Presidentja Vjosa Osmani në Akademinë përkujtimore për masakrën e Reçakut ka thënë se në Reçak, 26 vjet më parë u ndeshën njerëzorja dhe mizorja.“Në një ditë të zymtë të janarit 99-të 45 banorë të Reçakut ndër të cilët burra, gra e të moshuar u masakruan nga regjimi gjenocidal i Serbisë duke shpërfaqur kështu fytyrën e egër të gjenocidit dhe shtypjes. Reçaku nuk është vetëm një tragjedi që lidhet vetëm më këtë fshat dhe banorët e tij, por një dëshmi e vuajtjeve të gjata të popullit tonë i cili kërkonte dhe luftonte për liri dhe për të drejtën në ekzistencë”, ka thënë Osmani.
Sipas saj, pamjet e asaj masakre tronditën botën dhe prekën ndërgjegjen ndërkombëtare e mobilizuan diplomacinë, krejt kjo në saje të mikut tonë të madh ambasadorit William Walker i cili me guxim dhe përkushtim i dha zë të vërtetës së pamohueshme të vuajtjeve të popullit tonë.“Ai dëshmoi para botës atë që e pa me sytë e tij. Mizoritë e paimagjinueshme të cilat regjimi gjenocidal serb i kreu mbi popullsinë e pa mbrojtur shqiptare këtu në Reçak dhe ku do në Kosovë. Sot ambasadori Walker i cili është në mesin tonë mbetet një simbol i ndërgjegjes njerëzore dhe i drejtësisë ndërkombëtare, ndaj edhe kisha nderin që në tetor të viti të kaluar ta dekoroja atë me medaljen presidenciale të lirisë në emër të popullit të Republikës së sonë. Fjalët e thëna me vendosmërinë nga ambasadori Walker, tronditën opinion publik ndërkombëtar dhe ishin thirrje për veprim të menjëhershëm”, ka theksuar presidentja.
Sipas saj, kjo hapi edhe rrugën për ndërhyrjen e NATO-s e cila bashkë me luftën çlirimtare të bijve dhe bijave të Kosovës, vajzave dhe djemve të ushtrisë sonë çlirimtare e bënë Kosovën të lirë./rtk/