50 milionë njerëz janë viktima të formave të reja të skllavërisë: prej tyre, 12 milionë të mitur. Këto, shifrat shqetësuese që raportohen nga organizata joqeveritare me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër trafikimit të njerëzve, më 30 korrikun e ardhshëm. Raffaela Milano, drejtoreshë e kërkimit dhe e formimit e Save the Children-Shpëtoni Fëmijët: "Skllavëria moderne është rezultat i krizave globale, detyra jonë është t’u rikthejmë besimin këtyre fëmijëve".
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Trafikimit të Njerëzve, që do të kremtohet më 30 korrik, Save the Children publikoi raportin vjetor, titulluar "Skllevërit e vegjël të padukshëm", tashmë në edicionin e katërmbëdhjetë. Dosja e këtij viti i hap dyert një fenomeni sa të madh, aq edhe të panjohur: formave të skllavërisë bashkëkohore. Nga puna e detyruar, tek shfrytëzimi seksual; nga përfshirja në aktivitete të paligjshme, tek martesat e detyruara - ka më shumë se 50 milionë njerëz që përfshihen në këtë fenomen dramatik. Prej tyre, 12 milionë janë fëmijë, siç nënvizohet për Vatican Radio-Vatican News nga Raffaela Milano, drejtoreshë e kërkimit dhe formimit e organizatës joqeveritare Save the Children: “Flasim për fëmijë, vajza dhe adoleshentë të përfshirë në forma shfrytëzimi të ndryshme dhe brutale, që në shumë raste vendosen njëra-mbi-tjetrën, duke shkatërruar jetën e këtyre të rinjve në shumë fronte”.
Një prirje në rritje
Shifrat e këtij fenomeni po rriten vit pas viti, duke nxjerrë në pah një aspekt shqetësues. “Nga analizat e bëra vitet e fundit kemi parë se si disa faktorë kanë kontribuar në forcimin e këtyre formave të abuzimit - kujton Milano – si urgjenca Covid, krizat humanitare, krizat klimatike dhe, mbi të gjitha, konfliktet rajonale apo kombëtare. Në zonat e konfliktit, rrethanat prodhojnë thellim të varfërisë dhe situata të rënda familjare e personale, të cilat pastaj shndërrohen në shfrytëzim”. Për ta ndryshuar situatën - shpjegon më tej Milano - "është e nevojshme të përqendrohet vëmendja mbi temën e investimeve të vendeve në krijimin e politikave të luftës kundër skllavërisë, gjithnjë e më të forta në nivel ndërkombëtar dhe kombëtar".
Trafikimi i njerëzve dhe roli i migracionit
Raporti nënvizon lidhjen e fortë ndërmjet flukseve migratore, mungesës së kanaleve të sigurta migratore dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
“Vështirësia e hyrjes në kanalet e sigurta dhe legale të migracionit, nxit në mënyrë të pashmangshme trafikimin, pasi migranti detyrohet t'i nënshtrohet stresit të jashtëzakonshëm psikologjik dhe fizik, duke e ekspozuar veten përballë rrezikut të formave të ndryshme të shfrytëzimit në vendet e tranzitit dhe të mbërritjes. Kjo mund të ndodhë edhe në Evropë - tregon akoma Milano – ku të miturit e pashoqëruar rrezikojnë të përfundojnë në duart e trafikantëve të paskrupull, për shkak të mungesës së kanaleve të shpejta të bashkimit familjar”.
Save the Children dhe rëndësia e mirëbesimit
Save The Children, aktiv në të gjithë botën, në këto raste urgjente, bashkëpunon me organizata ndërkombëtare dhe kombëtare për mbrojtjen e figurave më të brishta si fëmijët, adoleshentët apo gratë me fëmijë, pas mbërritjes së tyre në zonat kufitare tokësore ose detare. Siç shpjegon më tej Raffaella Milano - “Periudha e parë e pritjes është themelore. Viktimat e trafikimit duhet të identifikohen menjëherë, për t'i bërë djemtë dhe vajzat të kuptojnë se mund të rifitojnë besimin te vetja dhe te të tjerët; mbasi të gjithë provojnë një lloj tradhtie nga njerëzit tek të cilët kishin mbështetur shpresat; mashtrohen dhe zvarriten në situata dramatike. Prandaj, ne duhet t'u japim atyre forcën që të mund ta shikojnë qetësisht “të ardhmen”./Radio Vatikani