Fshati për Tokën, thirrja e feve në favor të Krijimit
Fshati për Tokën, thirrja e feve në favor të Krijimit 11.04.2025 | 15:14
Nga manifestimi në Vilën Borghese në Romë, teologe të feve të ndryshme, secili duke u nisur nga tekstet e veta të shenjta, propozojnë një trajtim jo grabitqar të tokës. Mesazhi është i njëzëshëm: "Natyra nuk është pasuri për t'u shfrytëzuar, por përmasë për t'u mbrojtur". 
 
"Shkretimi i tokave nuk është vetëm një fenomen ekologjik, por shenjë e një plage më të thellë në marrëdhëniet ndërmjet njeriut, natyrës dhe Zotit.
 
Kjo është arsyeja pse Papa Françesku flet për ekologjinë e gjithanshme: për t’i rivendosur këto marrëdhënie, duhet butësia e zemrës". Këto janë fjalët me të cilat teologia Rawan Naber e Lëvizjes Fokolare paraqiti dje, e enjte 10 prill, pjesëmarrëset në takimin me temë “Të luftojmë shkretimin e tokave. Roli i grave përballë sfidave mjedisore”. Biseda, në të cilën morën pjesë teologe nga fe të ndryshme, u organizua nga koalicioni “Religions for Peace” (Fetë për Paqen), në parkun e Vilës Borghese në Romë, si pjesë e veprimtarisë “Fshati për Tokën”, që synon të kremtojë Ditën Botërore të Tokës deri të dielën, më 13 prill.
 
Zoti, natyra dhe njeriu
 
"Krishterimi", pohoi teologia Naber në fjalimin e saj, "historikisht, është akuzuar për nxitjen e shfrytëzimit dhe të dominimit mbi Krijimin. Por në vitet ‘60 Kisha e ndryshoi paradigmën, duke e kapërcyer binomin natyrë-njeri dhe duke marrë parasysh trinomin, ku bën pjesë edhe Hyji. Kjo nxiti një ekuilibër më të harmonizuar, sepse natyra dhe njeriu janë krijuar nga Zoti, prandaj, njeriu është i thirrur ta ruajë e ta zhvillojë natyrën. Nuk duhet ta dominojë atë, por ta shikojë me mahnitje”, vërejti Naber.
 
Kontributi i hebraizmit
 
Tekstet e shenjta të hebraizmit përmbajnë një trashëgimi të pasur urtie kushtuar mbrojtjes së Krijimit. "Ka raste të panumërta në Torah që flitet për ambientin. Thuhet se pema dhe toka nuk na përkasin. Talmudi madje, i kërkon njeriut të jetë i përvuajtur para natyrës. Ky tekst i kujton njeriut se u krijua pas mushkonjave. Kjo është ftesë për të mos e sfiduar natyrën", nënvizoi Judith Di Porto nga Bashkësia Hebraike e Romës. "Sapo përfundoi Krijimi i botës, Adami shikoi përreth dhe pa një shumëllojshmëri të pafundme bimësh. Zoti i tha të mos i shkatërronte, sepse nëse i shkatërronte", theksoi Di Porto, "askush nuk do të ishte më në gjendje t'i bënte të mbinin përsëri".

Islami dhe ruajtja e Krijimit
 
Edhe Kurani përmban këshilla të vlefshme për ruajtjen e Krijimit. “Kurani na mëson se natyra është dhuratë falas, që vjen nga dashuria e Zotit për të gjithë bashkësinë njerëzore”, shpjegoi teologia myslimane, Shahrzad Housmand. "Pra, roli i njeriut është të ruajë bukurinë, që i është dhuruar. Kurani nuk flet për njeriun si zot të natyrës", përfundoi ajo, "por më shumë si për një lloj mëkëmbësi, ai që vjen pas Zotit si kujdestar, që e trajton me dashuri".
 
“Mea culpa” e Kishës Ungjillore
 
"Në vitet ‘80, Kisha Ungjillore bëri autokritikë për interpretimin e gabuar, sipas të cilit Zoti e ftoi burrin dhe gruan të dominojnë Tokën. Njeriu u krijua i fundit. Kjo e bën atë përgjegjës për gjithçka ishte krijuar para tij. Teologjia ekologjike, e cila lindi në ato vite, promovon mbrojtjen e natyrës si manifestim i Zotit krijues", pohoi Francesca Evangelisti e Kishës Adventiste.
 
Toka është nënë
 
Mësime të çmuara për mbrojtjen e Krijimit gjenden edhe në filozofinë budiste. "Toka nuk është vendi ku jetojmë, por është nëna jonë", vuri në dukje Barbara Bensi, nga Qendra Zen L'Arco. "Duhet të shërohemi nga mënyra jonë grabitqare dhe egoiste në trajtimin e saj. Nëse natyra sëmuret - pohoi Bensi - vuan edhe njeriu e shoqëria".
 
Lakmia është burim të këqijash
 
"Gjithçka që përbën trupin tonë e përbën edhe natyrën. Kjo eliminon antropocentrizmin", shpjegoi Swamini Shuddhananda Ghiri nga Bashkimi Italian Hinduist. "Njeriu vlen aq sa një gjethe, sa një gur, sa një kafshë. Përkundrazi, ne jemi ata, që shkatërrojmë më shumë. Mendojmë se gjithçka është në dispozicionin tonë. Lakmia është rrënja e së keqes", përfundoi përfaqësuesja e Bashkimit Italian Hinduist.
 
Gjatë takimit, Luigi De Salvia, president i “Religions for Peace” (Fetë për Paqen), paraqiti Projektin Kundër Shkretimit të tokës në Itali e në Tunizi, i cili, me mbështetjen e rrjeteve ndërfetare, synon të rrisë ndërgjegjësimin e bashkësive lokale për fenomenin e shkretimit dhe për pasojat e tij dramatike shoqërore./Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Pastë me spinaq e djath Zieni pastat. Përderisa zihen pastat, përgatisni sosin. Në një tigan të thelle shkrni buterin,
Ëmbëlsirë e shpejtë nga mollët dhe arrat: Desert perfekt i gatshëm për gjysmë ore! Kombinimi i mollëve dhe i arrave përbën shije të vërtetë.
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Supë me patate dhe selino Selinoja është një perime e mrekullueshme e njohur gjërësisht për vetitë detoksifikuese të
Tost dietik integral me gjethe selinoje Mënyra e përgatitjes: Përhapni gjalpin e kikirikut mbi 2 fetat e bukës.