Bota “nuk ka asgjë për t’u frikësuar” nga regjimi i ri sirian, ka thënë lideri i grupit rebel Hayat Tahrir al Sham (HTS), në komentet e tij të para për një media perëndimore që nga rënia e Bashar al-Assad të dielën, sipas Sky News.
Ahmed al-Sharaa, i njohur gjithashtu si Abu Mohammed al-Jolani, ka tentuar të sigurojë kombet e huaja në komentet e tij, raporton Sky, dhe ai ka premtuar se Siria “do të rindërtohet”
“Frikërat e tyre janë të paarsyeshme, me vullnetin e Zotit. Frika ishte nga prania e regjimit [të Assad]. Vendi po lëviz drejt zhvillimit dhe rindërtimit. Po shkon drejt stabilitetit”, ka thënë ai.
“Njerëzit janë lodhur nga lufta. Pra, vendi nuk është gati për një tjetër luftë dhe nuk do të hyjë në një tjetër. Burimi i frikërave tona ishte nga milicitë iraniane, Hezbollah dhe regjimi që ka kryer masakrat që po shohim sot. Kështu që largimi i tyre është zgjidhja për Sirinë. Situata aktuale nuk do të lejojë një kthim në panik”, ka shtuar ai.
Frika mbi mënyrën se si do të veprojë grupi i ri në pushtet lidhet sidomos me grupet e pakicës së krishterë dhe alavite në Siri, si dhe grupe të tjera që mund të jenë cak i grupit islamik që kanë marrë kontrollin e shtetit.
Lideri i grupit që ishte pjesë e grupeve që mposhtën regjimin e Assad dhe e detyruan ish-diktatorin që të largohet nga Siria pas 25 vitesh pushtet, është në qendër të mediave ndërkombëtare pasi që ai ishte terrorist i shpallur dhe tash po tenton që të paraqitet si lider më i moderuar.
Jolani ishte në listën e terroristëve që kërkohej nga shtetet perëndimore si anëtar i organizatës Al-Nusra, por gjuha e vendeve të perëndimit është zbutur ndaj tij pas fitores ndaj Assadit. /gazetametro.net