Kërkesat e pritjet e përfaqësuesve të institucioneve kulturore mbesin pothuajse të njëjta edhe në këto zgjedhje. Të dielën, grevistët e Teatrit Kombëtar të Kosovës e kanë thyer “vendimin” për heshtje në fushatë zgjedhore përderisa kanë paralajmëruar se që sot (e hënë) do të vazhdojnë me planet dhe aksionet sindikale, pasi ka munguar reflektimi nga ana e Qeverisë. “Për ne është krejt e parëndësishme se kush qeveris, por e rëndësishme është qeverisja që kujdeset për teatrin...”, ka thënë anëtari i Këshillit Grevist, aktori Adrian Morina. Baleti Kombëtar i Kosovës ka kërkesa urgjente, e për Filharmoninë e Kosovës katërvjeçari i ardhshëm për skenën e kulturës do të duhej të përqendrohej në dy pika kryesore
Për pak ditë, greva e aktorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës hyn në muajin e katërt. Për menaxhmentin që do të udhëheqë me Ministrinë e Kulturës pas zgjedhjeve të së dielës, greva që ka defunksionalizuar TKK-në është prej çështjeve më urgjente. Për skenën kulturore, pos kësaj telasheje, rregullimi i infrastrukturës është kërkesa kryesore e njëkohësisht edhe pritja më e madhe. Për gati dy dekada, kushtet për prova, shfaqje e koncerte mbeten edhe premtimi kryesor i partive politike në prag zgjedhjesh.
Krijimi i kushteve, urgjencë për Baletin
Baleti Kombëtar i Kosovës është institucioni që aktualisht i ka hesapet më së rëndi sa i përket zhvillimit të veprimtarisë. Provat i mban pasdite në ambientet e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” përderisa për premiera në dy vjetët e fundit lëviz sa në hapësira me qira, sa në Obiliq e edhe në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Këtë të fundit ia lëshon Filharmonia e Kosovës që e ka vetë në shfrytëzim. Pas premierës “Hope” në fillim të këtij muaji, s’ka njoftime për repriza, shkaku i mungesës së hapësirës.
“Presim përmirësim të kushteve të punës. Kjo është më e rëndësishmja për Baletin Kombëtar të Kosovës”, ka thënë të dielën mbrëma drejtori i këtij institucioni, Sinan Kajtazi.
Problemet me hapësira për BKK-në kanë nisur në korrikun e vitit 2022, kur Ministria e Kulturës i vuri drynin ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Kosovës për ta dërguar në restaurim të plotë në emër të “rrezikut për staf e publik”. Janë dashur më shumë se dy vjet për projektim e lejet e nevojshme dhe puna nëpërmjet një kontrate 7-milionëshe ka nisur në vjeshtën e vitit të kaluar. Ndërtesa është shfrytëzuar nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar i Kosovës. TKK-ja funksionon në Amfiteatrin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit hapësira kjo që e ka kushtëzuar institucionin që të orientohet kryesisht në produksione më të vogla.
Por prej mesit të nëntorit të vitit të kaluar, aktorët e TKK-së janë në grevë pasi konsiderojnë se janë diskriminuar në koeficientet me paga. Kategoria e atyre që konsiderohen si “të parët e Teatrit” mban koeficient 8, përderisa kërkesat janë për 11. Prej hyrjes në grevë, kanë thënë të mos kenë pasur kontakt me Ministrinë e Kulturës. Gjatë një muaji të fushatës zgjedhore, Shoqata Sindikale e TKK-së ka heshtur.
Grevistët e Teatrit, pas zgjedhjeve në aksion
Të dielën mbrëma, anëtari i Këshillit Grevist, aktori Adrian Morina ka thënë se meqenëse kanë heshtur përgjatë gjithë fushatës duke mos dashur ta politizojnë grevën e përgjithshme, nga sot (e hënë) do të vazhdojnë me planet dhe aksionet sindikale, pasi ka munguar reflektimi nga ana e Qeverisë.
“MKRS-ja ka vërtetuar edhe njëherë se të gjitha deklaratat se ‘po punohet fort dhe është çështje kohe zgjidhja për kërkesat e aktoreve të TKK-së...’ kanë qenë deklarata boshe. Më datë 15, bëhen 3 muaj që TKK-ja është në grevë dhe ka paralizuar punën për shkak të mosrealizimit të kërkesave tona tash e dy vjet e gjysmë”, ka thënë Morina. Sipas tij, duket e pabesueshme për një shtet normal dhe aq më shumë për një Qeveri që proklamon se investon miliona në Teatër.
“Për ne është krejt e parëndësishme se kush qeveris, por e rëndësishme është qeverisja që kujdeset për teatrin dhe kryen punë e jo vetëm broçkulla e fasade. Qeveria që bën gabime dhe nuk e diskriminon Teatrin, duke e mbyllur, zhvendosur në bodrume, dhe mbi te gjitha një Qeveri që lejon artistet të grevojnë. Të paktën një Qeveri që i pranon gabimet dhe i përmirëson ato. Pra në pritje të kësaj lloj qeverisjeje greva vazhdon deri në realizim të plotë të kërkesave”, ka thënë ai.
Infrastruktura dhe koeficientet, dy pikat e para për Filharmoninë
Po në kompleksin e Pallatit të Rinisë dhe Sportit mban koncertet edhe Filharmonia e Kosovës. Salla e Kuqe dhe Atelieja janë hapësirat ku interpretojnë Orkestra dhe Kori i Institucionit. Çatia e Sallës së Kuqe nuk e mban ujin dhe tash e gati dy dekada Teatri i Operës dhe Baletit është premtim i partive politike. Më pak se një jave para zgjedhjeve u prezantua projekti i ri ideor i danezit Bjarke Ingels i punuar bashkë me një partner vendor. Shpejt u mor vesh se Ministria e Kulturës me Komunën e Prishtinës po përplasen për hapësirën prapa Pallatit të Rinisë ku ishte paraparë të ndërtohet Teatri i Operës dhe Baletit. Ministria ka ushtruar kallëzim penal ndaj Komunës, pasi institucioni lokal ka nisur një projekt urbanistik aty pa kërkuar pëlqim nga institucionet e trashëgimisë kulturore dhe cenon hapësirën e Teatrit bashkë me 2.5 milionë eurot për këtë projekt. E projekti i Komunës kushton 6.5 milionë euro. Tashmë dy kontratat janë të nënshkruara kurse lënda është në Prokurorinë Speciale. Ndërtesa potenciale do të ishte shtëpi e katër institucioneve si Baletit Kombëtar të Kosovës, Filharmonisë së Kosovës, ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota” dhe Operës së Kosovës.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se katërvjeçari i ardhshëm për skenën e kulturës do të duhej të përqendrohej në dy pika kryesore.
“Investimet në hapësirat e punës për institucionet qendrore me ritme më të shpejta dhe rregullimi i koeficienteve brenda Filharmonisë së Kosovës, pasi disa prej punëtorëve ende nuk i kanë të rregulluara. Duhet të vazhdojë mbështetja për institucionet qendrore, por njëkohësisht ato duhet të marrin më shumë përgjegjësi për ndërkombëtarizimin e aktiviteteve të tyre”, ka thënë ai. Sipas Selimajt, shpesh, institucionet kulturore përfaqësohen në ngjarje periferike, dhe kjo nuk duhet të mbetet praktikë.
“Sa u përket subvencioneve, mbështetja është e rëndësishme, por duhet të krijohen mekanizma monitorimi, të cilët aktualisht mungojnë”, ka thënë ai.
Kurse sa i përket trashëgimisë kulturore Sali Shoshi, i cili udhëheq me fondacionin kosovar, Trashëgimi Kulturore pa Kufij, (CHwB Kosova) gjatë javës së kaluar ka thënë se qasja duhet të ndryshojë krejtësisht.
“Do të duhej të ndërrohej krejtësisht qasja ndaj trashëgimisë. Nuk është veç barrë investimi, por edhe burim i të ardhurave për shoqërinë. Duhet menaxhim e program i qëndrueshëm që shoqëria ta ketë trashëgiminë si resurs zhvillimi. Kjo do të duhet të ishte qasja e re. Duhet ndërrim i krejtësishëm i vizionit”, kishte thënë ai.
Sipas Shoshit, deri tash ka pasur investime në aspektin teknik, në restaurim, por jo në funksionalizim si resurs për shoqërinë.
“Njerëzit në vendet ku jetojnë përkundër që kanë monumente përreth, nuk kanë ndonjë interaksion me to. Si rrjedhojë, motivi për të jetuar aty është i vogël. S’po them se trashëgimia është zgjidhja por mund të ndihmojë në bashkimin e njerëzve. U ndihmon njerëzve lokalë për t’u mbledhur për aktivitete të ndryshme”, kishte thënë ai. Kishte përsëritur se shpesh muzetë shihen si ndërtesa dhe nisin pa koncept të qartë se si duhet të jetë kurimi e çka do të prezantohet.
“Ndërtimi i ndërtesës së muzeut është e fundit që duhet të vijë në proces. Shpesh gabohet dhe ndërtesa nis e para. Shembull është Muzeu i Natyrës që ka nisur pa koncept dhe është ndalur. Jam ithtar i funksionalizmit të monumenteve aktuale, e jo i ndërtimit të ndërtesave të reja. Kjo është qasje që shihet në shumë vende”, kishte thënë ai./Koha.net