Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deri para se të bëhej kryeministër i Republikës së Kosovës, kishte refuzuar që të shkonte tek varri për ta nderuar ish-presidentin dhe ish-kryetarin e LDK-së, Ibrahim Rugovën. Pas veshjes për herë të parë me petkun e kryeministrit, më 17 shkurt 2020, Albin Kurti kishte vendosur për t’iu përkulur tek varri ish-presidentit të Kosovës, shkruan Gazeta Express.
Çështja e raportit të Kurtit me Rugovën është riaktualizuar këto ditë, pasi kryetari i Qeverisë ka vizituar rezidencën presidenciale të Rugovës në Velani e cila edhe është në proces të restaurimit. Në videon e publikuar nga Kurti në faqen e tij zyrtare në ‘facebook’, Fanë Rugova dëgjohet teksa ankohet se si për 20 vite askush s’ishte interesuar për restaurimin e rezidencës. Kurtin në këtë vizitë në rezidencë e kanë pritur edhe dy djemtë e Rugovës, Mendim dhe Ukë Rugova.
Megjithatë në arkiva gjenden edhe deklarime brutale të Albin Kurtit kundër Ibrahim Rugovës. Në një bisedë të cilën Kurti e bën në një televizion lokal në shkurt të vitit 2002, LDK-në e cilëson si parti autoritare meqë Ibrahim Rugova po e drejtonte për 12 vite rresht. Gjithashtu Kurti konsideronte se Rugova edhe si të dështuar në politikë.
“Ajo është një parti autoriare që e ka në krye një njeri prej 12 vite, z. Rugova, që s’është dëshmuar me suksese në politikë”, kishte deklaruar Kurti.
Përveç kësaj, Kurti përmend edhe një deklaratë të tijën dhënë për një revistë, ku kishte sugjeruar çlirimin e LDK-së nga Rugova, meqë sipas Kurtit e gjithë partia kishte mbetur peng e kryetarit të saj. Sipas Kurtit, LDK-ja do të duhej të refmorohej duke e larguar Rugovën, meqë thoshte se nëse LDK do të vazhdonte pa u reformuar do të degjenerohej si parti.
“LDK që të mbijetoj në skenën politike, ka nevojë të reformohet nga brenda. Nuk ka mundësi që një parti t’i besojë populli se ajo do ta ndërtojë demokracinë, nëse ajo s’ka demokraci të brendshme. LDK fatkeqësisht në masë të madhe është peng e kryetarit të saj, z. Rugova. Dhe në këtë reformë që do të duhej të pasonte, unë besoj se do të duhej të nënkuptohej edhe ndryshimi i kryetarit, i një personi tjetër, që do të mund ta përparonte këtë parti, e jo vetëm ta stagnonte. LDK nëse vazhdon në këtë mënyrë pa u reformuar dhe pa e ndryshuar kryetarin, do të degjenerohet për mendimin ti”, kishte thënë Kurti./GazetaExpress/