Ish-kryeministri i Kosovës, tash deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës duhet të përqendrohet te zbatimi i marrëveshjes së Washingtonit.
Deputeti Hoti ka shkruar në Facebook se nisja e projekteve infrastrukturore është në interesin e Kosovës dhe qeveria e re duhet të nis menjëherë përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për t’u futur më tej në negociata me partnerët stratetegjik për zbatim e financim të plotë të projekteve.
Ai ka shkruar se me krizën energjetike që po mbretëron, projekti i gazit ka marrë përmasa të sigurisë kombëtare.
“Besoj shumë se qeveria e ardhshme e Kosovës duhet ta kthejë fokusin tek zbatimi i projekteve të parapara në Marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit 2020. Nisja e projekteve të mëdha infrastrukturore është interes strategjik i Kosovës. Qeveria e re duhet menjëherë të nis përgatitjen e planeve zbatuese dhe të sigurojë financimin bazë, për të hyrë më tutje në negociata me partnerët strategjik të Kosovës për zbatim dhe financim të plotë të projekteve”, ka shkruar Hoti.