Në ‘Reporting House’ më 7 mars u mbajt një diskutim në lidhje me formimin e Shtëpive-Shkolla gjatë viteve 1990, rëndësisë së tyre, rezistencës së shqiptarëve përmes këtyre objekteve si dhe të mësuarit në gjuhën shqipe gjatë asaj periudhe. Të ftuar për të folur për ngjarjen ishin Zijadin Gashi, Linda Gusia, Gresa Neziri dhe Vullnet Jakupi.
Në vitin 1989 me heqjen e autonomisë, Kosova humbi fuqinë ekzekutive edhe mbi arsimin. Kurrikulat dhe librat shkollor tashmë përcaktoheshin nga Beogradi, ndërkaq shtypja ndaj arsimit në gjuhen shqipe rrjedhimisht shqiptarëve u ashpërsua. Nxënës, studentë e mësimdhënës shqiptarë u përballen me dhunë policore; detyrime për të mësuar në gjuhen serbe dhe përjashtime masive nga puna. Përballë kësaj situate arsimi në Kosovë gjeti një strehë të re, shtëpitë shkolla, nëpër shtëpitë private qindra nxënës, mësimdhënës e familje shqiptare organizuan rezistencën përmes arsimit.
Në ‘Reporting House’ u mbajt një diskutim më 7 mars në lidhje me formimin e Shtëpive-Shkolla gjatë viteve 1990, rëndësisë së tyre, rezistencës së shqiptarëve përmes këtyre objekteve si dhe të mësuarit në gjuhën shqipe gjatë asaj periudhe.
Të ftuar për të folur për ngjarjen ishin: Zijadin Gashi (Kryetar i Këshillit të Arsimit në Komunën e Prishtinës nga viti 1990-1999), Linda Gusia (Ligjëruese në Departamentin e Sociologjisë dhe ish nxënësve e asaj periudhe), Gresa Neziri (bashkëthemeluese e projektit Shtëpitë-Shkolla nga organizata Space SyntaKs), Vullnet Jakupi (artist dhe kurator lokal nga Kosova).
Zijadin Gashi rrëfen idenë si u themeluan këto shkolla, nga nisi dhe cilët ishin hapat e parë që u ndërmorën gjatë viteve 90-ta duke mos anashkaluar indikatorët kryesor që e mundësuan këtë projekt.
“Shkollat nen udhëheqjen e personave që kanë punuar neper organet shtetërore dhe institucione edhe organet komunale u orientuan dhe u konsultuan. Të gjitha shkollat deklaruan se nuk do të punojnë ne planprogramet e Serbisë dhe nuk do të punojnë me tekste të Serbisë. Nga 1 janari i 1991, filluan të përjashtoheshin nga objektet shkollore, stafet që u përjashtuan së pari herë nga objektet shkollore ishin 2 shkolla të Podujevës, Obiliqt, shkolla e mesme e Lipjanit dhe një shkollë fillore në Pejë.”
Gashi thotë se pa Kushtetutën e Kaçanikut do të ishte shumë e vështirë sepse se paku ajo u krijonte një far lloj baze juridike mbi të cilën mund të vepronin.
“Kushtetuta e Kaçanikut na krijoi një bazë juridike për rezistencë. Udhëheqjen e arsimit në Kosovë e mori Kryesia e Lidhjeve të Arsimtareve Shqiptar por duke u konsultuar me të gjitha organet tjera. Në atë periudhë nxorëm dokumentacionin shkollor që u përdor edhe me tutje. Në këtë periudhë, pra gjatë viteve 1991-92, Enti Pedagogjik i Kosovës, zyrtarisht përpiloi planprogramin e Shtëpive-Shkolla”, tha ndër tjera Gashi.
Në anën tjetër Linda Gusia, tash ligjëruese në Fakultetin e Sociologjisë, dikur ish nxënëse ne njërin nga gjimnazet e kryeqytetit, rrëfen për këtë periudhë dhe rëndësinë që pati ajo periudhë, të cilën nuk guxojmë ta harrojmë.
“Mendoj që vitet e 90-ta janë shumë të rëndësishme, këto vite janë çelësi për ta kuptuar kompleksitetin edhe të çështjes së Kosovës por edhe të rezistencës. Është e rëndësishme që kolektivisht ta ri shikojmë ta ri mendojmë dhe të ri hulumtojmë të vërtetat. 90 janë vite jashtëzakonisht dinamike, vite me ndryshime të mëdha strukturore janë vite që sjellin ndryshime dramatike. Gjendja e shqiptarëve në ish-Jugosllavi nuk ka qenë asnjëherë e mirë, me Kushtetutën e 74-es, shqiptarët kishin më shumë të drejta në vetëqeverisje të organeve lokale, me ardhjen e Millosheviqit në pushtet sytë ishin tek Universiteti tek arsimi shqip”, thotë pos tjerash Gusia.
Për të gjithë ata që nuk kanë përjetuar periudhën e viteve 90 si nxënës të Shtëpive-Shkolla, organizata Space SyntaKs, ka themeluar një platformë online e cila u mundëson të gjithëve çasje në shumë materiale të grumbulluara. Në faqen shtëpitëshkolla.org ekzistojnë tregimet, arkivat me materiale të ndryshme, muzeu dhe një projekt.
Gresa Neziri nga kjo organizatë tregon se si u krijua kjo platformë, cili është qëllimi dhe rëndësia e kësaj platforme.
“Si organizatë kemi tentuar ta mbulojmë hendekun mes gjeneratave, si ekipë na ka prek shumë pak sistemi i viteve 90-ta kryesisht segregim sepse kemi qenë në arsim fillor gjatë asaj periudhe. Ne jemi rritur me perspektiven e arsimit në vitet 90-ta edhe nëse se kemi përjetuar direkt kemi të afërm që kemi dëgjuar rrëfime prej tyre. Kurioziteti të shtyn të gjesh material për atë periudhë e ato histori. Shtëpitë-Shkolla si fenomen edhe si projekt për ne ka qenë tipik që e ka ketë vizion të digjitalizimit dhe të dokumentimit trashëgimisë qoftë shpirtërore qoftë fizike të kësaj periudhe”, thekson Neziri.
Në projekt ndër të tjerash thuhet së kjo platformë poashtu ka përdorur hartën si mjetin kryesor për organizimin dhe komunikimin e të gjeturave mbi procesin e mësimit në ‘shtëpi-shkolla’, së pari për ta ilustruar shtrirjen hapësirore dhe së dyti për t’i dhënë mundësi edhe dokumentimit të hapësirave fizike të cilat janë shkatërruar.
Vullnet Jakupi, artist dhe kurator, i cili ka prezantuar nga puna e tij në Reporting House në lidhje me Shtëpitë-Shkolla, tregon për ambiciet e gjeneratave të pas luftës për të ruajtur identitetin sidomos human dhe arsimor të Kosovës, duke mos anashkaluar një pjesë të rëndësishme të gjithë rrugëtimit, periudhën e viteve 90.
“Jam rritur me një shtëpi ku persona prindërit e mi dhe gjeneratat para tyre kanë ardhur prej një tranzicioni siç ka qenë lufta në një pikëpyetje të madhe se çka me bë tash. Jam marrë me Shtëpitë-Shkolla sepse shtëpia e gjyshit ishte liruar për 7 vite për njërin nga fakultetet e Universitetit të Prishtinës. Jam rritur me rrëfime të tilla për vitet 90-ta, në praktikën time e kam ushqyer më shumë mbrojtjen e trashëgimisë njerëzore, idenë se qysh njerëzit krijojnë memorie specifike në disa hapësira që shumë më vonë demolohen”, shprehet Jakupi.
Ky diskutim publik, u mbajt sot në ish Objektin “Germia” më 7 mars për të nderuar rezistencën dhe përkushtimin e një brezi që nuk u dorëzua përballë shtypjes./Gazeta Express