Fundi i konflikteve në botë, sërish në qendër të reflektimit të Françeskut, në përfundim të audiencës së përgjithshme
Fundi i konflikteve në botë, sërish në qendër të reflektimit të Françeskut, në përfundim të audiencës së sotme përgjithshme, mbajtur paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Një kujtim i veçantë për "Ukrainën e martirizuar", kryeqyteti i së cilës, Kievi, zmbrapsi sulmet e para ruse në 73 ditë. "E, të mos harrojmë Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe shumë kombe në luftë" si dhe një lutje për 153 civilët palestinezë "të pushkatuar, të pafajshëm".
Kemi nevojë aq shumë, aq shumë nevojë për paqe!
Fundi i konflikteve në të gjitha “vendet në luftë” është sërish në qendër të thirrjes së Papës Françesku, në përfundim të audiencës së përgjithshme.
Thirrje për Ukrainën, nën raketat ruse
“Ukraina e torturuar vuan, të mos e harrojmë Ukrainën”, është kërkesa e vazhdueshme e Papës, që lidhet me ngjarjet aktuale si dhe me sulmin e parë rus në 73 ditë mbi kryeqytetin Kiev, të regjistruar në agimin e sotëm, 13 nëntor. Një sulm ajror i kombinuar me raketa dhe 90 dronë të cilët, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky "u rrëzuan" nga mbrojtja ajrore.
Kujtimi i palestinezëve të mitraluar
Nuk ishte vetëm vendi evropian, në mendimet e Françeskut, i cili kërkon të mos harrohen as "Palestina, Izraeli, Mianmari" dhe "shumë kombe në luftë". Siç ka ndodhur disa herë në thirrjet e tij për paqe, Papa përqendrohet tek "grupi i palestinezëve të pafajshëm dhe të mitraluar". Kujton, kështu, 153 civilët e vrarë ndërsa "shkonin rrugës", siç theksoi Papa në përfundim të audiencës, më 6 nëntor. “Çfarë lidhje kanë fëmijët dhe familjet me luftën? Janë viktimat e para” - pati thënë Françesku, sërisht duke iu referuar këtij episodi, edhe në audiencën e mëparshme, atë të 30 tetorit.
Përshëndetje polakëve
Në përshëndetjet e tij drejtuar shtegtarëve të gjuhëve të huaja, Papa kujtoi përvjetorin "e rifitimit të pavarësisë polake", kremtuar më 11 nëntorin e kaluar.
“Në shqetësimet tuaja personale, familjare dhe sociale, kërkoni ndihmën e Nënës së Zotit, Mbretëreshës së Polonisë, e cila e ruajti kombin tuaj në shumë çaste të vështira” - thotë Françesku - i cili kujtoi se si “populli polak luftoi” për autonominë e tij “edhe me Rruzare në dorë”./Radio Vatikani