Associated Press ka raportuar se Qeveria siriane ka rënë sot pas një sundimi 50-vjeçar të familjes Assad, pas një ofensive të papritur rebele që shpërtheu në territorin e kontrolluar nga qeveria dhe hyri në kryeqytet në 10 ditë.
Televizioni shtetëror sirian transmetoi një video deklaratë nga një grup, të cilit thonin se presidenti Bashar al-Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit në burgje janë liruar.
Rebelët sirianë pretenduan herët në mëngjesin e 8 dhjetorit se kanë marrë nën kontroll kryeqytetin, Damaskun, pas një ofensive të shpejtë të nisur ditëve të fundit.
Damasku është “tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale.
Vendndodhja e presidentit Bashar al-Assad nuk dihet, megjithëse Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me qendër në Britani, tha se Assadi ishte larguar me një aeroplan nga Damasku dhe kishte lënë vendin herët në mëngjesin e 8 dhjetorit. Nuk u tha se ku kishte udhëtuar Assadi.
Ky raportim nuk mund të konfirmohej, por kryeministri sirian Mohammad Ghazi al-Jalali tha në një video se Qeveria është “e gatshme të bashkëpunojë me çdo udhëheqje të zgjedhur nga populli”.
“Ne besojmë se Siria është për të gjithë sirianët dhe se është vendi i të gjithë bijve të saj, dhe se ky vend mund të jetë një shtet normal që ndërton marrëdhënie të mira me fqinjët dhe botën pa u përfshirë në ndonjë aleancë apo bllok rajonal”, tha al-Jalali, duke shtuar se ai ishte ende në shtëpi në Damask dhe nuk kishte ikur.
Ekspertët thanë se rënia e regjimit të Assadit do të paraqesë një humbje të madhe gjeopolitike për Kremlinin, i cili së bashku me Teheranin kanë mbështetur Qeverinë siriane përgjatë luftës civile që nisi më 2011.