Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, sërish ka reaguar për sulmet e RTK-së ndaj Nacionales dhe Periskopit.
Ai ka thënë se linçimi, shpifja dhe shantazhi nga RTK-ja ndaj gazetarëve të Nacionales e Periksopit, përbën rastin më brutal të kapjet të shtetit nga qeveria.
Postimi:
Linçimi, shpifja dhe shantazhi nga RTK-ja ndaj mediumeve dhe gazetarëve të Nacionales e Periskopit, e tani edhe ndaj gazetarëve brenda RTK-së, përbën rastin më brutal të kapjes së shtetit nga partia në pushtet.
Kapja e shtetit nga pushteti nuk ndodh kurrë për të promovuar standarde të mbështetura mbi parimet e integritetit, llogaridhënies dhe përgjegjësisë.
Përkundrazi, kapja e shtetit bëhet kur në institucionet e pavarura emërohen ose zgjedhën individë (vegla) të përkushtuar ndaj interesave të pushtetit.
Këta individë më pas përdoren për të ushtruar presion, kërcënime apo shantazhe, duke siguruar që veprimet e këtyre institucioneve të jenë në përputhje me interesat e qeverisë.
Ndërsa jemi dëshmitarë të këtij brutaliteti të kapjes së këtij institucioni të pavarur që po ekspozohet në mënyrën më skandaloze, mund të imagjinojmë se çfarë ndodh në institucionet e tjera të pavarura ku emërimet dhe zgjedhjet janë bërë me të njëjtën logjikë.
Anëtarët e bordit të RTK-së, të cilët nuk mund të ndryshojnë këtë logjikë të qasjes së pushtetit ndaj këtij institucioni të pavarur, duhet të tregojnë integritet, etikë dhe moral profesional të dorëhiqen përpara se të vazhdojnë të jenë vegla të mëtejshme.