Ndërmjetësi në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, që nga nesër nuk do të jetë më në këtë pozitë, për çka foli në një intervistë lamtumirëse.
Në këtë intervistë për Gazetën Nacionale, Lajcak tregoi për sfidat që i pati në dialog gjatë pesë viteve të fundit.
Lajcak tregoi se Kosova i ka ndërruar qëndrimet disa herë për Draft-Asociacionin dhe që, sipas tij, ka humbur mundësi të rëndësishme që nga viti 2023.
Intervista e plotë:
Nacionale: Pas gati pesë vitesh si lehtësues në dialogun Kosovë-Serbi për normalizimin e supozuar të marrëdhënieve, çfarë do të thoshit se keni arritur dhe çfarë ka mbetur pa u arritur në këtë proces?
Lajçak: Duke parë pesë vitet e fundit, vlerësimi im është i përzier. Kur e mora detyrën në prill 2020, deklarova se normalizimi është i mundur dhe nuk kërkon vite. Unë ende besoj se ky pohim qëndron me kusht që edhe Kosova edhe Serbia të jenë të gatshme të bëjnë përparim të shpejtë. Viteve të fundit, të dyja palët nuk kanë konsideruar se përfitimet e normalizimit ia vlejnë çmimin politik që duhet paguar në shtëpi. Shpresa ime e sinqertë është që kjo të ndryshojë tani e tutje.
Pra, teksa normalizimi i plotë është ende në pritje, me Marrëveshjen e Ohrit, ne arritëm maksimumin e mundshëm në rrethanat aktuale gjeopolitike, sipas meje. Ajo është marrëveshje historike dhe e vendos procesin e normalizimit në një trajektore shumë të qartë dhe largpamëse. Për herë të parë është përcaktuar shumë qartë se çka duhet të bëjë secila palë. Pra, çka mbetet është të zbatohet në të vërtetë.
Gjithashtu nuk duhet harruar se me Udhërrëfyesin për Energjinë, njohjen e targave dhe letërnjoftimeve apo Deklaratën Politike për Personat e Zhdukur dhe Komisionin e Përbashkët, arritëm të siguronim rezultate konkrete për personat më të prekur.
Por gjatë mandatit tim u përballëm edhe me shumë kriza, tensione, madje edhe dhunë dhe do të ishte e pandershme të thuhej se arritëm gjithçka që shpresonim.
Nacionale: Duke reflektuar në retrospektivë, cilat kanë qenë pengesat më të mëdha që keni hasur gjatë këtij procesi dhe që e dëmtuan ndjeshëm normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e Marrëveshjes? Nga ana pozitive, për çka e vlerësoni veten dhe palët për tejkalimin me sukses të këtyre pengesave?
Lajçak: Një nga pengesat më të mëdha është besimi inekzistent mes dy palëve. Kjo është arsyeja pse faza e zbatimit nuk ka filluar në thelb. Si Kosova ashtu edhe Serbia duan të jenë të sigurt se nëse bëjnë atë që u kërkohet të bëjnë, do ta marrin atë që u është premtuar, por në të njëjtën kohë askush nuk dëshiron të jetë ai që fillon të japë.
Sigurisht, retorika e nxehtë nga të dyja palët dhe dhuna në veri në vitin 2023, si dhe veprimet e rregullta kryesisht të pakoordinuara kundër strukturave dhe shërbimeve të mbështetura nga Serbia, nuk kanë kontribuar në rritjen e besimit mes tyre.
Nacionale: Tani, do të doja të kthehesha pas në kohë. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk kishte aspak pëlqim për ju kur keni marrë pozitën e lehtësuesit, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë mikpritës ndaj jush. Megjithatë, gjithçka ndryshoi dhe ai dhe partia e tij ju kthyen në goxha armik brenda vendit. Çfarë ndodhi që u bëtë caku kryesor i sulmeve të tyre?
Lajçak: Mendoj se kjo nuk është një pyetje që unë duhet t’i përgjigjem. Si ndërmjetësues, kam përfaqësuar pikëpamjet dhe qëndrimet e Bashkimit Evropian dhe kam vepruar si mbrojtës i Marrëveshjeve ekzistuese të Dialogut, të cilat kryesisht i kam trashëguar. Kjo ka nënkuptuar gjithashtu se ndonjëherë më duhej të dërgoja mesazhe, të cilat nuk ishin ato që Palët donin të dëgjonin dhe ndonjëherë mund të dukej më e lehtë që caku të bëhej një individ ose personi që jepte mesazhin. Nuk e marr personalisht. Nëse dëshironi të krijoni një ide se cili është pozicioni i BE-së, i miratuar nga të 27 shtetet anëtare të BE-së, Konkluzionet e fundit të Këshillit për Zgjerimin të dhjetorit 2024 janë një pikënisje e mirë. Ato janë mjaft të qarta dhe si Lehtësues pritej t’i ndiqja këto udhëzime.
Jam krenar që gjatë gjithë mandatit tim kam gëzuar besimin dhe mbështetjen e shteteve anëtare të BE-së, PL/ZP-së dhe partnerëve tanë amerikanë.
Nacionale: Kujtojmë që menjëherë pas takimit të fundit të nivelit të lartë në shtator 2023, kryeministri mbajti një nga konferencat e tij më të ashpra për shtyp, ku shkoi aq larg sa t’ju akuzonte (bashkë me zotin Borrell) për “bashkëpunim me Serbinë dhe Rusinë” për të materializuar vetëm “gjysmën e Marrëveshjes së Ohrit”, pra “…Asociacionin”. Ai madje i dërgoi letra Departamentit Amerikan të Shtetit për ta argumentuar këtë. A mund të ndani me audiencën kosovare se çfarë ndodhi në të vërtetë atje, pasi që ne kemi dëgjuar vetëm versionit e tij?
Lajçak: Në takimin e nivelit të lartë të datës 14 shtator 2023, u diskutua për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit. Unë u propozova palëve që ta zbatojnë Marrëveshjen duke ndjekur një qasje hap pas hapi, të ashtuquajturin plan sekuencial.
Si hap i parë, ne i propozuam Kosovës dërgimin e Draft-Statutit Evropian në Gjykatën Kushtetuese, siç parashihet me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2015 dhe po ashtu të kërkuar nga vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Siç e dini, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim i kahershëm – dhe ende i paplotësuar – i Kosovës sipas të drejtës ndërkombëtare. Ky obligim ka ekzistuar që përpara Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe buron nga Marrëveshja e Parë e Brukselit (e vitit 2013) që ishte lidhur vullnetarisht nga qeveria e Kosovës. Është e rëndësishme të kuptohet se asgjë e keqe apo kërcënuese për Kosovën nuk do të mund të dilte nga bartja e Draft-Statutit Evropian në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese është gardiane e Kushtetutës së Kosovës dhe për këtë arsye nuk do të vendoste kurrë në një mënyrë që do ta dëmtonte Kushtetutën e Kosovës. Në vend të kësaj, mbështetja e Draft-Statutit Evropian dhe dërgimi i tij në Gjykatën Kushtetuese do të ishte një hap i vogël që, në këmbim, do të prodhonte përfitime të rëndësishme për popullin e Kosovës, siç është njohja e dokumenteve të Kosovës nga Serbia.
Nuk mund të shkoj më tej se kaq pasi që do të ishte joprofesionale të zbuloja se çfarë ndodhi pas dyerve të mbyllura.
Nacionale: Katër muaj më vonë, në janar 2024, kryenegociatori Besnik Bislimi, duke folur për një medium lokal serb, dukej se ofronte një pamje më pozitive. Ai tha se gjithçka po rregullohej: Kosova do ta miratonte draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe kundrejt pranimit nga Serbia të obligimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit/Ohrit. Menjëherë pas kësaj, nga pala kosovare pasuan një mori kushtesh – edhe pse deklaratat premtuese të Bislimit ishin katër muaj pas Bansjkës, një muaj pas letrës së Ana Brnabiqit dhe nuk përmendej “nënshkrimi dypalësh i Marrëveshjes”. Si ta qartësojmë këtë konfuzion dhe t’i kuptojmë këto mospërputhje?
Lajçak: Për të qenë i sinqertë, qëndrimi i Kosovës për Draft-Statutin Evropian ka ndryshuar kaq shumë herë që nga fundi i vitit 2023, saqë ndonjëherë ka krijuar konfuzion. Në tetor të vitit 2023, kryeministri Kurti tha se do ta pranonte Draft-Statutin Evropian në versionin aktual, me kusht që Draft-Statuti Evropian, së bashku me Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj, si “pako e marrëveshjes” të nënshkruhej nga të dyja palët. Presidentja gjithashtu më dërgoi komente të detajuara në tetor 2023, të cilave iu përgjigja.
Veç një muaj më vonë, ai pohoi se, megjithëse Draft-Statuti Evropian ishte shkruar “me kujdes ndaj germës së Kushtetutës” dhe kishte respektuar funksionimin e Kosovës si shtet i pavarur, ai ende nuk e kishte pranuar zyrtarisht atë. Mirëpo, ai tha gjithashtu se ishte ofruar ta nënshkruajë dhe në këtë mënyrë ta pranojë.
Nja dy muaj më vonë, kryeministri tha se e konsideronte draft-statutin evropian si një “non-paper” ose thjesht një “propozim xhentëlmenësh”, se autorët e Draft-Statutit Evropian ishin të panjohur për të dhe se ai nuk mund ta përpunonte zyrtarisht një “non-paper” – i njëjti dokument që ai ishte gati ta firmoste dhe zbatonte vetëm disa muaj më parë.
Vetëm për të qenë i qartë – Draft-Statuti Evropian iu prezantua të dyja palëve në tetor 2023 nga unë, së bashku me këshilltarët kryesorë për politikën e jashtme të presidentit francez, kancelarit gjerman dhe kryeministrit italian, si dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Escobar.
Palëve iu shpjegua se si ishte hartuar ky dokument (përmes një procesi të elaboruar me mbështetjen dhe ndihmën e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe me kontributin e ekspertëve të pavarur ligjorë ndërkombëtarë dhe opinionin e ekspertëve të çështjes nga Këshilli i Evropës). Siç e thotë edhe emri, Draft-Statuti Evropian është një draft që duhet diskutuar dhe mundësisht përshtatur. Asnjëherë nuk ishte menduar si propozim “merre ose lëre”. Ne ua propozuam shumë herë të dyja palëve që ta diskutonin Draft-Statutin Evropian dhe unë ofrova të ftoja ekspertët ligjorë që konsultuam, në mënyrë që ata ta shpjegonin arsyetimin. Fatkeqësisht, vetëm Serbia e pranoi këtë propozim dhe dërgoi ekspertë në Bruksel për diskutime të hollësishme në bazë të Draft-Statutit Evropian. Kosova nuk e pranoi ofertën e bërë në të njëjtën kohë. Kjo është për të ardhur keq pasi që teksti mund të përmirësohet vetëm me kontributin e palës kosovare.
Nacionale: Në lidhje me Banjskën: Si ndodhi që ndërkohë që po zhvillohej një proces i normalizimit të marrëdhënieve, ne pamë një sulm paraushtarak dhe terrorist në vend – që shumëkush e pa si një tentative të ngjashme me Krimenë? Çfarë ka bërë BE-ja për të kërkuar llogaridhënie nga Serbia, marrë parasysh se, në disa raste, SHBA (Gabriel Escobar, Jim O’Brien) përmendën lidhjet “organizative dhe logjistike” që arrinin deri në shtetin serb? Pse nuk ka masa ndëshkuese? Pse nuk kemi parë asgjë që iu afrohet sanksioneve?
Lajçak: BE-ja e komunikoi qëndrimin e vet për Banjskën në terma shumë të qartë. Unioni e dënoi ashpër sulmin terrorist dhe bëri thirrje që kryesit e njohur të sillen para drejtësisë nga Serbia. Është e papranueshme që kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Çdo hap i mëtejshëm ishte – dhe është ende – në duart e shteteve anëtare të BE-së.
Nacionale: Për t’iu kthyer zbatimit të Marrëveshjes: Ju keni thënë – dhe me të vërtetë e kanë thënë edhe shumë nga aleatët e Kosovës – se fajin e ka pala kosovare që nuk e ka ndërmarrë “atë hap të vogël” për miratimin e draft-statutit të Asociacionit. Krenaria kryesore e Kurtit është se ai e ka “sovranizuar” veriun dhe ka refuzuar draft-statutin, për të cilin ju akuzon se nuk e keni nënshkruar “ndryshe nga dokumentet e tjera që Lajçak më ka dërguar, të nënshkruara… këtë jo.” Çka do të bëhet me këtë draft-statut pas përfundimit të mandatit tuaj? A do të hiqet, siç do kjo qeveri ta besojë publiku?
Lajçak: Veç e kam përmendur se mbështetja e Draft-Statutit Evropian dhe përcjellja e tij në Gjykatën Kushtetuese është një hap i rëndësishëm. Pas përcjelljes, i takon Gjykatës Kushtetuese ta vlerësojë, të vendosë ose të kërkojë potencialisht rregullime.
Sa për kërkesën për nënshkrim, duhet ta pranoj që nuk e kam kuptuar kurrë. Pse do të ishte në interes të Kosovës që ky dokument i brendshëm ligjor i Kosovës të nënshkruhet nga Serbia apo nga unë? Unë nënshkruaj letra, por asnjë nga marrëveshjet nuk është nënshkruar nga unë dhe sigurisht që nuk e kam nënshkruar një draft siç është Draft-Statuti Evropian.
Unë jam ende i bindur se Draft-Statuti Evropian është alternativa më e mirë aktualisht në dispozicion për të dyja palët. Kjo u pranua formalisht edhe nga Këshilli i BE-së [Këshilli për Çështje të Përgjithshme në dhjetor 2023], ku të 27 shtetet anëtare të BE-së kërkuan në mënyrë eksplicite nga Kosova që të ndërmarrë hapin e ardhshëm dhe ta dërgojë Draft-Statutin Evropian në Gjykatën Kushtetuese. Prandaj, nuk mendoj se thjesht do të zhduket. Siç nuk do të zhduket obligimi i Kosovës për ta themeluar Asociacionin. Respektimi, sipas të drejtës ndërkombëtare, i obligimeve tuaja që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 dhe 2015 dhe Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023, të cilën ju ose një nga paraardhësit tuaj e kishit lidhur vullnetarisht, është baza e respektimit të sundimit të ligjit.
Nacionale: Cilat ishin (dhe cilat do të ishin) pasojat që pësoi (dhe do të pësojë) Kosova – përtej të ashtuquajturave ‘masa ndëshkuese’ dhe bllokadës për t’iu bashkuar KiE-së – për refuzimin e zbatimit të Marrëveshjes për të cilën u zotua?
Lajçak: Nuk dua të spekuloj për masa apo pasoja. Mendoj se Kosova humbi disa mundësi të rëndësishme që nga vera e vitit 2023 dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Teksa konsideroj se ka pasur arsye pse janë vendosur masat ndaj Kosovës, jam i mendimit se ato ishin dashur të hiqen pas Banjskës në solidaritet me Kosovën. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi. Ish PL/ZP rekomandoi heqjen e masave, por kjo kërkon konsensusin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Për t’i bindur ata që mund të jenë pak më skeptikë, qeveria e Kosovës do të duhet të bindë shtetet anëtare se është serioze për de-përshkallëzimin.
Çka mendoj se është më e rëndësishme është të flasim për atë që Kosova mund të përfitojë në të vërtetë nga zbatimi i obligimeve të veta – qoftë financiarisht pasi që kjo jo vetëm do të zhbllokonte fondet e BE-së, por do të çonte në fonde shtesë, përparim në integrimin në BE dhe integrim në organizata të tjera, përmirësim të marrëdhënieve tuaja me partnerët dhe miqtë tuaj më të afërt, të cilat janë tensionuar së fundmi dhe sigurisht, në ringritjen e besimit të qytetarëve tuaj.
Do të thosha se fakti që kemi një lidership të ri të BE-së dhe një Përfaqësues të ri të Posaçëm për Dialogun, duhet parë si një mundësi për Kosovën dhe Serbinë. Por duke vazhduar me të njëjtat pozicione nuk do t’i fitoni zemrat dhe mendjet e miqve dhe mbështetësve tuaj.
Nacionale: Me kaq shumë pasiguri tani në horizont – një ndryshim në administratën e SHBA dhe në BE – çka do të bëhet me dialogun që keni lehtësuar, Marrëveshjen e përfunduar nën ju dhe të gjithë procesin? A do të jetë prioritet, apo do të thoni se u humbën disa shanse të fundit?
Lajçak: PL/ZP Kaja Kallas e ka thënë qartë se Dialogu është prioritet për të, se ajo do të angazhohet personalisht dhe se kjo kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023. Këtë ia ka thënë edhe kryeministrit Kurti, edhe presidentit Vuçiq kur i ka takuar në Bruksel në dhjetor të 2024-ës në disa nga takimet e saja të para. Për më tepër, fakti që ajo sapo emëroi Peter Sorensen si Përfaqësuesin e ardhshëm të Posaçëm të BE-së flet gjithashtu për interesin e saj të madh për ta çuar përpara këtë proces.
Të gjitha shtetet anëtare të BE-së vazhdimisht bëjnë thirrje për zbatimin e Marrëveshjes dhe nëse lexoni mandatin e pasardhësit tim, Peter Sorensen, do të shihni se kjo përmendet në mënyrë eksplicite. Pra, kjo nuk ka si të shmanget dhe ndërkohë është humbur shumë kohë.
Natyrisht, do të duhet të shohim si të bashkëpunojmë më mirë me partnerët tanë amerikanë. Së bashku ndajmë interesin për stabilitetin, prosperitetin dhe integrimin euroatlantik të rajonit. Ajo që është arritur në Ballkan në të kaluarën është falë bashkëpunimit tonë më të ngushtë pa marrë parasysh administratën.
Nacionale: Teksa Marrëveshja i është bashkuar Kapitullit 35 të negociatave të anëtarësimit të Serbisë dhe është bërë ligjërisht e detyrueshme për sa i përket integrimeve evropiane, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me Grupin e Posaçëm të Kosovës për Normalizim. Pse jo? Dhe çfarë e bën këtë Marrëveshje të domosdoshme për Kosovën?
Lajçak: Në përputhje me Aneksin e Zbatimit, i cili ka paraparë që Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit të bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit në BE të të dyja palëve, unë caktova një takim të Grupit të Posaçëm për Normalizim më 21 maj 2024 për ta përditësuar agjendën. Fatkeqësisht, Kosova nuk ishte në pozicion të merrte pjesë. Duke qenë se Kosova e bashkë-kryeson takimin së bashku me mua, nuk mund të vazhdoja me takimin. Në vend të kësaj, dhe me kërkesë të qartë të shteteve anëtare, ekipi im i informoi shtetet anëtare të BE-së për rekordet e Kosovës në zbatimin e zotimeve të Dialogut në korrik 2024. Natyrisht, shtetet anëtare do të kishin qenë po aq të interesuara ta dëgjonin Kosovën në të njëjtën kohë.
Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit përfshin kaq shumë përfitime konkrete për popullin e Kosovës, siç është njohja e të gjitha dokumenteve të Kosovës nga Serbia dhe moskundërshtimi i Serbisë ndaj anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Teksa nuk është ende marrëveshja përfundimtare e normalizimit – siç e thotë emri, është një hap – i rëndësishëm – në rrugën që të çon drejt normalizimit. Ajo i afron palët me normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit do ta afronte edhe Kosovën me qëllimin e deklaruar për t’u bërë anëtare e BE-së.
Nacionale: Ndaj jush janë hedhur dyshime të rënda shkaku se vini nga një vend që nuk e njeh Kosovën. Kjo i bëri njerëzit të besonin automatikisht – dhe u theksua nga partia në pushtet – se ju ishit “të njëanshëm”. Tani, në fund të mandatit tuaj, cili është qëndrimi juaj për “njohjen reciproke” që Kosova dëshiron të jetë në qendër të të gjitha bisedimeve me Serbinë dhe si finale e këtij procesi?
Në pozitën time, unë nuk përfaqësoja vendin nga jam, por pikëpamjet e Bashkimit Evropian në tërësi. Sigurisht, është gjithmonë arsyetim i lehtë që të sulmohet lajmësi kur nuk pëlqehet mesazhi.
Mandati im ka qenë gjithmonë shumë i qartë – ta çoj deri në fund këtë proces – jo një zgjidhje të përkohshme – dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, ky është një përshkrim shumë i qartë i asaj për të cilën po punojmë. Pra, pavarësisht se si dëshironi ta quani, ajo që unë nuk arrij ta kuptoj është që nëse jeni kundër normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë – dhe aktualisht gjendja e marrëdhënieve është shumë larg prej normalizimit – si dëshironi të arrini deri te njohja?
Nacionale: Për fund, pasardhësi juaj po bëhet gati. Cilat janë pritjet tuaja prej tij dhe a do ta vazhdojë ai procesin pikërisht nga pika ku e latë ju?
Lajçak: Peter Sorensen është diplomat me përvojë dhe me njohuri të gjera për rajonin. Ai është zgjedhje e mirë. Por, në fund të fundit, nuk varet prej tij sa shpejt ecën procesi, por prej Kosovës dhe Serbisë. Ky është procesi juaj, është rruga që ju çon drejt integrimit në BE. Pa të, integrimi në BE nuk do të ndodhë. Prandaj, rekomandimi im për palët është që të mos humbin kohë të çmuar. Populli juaj meriton të jetë pjesë e BE-së dhe ju i keni zgjedhur liderët tuaj për ta përmbushur këtë premtim. PL/ZP dhe Peter janë këtu për t’ju ndihmuar që ta largoni këtë pengesë, e cila nuk po e lë Kosovën dhe Serbinë të ecin para. Mos e humbisni këtë mundësi që ju pret.