Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim me dyer të mbyllura të hënën për situatën në Siri, pas përparimit të rrufeshëm të kryengritësve që rrëzuan presidentin Bashar al-Assad.
Rusia, e cila i ofroi ndihmë ushtarake Assadit gjatë luftës civile siriane gati 14-vjeçare, kërkoi një seancë të Këshillit të Sigurimit për të diskutuar zhvillimet, përfshirë ndikimin në misionin paqeruajtës të OKB-së në Rrafshnaltën e Golanit.
Trupat izraelite u vendosën të dielën në zonën mbrojtëse të vëzhguar nga OKB-ja në Rrafshnaltën e Golanit, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu tha se veprimi i ishte i nevojshëm për të mbrojtur izraelitët, pasi forcat siriane braktisën pozicionet e tyre.
Shumë pikëpyetje mbeten të hapura rreth asaj se kush do ta udhëheqë Sirinë dhe se si vendi do të përpiqet të rimëkëmbet pas vitesh lufte dhe gati pesë dekadash nën sundimin e familjes Assad.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha në një deklaratë të dielën vonë se Shtetet e Bashkuara do të "vëzhgojnë nga afër zhvillimet ndërsa ato shpalosen dhe do të angazhohen me partnerët tanë në rajon".
“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht një kalim paqësor të pushtetit te një qeveri e përgjegjshme siriane përmes një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Siria”, tha sekretari Blinken. "Gjatë kësaj periudhe kalimtare, populli sirian ka çdo të drejtë të kërkojë ruajtjen e institucioneve shtetërore, rifillimin e shërbimeve thelbësore dhe mbrojtjen e komuniteteve të cenueshme".
Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin përpjekjet ndërkombëtare për të mbajtur Assadin dhe të tjerët përgjegjës për abuzimet kundër popullit sirian dhe ndalimin e civilëve sikurse gazetari amerikan Austin Tice.
Bashar al Assad u akuzua për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës civile të vendit, duke përfshirë një sulm me armë kimike në vitin 2013 në periferi të Damaskut.
Më shumë se gjysmë milioni sirianë vdiqën në luftë dhe konflikti zhvendosi të paktën gjysmën e popullsisë së paraluftës të vendit prej mbi 22 milionë banorësh.
Rënia e Assadit bëri që turmat të mblidhen dhe të festojnë në Damask dhe gjetiu.
Kryengritësit hapën burgjet ku qeveria e Assadit mbajti mijëra njerëz si pjesë e shtypjes së kryengritjes, që filloi në vitin 2011 kundër sundimit të tij.
Të hënën vazhdoi përqendrimi rreth burgut Saydnaya jashtë Damaskut, ku organizata e shpëtimit “Helmetat e Bardha” tha se vendosi ekipe për të kërkuar qeli të mundshme të fshehura nëntokësore, ku mund të mbahen ende të burgosur.
Agjencitë ruse të lajmeve thanë të dielën se Assadi dhe familja e tij mbërritën në Moskë dhe u është ofruar strehim në Rusi.
Rënia e Assadit ishte jashtëzakonisht e shpejtë, me kryengritësit që pushtuan qytetet Aleppo, Hama dhe Homs brenda pak ditësh, ndërsa ushtria siriane i dha fund çdo kundërvënieje. Kryengritësit udhëhiqen nga grupi Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili e ka origjinën në Al-Kaida dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.
Abu Mohammed al-Golani drejton grupin HTS dhe mund të përcaktojë drejtimin e menjëhershëm të vendit. Ai është një ish-komandant i Al-Kaidës, i cili ndërpreu lidhjet me grupin vite më parë dhe thotë se përqafon pluralizmin dhe tolerancën fetare.
Por ka ndarje të thella në vend. Luftëtarët e opozitës të mbështetur nga Turqia po luftojnë me forcat kurde aleate të SHBA-së në veri dhe grupi militant Shteti Islamik është ende aktiv në disa zona të thella.