Fjalimi i imzot Juan Antonio Cruz Serrano në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Skllavërisë dhe të Tregtisë Transatlantike të Skllevërve, që kremtohet çdo vit më 25 mars. Ngjarja përkoi me Javën VIII ndër-amerikane të njerëzve me prejardhje afrikane në Amerikë
Edukim “moral, shoqëror dhe shpirtëror” për të çrrënjosur skllavërinë. Ky është impenjimi i përbashkët i kërkuar nga Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Shteteve Amerikane (OSA), imzot Juan Antonio Cruz Serrano, i cili foli më 25 mars, në Uashington, në sesionin e jashtëzakonshëm të Këshillit të Përhershëm të organizatës kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Skllavërisë.
Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në Organizatën e Shteteve Amerikane (OSA) vuri në dukje me dhimbje se plaga e skllavërisë nuk "është diçka vetëm e së kaluarës": "për fat të keq, vazhdon të ndodhë" edhe sot, në disa vende. Nëse “i mbyllim sytë dhe veshët” para këtij fenomeni, do të jemi “bashkëpunëtorë”, shtoi ai, duke përmendur paralajmërimet e Papës për këtë çështje. "Skllavëria e kthen njeriun në mall, vlera e të cilit reduktohet vetëm në faktin se është i dobishëm për dikë, ose për diçka", siç pati thënë Papa Françesku në vitin 2023 e, edhe më parë, në Letrën enciklike “Fratelli Tutti” të vitit 2020, ku nxit të kujtohen "gjithmonë", "pa lodhur dhe pa u anestetizuar", persekutimet, tregtia e skllevërve dhe spastrimet etnike të sotme e të djeshme.
Njohja, drejtësia, zhvillimi
Me rastin e Ditës kundër Skllavërisë, imzot Cruz Serrano kërkoi të bëhet një punë më e madhe për ndërgjegjësimin e shoqërisë, me një koordinim më të mirë ndërmjet qeverive, autoriteteve gjyqësore e legjislative dhe punonjësve socialë. Dita përkoi me Javën VIII ndër-amerikane të njerëzve me prejardhje afrikane në Amerikë, me temë "Unë kam një ëndërr, njohje, drejtësi, zhvillim", frymëzuar nga Martin Luther King dhe shprehja e famshme e tij: "I have a dream (Unë kam një ëndërr)". Përpjekjet për të eliminuar skllavërinë, si dhe shumë plagë të tjera të botës bashkëkohore, duhet të jenë "unanime", në kuadrin më të gjerë të punës për të "filluar procese", që çojnë në paqe e harmoni midis popujve, duke vendosur në qendër dinjitetin e njeriut, nënvizoi imzot Serrano.
Arsimi dhe formimi
Selia e Shenjtë, në impenjimin e saj për të garantuar "kushte të përshtatshme arsimimi dhe formimi", bën thirrje për një një edukim "moral, shoqëror dhe shpirtëror" të aftë për të përfshirë edhe "përvojën e re dhe të ndryshme të atyre sektorëve të shoqërisë", që shpesh "janë bërë të padukshëm e të heshtur", si në rastin e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore. Në përfundim, delegacioni i Selisë së Shenjtë falënderoi të pranishmit për afërsinë, që i kanë shprehur gjithmonë Papës, edhe gjatë shtrimit të tij në spital./RadioVatikani