Françesku u dërgon një videomesazh banorëve të Valadolidit, të shkatërruar nga cikloni Dana, i cili, deri tani, ka shkaktuar mbi 100 të vdekur, një numër të panjohur të zhdukurish dhe më se 1200 të zhvendosur. Papa shpreh afërsinë dhe lutjet e tij. Ipeshkvi i Valencias, Benavent Vidal: të krishterët duhet të jenë "solidarë me ata që vuajnë më shumë". Strukturat e Kishës janë vënë në dispozicion si "vende solidariteti dhe strehimi"
“Afërsi” dhe “lutje” për gjithë popullsinë e Valencias “në këtë moment fatkeqësie”. Françesku shpreh dhimbjen e tij për Spanjën e goditur nga cikloni Dana, përmes një videomesazhi drejtuar imzot Luis Javier Argüello García, kryeipeshkëv metropolitan i Valadolidit dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të vendit. Në të, Ati i Shenjtë siguron "afërsinë e tij me popullin e Valencias" dhe i dërgon bekime apostolike. Në orët e fundit, cikloni ka shkatërruar bregun lindor spanjoll me mbi 100 viktima zyrtare, një numër të paspecifikuar personash të zhdukur dhe më se 1200 persona të zhvendosur. Kjo është katastrofa më e madhe e kujtuar në vend, që shkencëtarët e lidhin me ndryshimet klimatike. Për tetë orë ka rënë më tepër shi se në 20 muajt e mëparshëm.
Thirrja e mbretit
Agjencia meteorologjike spanjolle ka dhënë një alarm të ri në orët e fundit për disa qarqe të Castellón, provinca më veriore e rajonit të Valencias, por megjithëse me një nivel më të ulët, edhe për jugun e Tarragona-s, në verilindje të Katalonjës dhe për bregdetin perëndimor i Kadizit, në jugperëndim të vendit. Spanjollëve u mbërriti edhe thirrja e mbretit Felipe VI, i cili u kërkoi të "qëndrojnë të bashkuar”, duke e ndihmuar dhe duke e mbështetur njëri-tjetrin, në mënyrë që ta "kapërcejmë këtë traumë".
Shkatërrim i tmerrshëm
Vendi u zgjua i zhytur në apokalipsin e shkatërrimit, me fshatra të tëra të përfshira nga përmbytjet. Kërkimi i të zhdukurve vijon pandërprerë.
Lumenj uji vërshuan në katet e poshtme të ndërtesave, duke fshirë gjithçka gjetën. Shumë ura dhe rrugë janë prishur, linjat hekurudhore janë ndërprerë. Rreth 80 mijë familje ende nuk kanë energji elektrike, ndërsa një numër i panjohur njerëzish janë pa ujë të pijshëm.
Ipeshkvi i Valencias: pranë atyre që vuajnë
“Ishte ngjarje e jashtëzakonshme, që i befasoi të gjithë, si për shpejtësinë e ngjarjeve, ashtu edhe për shtrirjen e tragjedisë, për të cilën nuk ishim në dijeni – pohon imzot Enrique Benavent Vidal, ipeshkëv i Valencias – vetëm të mërkurën në mëngjes filluam të kuptojmë ç’kishte ndodhur, nga pamjet televizive, nga numri në rritje i viktimave”. Ai vetë do të shkojë sapo të jetë e mundur, në vendet e prekura nga tragjedia.
Strukturat e famullive janë vënë në dispozicion të të prekurve nga cikloni, shpjegon ipeshkvi, ndërsa Karitasi po punon krah atyre, që kanë humbur gjithçka./Radio Vatikani