Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, Françesku kujtoi njerëzit e kontesë amerikane që po luftojnë me zjarret, ku numri i të vdekurve arriti në njëmbëdhjetë. Papa vazhdon të bëjë thirrje për paqen në zonat e konfliktit dhe kujton angazhimin apostolik, edhe për pajtim, të Don Giovanni Merlinit, që sot u shpall i Lum. Me gëzim, iu drejtua edhe një herë të sapolindurve të pagëzuar në Kapelën Sikstine: të gjithë çiftet e reja ta mirëpresin dhuratën e fëmijëve.
I vëmendshëm ndaj lajmeve ndërkombëtare, thirrjet pas lutjes mariane të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa i filloi duke kujtuar banorët perëndimorë të Shteteve të Bashkuara, që po jetojnë dramën e ikjes nga zjarret shkatërruese:
Jam pranë banorëve të Los Angeles County, California, ku ditët e fundit shpërthyen zjarret shkatërruese. Lutem për ju të gjithë.
Sipas mjekëve, 11 trupa janë gjetur deri tani në zonën e shkatërruar nga zjarri Eaton, pranë qytetit të Altadena, pesë të tjerë u dogjën në zjarrin e lagjes së pasur të Paqësorit, Palisades. Për të luftuar kundër flakëve vdekjeprurëse ndihmuan edhe zjarrfikësit e ardhur nga Meksika.
Mirëpriteni jetën!
Papa Françesku e kremtoi lutjen e Engjëllit të Zotit nga Pallati Apostolik, pasi kryesoi ritin e Sakramentit të Pagëzimit që iu dha 21 fëmijëve të punonjësve të Selisë së Shenjtë dhe Gardës Zvicerane, në Kapelën Sikstine. Na kujton kremtimin me gëzim dhe na fton të lutemi për foshnjat e familjet e tyre. Dhe bën një kërkesë atërore:
Të gjitha çiftet e reja paçin gëzimin të marrin dhuratën e fëmijëve dhe t’i sjellin ata në Pagëzim.
Lutja për paqen, me ndermjetësimin e të Lumit Merlini
Skenarët e luftës vazhdojnë të korrin vdekje dhe shkatërrim. Në Ukrainë, ushtria ruse mori përgjegjësinë për pushtimin e dy lokaliteteve në vijën e frontit lindor, në rajonin e Donetskut. Në Gaza, Hamasi saktësoi numrin e vdekjeve të palestinezëve në Rrip që nga 7 tetori 2023 në 46,565 vetë, pasi shtoi 28 viktima të 24 orëve të fundit. Të plagosurit tani janë mbi njëqind mijë. I pikëlluar dhe i shqetësuar vazhdimisht, Papa Françesku e lidh përpjekjen për paqe në shekullin e 19-të, nga meshtari Giovanni Merlini, shpallur sot i Lum në Bazilikën Lateranense, me shpresën për paqen, edhe nëpërmjet të Lumit të ri. "Të mos harrojmë - përsëriti - se lufta është gjithmonë disfatë":
I kushtuar misioneve për popullin, ishte këshilltar i matur për shumë shpirtra dhe lajmëtar i paqes. Ne kërkojmë ndërmjetësimin e tij, ndërsa lutemi për paqen në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën. Një duartrokitje për të Lumin e ri!
Lumnimi në Bazilikën Lateranense
Kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, e kryesoi ritin në Bazilikën papnore të Lateranit në Romë. Dom Merlini ishte misionar që, përkrah Shën Gasprit të Bufalos, punoi pa u lodhur për reformimin e popujve dhe kulturën e klerit, duke vijuar predikimin misionar në më se dyqind qytete e fshatra.
“Edhe pse kishte lidhje me të mëdhenjtë, i pëlqente më shumë e vogla, kujton postulatorja e çeshtjes, motra Nicla Spezzati, e cila nxjerr në pah cilësitë e tij të inteligjencës, besimit, butësisë dhe drejtësisë. Ai u bë i afërt me burrat e malit, hajdutët, të cilët në tridhjetë vitet e para të shekullit të 19-të, gjakosnin tokat papnore. I ftonte "me ndershmëri dhe delikatesë të rikthehen në jetë dhe, duke hyrë në zemër të përçarjes së rëndë shoqërore", bëhej, edhe në situata të rënda, ndërmjetës me zgjidhje paqësuese./Radio Vatikani