Kryeipeshkvi Ettore Balestrero, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare në Gjenevë, gjatë një diskutimi të Grupit të Ekspertëve Qeveritarë, preku temën e ndalimit të armëve, duke përsëritur se armatimet e udhëhequra nga Inteligjenca Artificiale nuk duhet "të zgjidhen kurrë për t’i marrë jetën një qenieje njerëzore".
Për Selinë e Shenjtë, duhet siguruar "me urgjencën më të madhe" një "mjet i fortë, ligjërisht i detyrueshëm" që ndalon përdorimin e të ashtuquajturave "armë autonome vdekjeprurëse" e, ndërkohë, "të vendosë një moratorium të menjëhershëm për zhvillimin dhe përdorimin e tyre".
Këtë nënvizoi Kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero,Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave ndërkombëtare në Gjenevë, në fjalimin e tij, në sesionin e dytë të takimit të Grupit të Ekspertëve Qeveritarë (GGE) 2024 mbi teknologjitë në zhvillim në sektorin e armëve autonome vdekjeprurëse (Laws), që vijon në qytetet zvicerane, nga 26 deri më 30 gusht.
Fjalimi i Papës në G7 mbi Inteligjencën Artificiale
Duke cituar fjalimin e Françeskut mbi Inteligjencën Artificiale, drejtuar krerëve të G7 mbledhur në Itali, në Borgo Egnazia, më 14 qershor, Balestrero kujtoi se Papa u kërkoi të "rishqyrtojnë zhvillimin dhe përdorimin e pajisjeve të ashtuquajtura ‘armë autonome vdekjeprurëse’ dhe, së fundi, ta ndalojnë përdorimin e tyre. Kjo nis nga angazhimi efektiv dhe konkret për të ushtruar kontroll njerëzor gjithnjë e më të madh dhe më të përshtatshëm. Asnjë makinë nuk duhet të ketë kurrë të drejtë t'i marrë jetën një qeniejeje njerëzore! Për prelatin, megjithatë, sot fushat e betejës "po bëhen gjithashtu terrene provash për armë gjithnjë e më të sofistikuara".
Makina zgjedh, njeriu vendos me zemër
Për këtë arsye, imzot Balestrero kujtoi ndryshimin ndërmjet "zgjedhjes" dhe "vendimit". Gjatë fjalimit të tij në G7, në Borgo Egnazia, Papa, duke nënvizuar se makinat kufizohen në prodhimin e zgjedhjeve teknike algoritmike, kujtoi se "qenia njerëzore, megjithatë, jo vetëm që zgjedh, por në zemrën e tij është i aftë edhe të vendosë". E ky është elementi më strategjik i një zgjedhjeje, sepse kërkon vlerësim praktik. Më tej, vazhdon Papa Françesku, “vendim etik është ai që ka parasysh jo vetëm rezultatet e një veprimi, por edhe vlerat në lojë dhe detyrat, që pasojnë”.
Për këtë arsye, duke cituar rishtas fjalimin e Papës, kryeipeshkvi përsëriti se për Selinë e Shenjtë është e nevojshme "të sigurohet dhe të ruhet një hapësirë për kontrollin e duhur njerëzor mbi zgjedhjet e bëra nga programet e inteligjencës artificiale: nga kjo varet vetë dinjiteti njerëzor".
Progresi teknologjik duhet t'i shërbejë të mirës së përbashkët
Përfaqësuesi i Vatikanit nënvizoi më pas se "ndërgjegjësimi për shqetësimet etike të ngritura nga përdorimi i inteligjencës artificiale si armë" po rritet në botë. Kjo dëshmohet edhe nga roli drejtues që i është caktuar konsideratave etike në konferencën e fundit “Njerëzimi në udhëkryq: sistemet autonome të armëve dhe sfida e rregullimit” mbajtur në Vjenë, më 29 dhe 30 prill 2024.
E përfundoi duke kujtuar se “zhvillimi i armëve gjithnjë e më të sofistikuara sigurisht nuk është zgjidhje". Përfitimet, që njerëzimi mund të nxjerrë nga përparimi aktual teknologjik do të varen, siç shkruan Françesku në Enciklikën Laudato si', "nga masa me të cilën ky përparim do të shoqërohet nga zhvillimi i përshtatshëm i përgjegjësisë dhe vlerave që vendosin progreset teknologjike në shërbim të zhvillimit njerëzor integral dhe të së mirës së përbashkët”./Radio Vatikani