Gëzuar e Bekuar 28 nëntori, Festa e Flamurit të të gjithë shqiptarëve!
Gëzuar e Bekuar 28 nëntori, Festa e Flamurit të të gjithë shqiptarëve! 29.11.2024 | 03:30
Festa e Flamurit të Kombit Shqiptar nis nga 28 nëntori i vitit 1443 kur i madhi Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës, e shkon deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Redaksia shqipe e Radio Vatikanit, të gjithë patriotëve shqiptarë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron “Gëzuar Festën e Flamurit e të Pavarësisë”!
 
28 Nëntori – Dita e Flamurit të Kombit Shqiptar është festë që i bashkon shqiptarët anë e mbanë botës rreth idealit dhe vlerave që përbëjnë identitetin e një populli e kombi. Kjo e kremte tregon edhe udhën që kjo Datë e rëndësishme e historisë kombëtare, 28 Nëntir, ka shenjuar, që nga flamuri i Gjergj Kastrioti Skënderbeut më 1443 dhe deri te 28 nëntori i vitit 1912, kur Ismail Qemali ngriti Famurin Kombëtar në Vlorë dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë,  duke përuruar kështu rrugëtimin si një Shtet më vete, i shkëputur nga Perandoria Osmane.
 
 28 Nëntori nuk është një përvjetor i thjeshtë. Është kremtimi i idealeve dhe vlerave themelore të jetës, që përbëjnë identitetin, kulturën e udhën e shqiptarëve. Është kremtimi i të qenit shqiptarë, që pas shumë shekujsh gëzojnë e jetojnë në një shoqëri të pavarur e demokratike. Kështu, sot më 28 Nëntor, të gjithë shqiptarët, në trojet e tyre dhe kudo jetojnë e punojnë nëpër botë, kremtojnë me mirënjohje, krenari dhe emocion, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga perandoria otomane turke.
 
Sikur dihet, Pavarësia e Shqipërisë nga perandoria turke, mjerisht jo e të gjitha trevave shqiptare, u përgatit me vite e vite kryengritjesh, që filluan në viset e ndryshme Arbënore nga Malësia e Mbishkodrës, Mirdita dhe vende e vise tjera, për të përfshirë më vonë krejt Shqipërinë e atëhershme. U desh fillimi i Luftës së Parë Botërore dhe shkatërrimi i perandorisë së xhonturqve, që shqiptarët të kurorëzonin ëndrrën e viteve për një Shqipëri “më vehte, të lirë e të mosvarme”.
 
Kështu, si sot, më 28 nëntor tё vitit 1912, në Vlorë u ngrit Flamuri dhe u hap Kuvendi historik Kombëtar me 37 delegatë, por u deshën vite të tjera dhe përfaqësi në Kongrese e në kancelaritë e vendeve perëndimore, që Shqipëria të njihej si e tillë nga fuqitë dhe Shtetet e kohës. Prandaj, më 28 nëntor shqiptarët kujtojnë ngjarjen e 1912-tës qё ndodhi në Vlorë, ku u ngrit Flamuri Kombëtar i Kastriotëve, simbol i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave për një ardhmëri më të mirë të kombit shqiptar në gjirin e kombeve të përparuara të botës.
 
Dita e shpalljes së Pavarësisë, që përkujtohet çdo 28 Nëntor, pastaj, na nxit të meditojmë për vlerat që përmban e rrezaton Flamuri Shqiptar dhe fatet historike të Kombit shqiptar, me të cilat lidhen në mënyrë të pazgjidhshme edhe fatet e çdo shqiptari. E kujtimi që sot na çon në 28 Nëntorin e 1912-tës, na sjell në mendje e në zemër edhe rrugën e përshkuar gjatë  vjetëve e shekujve nga ata shqiptarë, që pa asnjë dallim, me përkushtim dhe bindje punuan e flijuan gjithçka, madje edhe jetën për Atë Ditë dhe për vlerat e patjetërsueshme që simbolizon Flamuri Kuq e Zi i Atdheut. Një kontribut domethënës, që çoi deri në shpalljen e pavarësisë së shqiptarëve nga pushtuesi otoman, dhanë edhe katolikët shqiptarë. 
 
Redaksia shqipe e Radio Vatikanit - Vatican News, të gjithë patriotëve shqiptarë e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, nga zemra u uron Festën e Flamurit Kombtar dhe Festën e Pavarësisë”!/Radio Vatikani
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave