Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare. Në nderim të kësaj dite, të gjuhës shqipe, të autorëve dhe studiuesve të gjuhës shqipe, Biblioteka Kombëtare e Kosovës sot ka çelur miniekspozitën “Gjuha jonë”, e cila do të qëndrojë e hapur deri të premten e ardhshme.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, e cila sot shënohet në gjithë botën me aktivitete të ndryshme, edhe ne në Kosovë, për nder të kësaj dite, bëmë një punë të vogël: hapëm miniekspozitën “Gjuha jonë. Në dhjetë tryeza të drurit, në hollin e madh të Bibliotekës Kombëtare, nga fondi i bibliotekës paraqitëm dhjetëra libra të vjetër dhe të rrallë të autorëve shqiptarë botuar ndër vite dhe nga institucione dhe shtëpi të ndryshme botuese”, njofton Biblioteka Kombëtare.
Në këtë njoftim, thuhet se aty u paraqitën libra me poezi, me prozë, me studime për gjuhën, për ta festuar këtë ditë, njëkohësisht për ta promovuar pasurinë e gjuhës sonë të mirë e të ëmbël, për të cilën shkrimtarët dhe studiuesit kanë dhënë kontribut të madh për ruajtjen, mësimin dhe mbrojtjen e saj nga ndikimet sintaksore të gjuhëve të huaja.
“Kjo ditë na kujton dhe na motivon të punojmë që gjuha jonë ta ketë mundësinë të zhvillohet dhe të ruhet për brezat e ardhshëm sa më pastër dhe sa më mirë dhe, gjithashtu, t’i nderojmë autorët që kanë shkruar me dashuri të madhe në gjuhën shqipe dhe, po ashtu, t’i nderojmë studiuesit që janë marrë me studime gjuhësore të shqipes. Ju ftojmë ta vizitoni me fillim nga ora 8:00-20:00”, thuhet në njoftim./rtklive.com