UNICEF në COP29, që u hap sot, 11 nëntor, në Baku të Azerbajxhanit: ndotja e ajrit, faktori i dytë i rrezikut për vdekjen e fëmijëve nën 5 vjeç.
Në hapjen e COP29, të dhënat e UNICEF-it për krizën klimatike janë dramatike: rreth 1 miliard fëmijë - pothuajse gjysma e 2.2 miliardë fëmijëve në botë - jetojnë në 1 nga 33 vendet e klasifikuara në "rrezik jashtëzakonisht të lartë" për shkak të ndryshimeve klimatike; mbi 420,000 fëmijë janë aktualisht të prekur nga thatësira rekord në rajonin e Amazonës; 1 ndër 5 fëmijë – ose 466 milionë – jetojnë në zona që kanë të paktën dyfishin e ditëve të nxehtësisë ekstreme çdo vit krahasuar me vetëm gjashtëdhjetë vjet më parë; nxehtësia ekstreme po çon në rritjen e lindjeve të parakohshme dhe lindjeve të fëmijëve të vdekur, me mundësi që të shtohet me 5% për çdo 1°C rritje të temperaturës; ndotja e ajrit është tashmë faktori i dytë i rrezikut për vdekjen globalisht të fëmijëve nën 5 vjeç, pas kequshqyerjes; disa studime tregojnë se në Bangladesh, në vitet kur valët e të nxehtit zgjasin më shumë se 30 ditë, rreziku i martesës së fëmijëve dyfishohet për vajzat e moshës 11-14 vjeç, krahasuar me vitet kur nuk ka valë të nxehti.
Sot u hap COP 29
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP 29) që u hap sot, do të vijojë deri më 22 nëntor 2024 në Baku, Azerbajxhan.
Samiti COP29 do të mbledhë Palët e Marrëveshjes së Parisit pasi krizat klimatike vazhdojnë të shkatërrojnë jetën dhe mirëqenien e fëmijëve në mbarë botën. E në mbarë botën, goditjet klimatike po ndikojnë në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, sigurinë e tyre dhe të drejtën e tyre në shërbimet themelore. Bota nuk po bën asgjë mjaftueshëm për t’i mbrojtur fëmijët. UNICEF do të punojë në COP29 për të siguruar që nevojat, të drejtat dhe perspektivat e fëmijëve të përfshihen në politikat, veprimet dhe investimet për klimën në të gjitha nivelet.
Qeveritë duhet t'u japin përparësi të drejtave të fëmijëve
“Fëmijët jetuan një vit tjetër me nxehtësi rekord, përmbytje shkatërruese, thatësira dhe uragane kërcënuese për jetën. Ata janë më aspak përgjegjës për këto kriza, ndërsa mbajnë peshën kryesore të tyre”, tha Catherine Russell, Drejtore Ekzekutive e UNICEF-it. “Në COP29 dhe nëpërmjet kontributeve të përcaktuara në nivel kombëtar, qeveritë duhet t'u japin përparësi të drejtave të fëmijëve. Fëmijët duhet të përfshihen në zgjidhje dhe udhëheqësit globalë duhet ta bëjnë kujdesin shëndetësor, arsimin, ujin dhe kanalizimet – sisteme ku fëmijët mbështeten – më elastike ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike. Tani është koha për të vepruar”.
Tema
Palët në Marrëveshjen e Parisit ranë dakord që, kur të ndërmarrin veprime për klimën, të respektojnë, të mbrojnë dhe të kenë parasysh të drejtat e fëmijëve dhe barazinë ndërmjet brezave. Edhe Komenti i Përgjithshëm 26 i Komitetit të OKB-së për të Drejtat e Fëmijës thekson se Shtetet Anëtare duhet të veprojnë për të mbështetur të drejtën e fëmijëve për një mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm.
Ndërsa u arrit njëfarë përparimi për fëmijët në COP28 - duke përfshirë institucionalizimin e Presidencës së Youth Climate Champion dhe marrëveshjen për një dialog ekspertësh për fëmijët dhe ndryshimet klimatike në Konferencën e Klimës SB60 në Bon në qershor 2024 - nuk kanë filluar ende iniciativa të rëndësishme ose investime për politikat klimatike të ndjeshme ndaj fëmijëve. Për shembull:
Vitin e ardhshëm Palët do të paraqesin planet e tyre të përditësuara të klimës: Kontributet e Përcaktuara Kombëtare (NDC 3.0). Megjithatë, më pak se gjysma e planeve aktuale u përgjigjen nevojave të fëmijëve ose të rinjve dhe vetëm 3% janë zhvilluar përmes proceseve pjesëmarrëse që përfshijnë fëmijët.
Vetëm 2.4% e financimit të klimës mund të klasifikohet si e ndjeshme ndaj nevojave të fëmijëve dhe nga 591 projekte të miratuara gjatë një periudhe 17-vjeçare nga 2006 deri në 2023, vetëm një u përqëndrua tek arsimi, si objektiv kryesor.
UNICEF, thirrje udhëheqësve
UNICEF u bën thirrje udhëheqësve të sigurohen që vendimi kryesor COP29 t'i përgjigjet ndikimit unik dhe joproporcional të ndryshimit të klimës në favor të fëmijëve. Të sigurohen për një rritje dramatike të financimit të klimës për fëmijët, që të gjitha NDC 3.0 të reja t'u përgjigjen nevojave të fëmijëve dhe t'i përgjigjen ndikimit joproporcional të ndryshimit të klimës tek fëmijët. Për të arritur këtë qëllim, ato duhet të marrin angazhime të përshtatshme të zvogëlimit të emetimeve dhe zbutjes për të ruajtur objektivin 1.5°C; të forcojnë shërbimet sociale themelore për fëmijët, si sistemet shëndetësore, arsimore dhe ushqimore, për t'i bërë ata më të qëndrueshëm ndaj mjedisit dhe rezistentë ndaj fatkeqësive; të jenë gjithëpërfshirës me fëmijët, të rinjtë dhe të drejtat e tyre. E, akoma, t’u japin më shumë mundësi fëmijëve dhe të rinjve që të jenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në mënyrë domethënëse në vendimmarrje, por edhe të pranishëm në procesin vendimmarrës për klimën./Radio Vatikani