhe sepse nuk mund të mos i shikojmë sytë e më të brishtëve, të mos i dëgjojmë heshtjet e tyre, vajin dhe britmat e tyre, sepse janë fjalë e gurë që të lëndojnë.
 
Nuk është e pranueshme kjo, që kohët e fundit, për fat të keq, e shikojmë pothuajse çdo ditë: fëmijë që vdesin nën bomba, të flijuar për idhujt e pushtetit, ideologjisë, interesave nacionaliste. Në të vërtetë, asgjë nuk vlen sa jeta e një fëmije. Të vrasësh të vegjlit do të thotë të mohosh të ardhmen.
 
Fëmijët donin t'i jepnin Papës, pak para se të hynte, vizatime shumëngjyrëshe dhe një mesazh në emër të më të vegjëlve të tokës, duke e falënderuar për dëgjimin e pyetjeve të tyre dhe për besimin që u jep fëmijëve për ta ndryshuar botën.
 
Takimi u paraqit nga Atë Enzo Fortunato, kryetar i Komitetit Papnor për Ditën Botërore të Fëmijëve: "Ne jemi të gjithë me ju - tha ai, duke iu drejtuar Papës - për të ruajtur burimin më të rëndësishëm të dashurisë, shpresës dhe jetës".
 
Fëmijëria, periferia e jetës
 
Papa Françesku foli për "periferitë e vështira, ku fëmijët janë shpesh viktima të brishtësisë dhe problemeve, që nuk mund t'i nënvlerësojmë".
 
Periferi mbi të cilat rëndon keqas “varfëria, lufta, mungesa e arsimit, padrejtësia dhe shfrytëzimi. Periferi, që nuk janë vetëm ato me baraka të pluhurosura, por edhe ato të vendeve të pasura ku "bota nuk është e paprekshme nga padrejtësitë".
 
Shkollat ​​dhe shërbimet shëndetësore duhet t’i bëjnë llogaritë me fëmijë  që përballojnë shumë vështirësi, me të rinj në ankth a në depresion, me adoleshentë që marrin rrugën e agresionit apo të vetëdëmtimit. Për më tepër, sipas kulturës së efikasitetit, vetë fëmijëria, ashtu si pleqëria, është  “periferi” e ekzistencës.
 
Të vrasësh të ardhmen
 
E trishtueshme dhe shqetësuese është mënyra se si të rinjtë, “që në shoqëri janë shenja shprese”, shikojnë drejt së nesërmes, të dërmuar nga mungesa e punës dhe e mundësive që i fshijnë ëndrrat. Por edhe “të vrasësh të vegjlit do të thotë të mohosh të ardhmen” e shpesh fëmijët nën ndikimin e drogës, të mbajtur peng nga bandat kriminale, detyrohen ta bëjnë këtë. Kujdes - kujton Papa - nga individualizmi i acaruar i vendeve të zhvilluara, që është helm për të vegjlit. “Ndonjëherë – shton Papa Françesku –  keqtrajtohen apo edhe shtypen nga ata, që duhet t'i mbrojnë dhe t'i ushqejnë; janë viktima të debateve, shqetësimeve sociale ose mendore dhe varësive të prindërve të tyre”.
 
Fëmijëria e mohuar, klithmë e heshtur
 
Papa i ka në zemër edhe fëmijët që vdesin në det, në shkretëtirë, në kalime, "në rrugët e shumta të udhëtimeve të shpresës së dëshpëruar". Disa vdesin për shkak të mungesës së kujdesit ose llojeve të ndryshme të shfrytëzimit. Padrejtësi që, sipas organizatave ndërkombëtare, bëjnë pjesë në “krizën morale globale”.
 
Janë situata të ndryshme, por përballë të cilave ne bëjmë të njëjtën pyetje: si është e mundur që jeta e një fëmije të përfundojë kështu? Jo! Nuk është e pranueshme dhe duhet t'i rezistojmë varësisë. Fëmijëria e mohuar është thirrje e heshtur, që denoncon paudhësinë e sistemit ekonomik, kriminalitetin e luftërave, mungesën e kujdesit mjekësor dhe të arsimit shkollor.
 
Zemra plot me mëshirë
 
Takimet, si ky i Samitit, për Atin e Shenjtë Françeskun janë mënyrë për të mos iu dorëzuar zakonit të këtyre tragjedive si dhe nxitje për të rifituar "atë që është më fisnike në zemrën e njeriut: dhembshurinë, mëshirën". Shqetësim - shton - që shpesh e ndan edhe me përfaqësuesit e bashkësive të tjera fetare.
 
Numrat për dramën e fëmijërisë së mohuar
 
Papa, me numra në dorë, fotografon dramën e fëmijërisë së mohuar, flet për 40 milionë fëmijë të zhvendosur nga konfliktet, rreth 100 milionë të pastrehë, 170 milionë fëmijë “viktima të punës së detyruar, trafikimit, abuzimit dhe shfrytëzimit të të gjitha llojeve, duke përfshirë martesat e detyruara”. Kujton edhe se fenomeni i të miturve të pashoqëruar është  gjithnjë në rritje
 
Fëmijët "të padukshëm".
 
Një tjetër padrejtësi e rëndë është ajo e rreth 150 milionë fëmijëve "të padukshëm", që nuk kanë jetë të ligjshme, as mundësi për të ndjekur   shkollën a kujdes shëndetësor, duke u bërë kështu edhe më të ligshtë e duke rënë edhe në trafikun e qenieve njerëzore a të shiten si skllevër.
Kujtojmë Rohinghya-t e vegjël, të cilët shpesh luftojnë për t'u regjistruar, fëmijë pa dokumenta në kufirin me Shtetet e Bashkuara, viktimat e para të atij heksodi dëshpërimi dhe shprese të mijërave që nisen nga Jugu drejt SHBA, e shumë e shumë të tjerë.
 
Mësimi i historisë
 
“Për fat të keq, kjo histori e shtypjes së fëmijëve përsëritet”- kujton Papa - duke menduar për historitë e gjyshërve të tij e për Luftën I Botërore. Edhe si fëmijë mbeten të pashlyeshme “errësira, erërat e neveritshme, e ftohta, uria, papastërtia, frika, jeta endacake, humbja e prindërve, e shtëpisë, braktisja, çdo lloj dhune”.
 
Të shikosh me sytë e atyre që e jetuan luftën, është mënyra më e mirë për të kuptuar vlerën e paçmueshme të jetës. Por dëgjimi i fëmijëve që sot jetojnë të dhunuar, të shfrytëzuar apo të harruar, shërben edhe për të forcuar "jo"-në tonë kundër luftës, kundër kulturës së shpërdorimit dhe të fitimit, në të cilën gjithçka blihet e shitet pa pikën e respektit e të kujdesit për jetën, sidomos kur është e vogël dhe e pambrojtur.
 
Shikime dhe heshtje që flasin
 
Duhen dëgjuar edhe ata, që nuk e kanë të drejtën e fjalës, siç janë fëmijët e mbytur nga aborti, "praktikë vrasëse, që ia shterron burimin e shpresës mbarë shoqërisë".
 
Është e rëndësishme të dëgjojmë: duhet të kujtohemi se fëmijët e vegjël vëzhgojnë, kuptojnë dhe mbajnë mend. E, me shikimet dhe heshtjet e tyre, na flasin. T'i dëgjojmë!/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.