Detyrimet e Serbisë të dala nga marrëveshjet e arritura me Kosovën, tani janë zyrtarisht pjesë e procesit të integrimeve evropiane të këtij shteti.
Këshilli i Ministrave të BE-së, në takimin që po mbahet në Luksemburg ka miratuar ndryshimet në kapitullin 35 në negociatat e anëtarësimit në mes të Brukselit dhe Beogradit.
Në tekstin e ndryshuar thuhet se Serbia duhet t’i zbatojë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe aneksit të zbatimit të dakorduar në mars të vitit 2023 në Ohër.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano konfirmoi dhe përshëndeti miratimin e tekstit në takimin ministror, duke nënvizuar se si Kosova ashtu edhe Serbia kanë pranuar se detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga marrëveshja për rrugën drejt normalizimit do të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre të integrimit evropian.
“Ne mirëpresim miratimin e sotëm nga Këshilli të standardeve të përkohshme të përditësuara, përfshirë Marrëveshjen në Kapitullin 35 të negociatave të pranimit për Serbinë”, ka thënë Stano në një prononcim me shkrim dërguar medieve.
Kosova për dallim nga Serbia nuk ka akoma status kandidati për anëtarësim në BE. Andaj detyrimet e Kosovës që dalin nga dialogu me Serbinë do përfshihen në Grupin Special për normalizim.
Sipas Stanos agjenda e takimit të radhës së këtij grupi gjithashtu do të përditësohet.
“Ne presim që të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen dhe të gjitha detyrimet e tjera në pritje të dialogut – pasi ajo është thelbësore për rrugët e tyre përkatëse evropiane”, porositi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.