“Këtë vit mos këput asgjë për dashurinë, më mirë hidh rrënjët dhe shih të rritet ndër vite…”
Nën këtë moto dhjetëra çifte të reja në kryeqytet iu bashkuan në Ditën e të Dashuruarve nismës së Bashkisë së Tiranës duke mbjellë 200 pemë të reja, si simbol i dashurisë së tyre, por edhe duke i dhuruar njëkohësisht qytetit më shumë oksigjen.
Mes çifteve që zgjodhën të përjetësojnë dashurinë e tyre në 14 Shkurt ishin edhe emrat e njohur të skenës dhe të ekranit, si këngëtarët Alban Skënderaj dhe Miriam Cani, Fotinia dhe Danieli, Venera Lumani dhe Lindi Islami, Ermira Causholli dhe bashkëshorti i saj Arditi, të cilët së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, mbollën nga një pemë tek Kopështi i të Dashuruarve në Farkë.
“Jam shumë i lumtur sot që, në këtë ditë fantastike, na u bashkuan disa nga të dashuruarit më simpatikë dhe më të mirë të qytetit. Ndaj jam i kënaqur që miqtë e mi më të mirë, Albani e Miriami mbollën një pemë jo vetëm për dashurinë, por edhe për vajzën e tyre, një engjëll i qytetit tonë. Unë besoj se kush është artist i mirë është edhe qytetar i mirë”, tha Veliaj.
Ai u shpreh se duke treguar dashurinë me një dhuratë si mbjellja e një peme, e cila do të rritet, qytetarët kanë mundësi që t’i lënë gjeneratës tjetër më shumë gjelbërim dhe më shumë oksigjen. “Gjëja më me vlerë që mund t’i lëmë si pajë gjeneratës tjetër është më shumë oksigjen, gjelbërim. Kur pema të rritet dhe të jemi bërë gjyshër, fëmijët tanë, nipërit dhe mbesat, të thonë se kur prindërit e mi ishin të rinj i lanë diçka qytetit, që unë mund të vij e ta vizitoj dhe të ndihem krenar për kontributin e tyre”, tha Veliaj, teksa shtoi se Parku i Farkës po merr një pamje krejt tjetër nga ajo e dy viteve më parë, kur ishte një shkretëtirë e mbushur me inerte.
Këngëtari Alban Skënderaj përgëzoi Bashkinë e Tiranës për nismën e dobishme për qytetin dhe të ardhmen e tij. “Në ditën e Shën Valentinit, ku simbolikisht promovohet dashuria, dua të them se dashuria për natyrën është jashtëzakonisht primare, sepse është burim i jetës, është gjithçka për ne. Kjo është një mënyrë e vogël për t’u treguar të përgjegjshëm për të ardhmen e fëmijëve tanë, sepse ajo që jemi dhe bëjmë sot, është pjesë e asaj që do vijë në të ardhmen. Simbolikisht, kjo ka një domethënie shumë të madhe, ndaj e falenderoj Erionin dhe stafin e tij, që duket që përtej profesionit i bën me zemër dhe kjo është një gjë jashtëzakonisht e rëndësishme për një projekt kaq të madh”, tha Skënderaj.
Miriam Cani theksoi se në një ditë simbolike si kjo e sotmja është shumë bukur të tregosh dashurinë jo vetëm ndaj partnerit, por edhe ndaj natyrës e vendit. “Në rastin tonë ky është një investim i vogël. Duke qenë se jemi prindër e ndiejmë edhe më shumë për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e nismës”, u shpreh ajo.
Kryebashkiaku Veliaj falenderoi edhe çiftin Ermira Causholli dhe bashkëshortin e saj Arditi, që në këtë ditë të shënuar zgjodhën të japin një shembull fantastik dhe të shërbejnë si frymëzim për fëmijët. “Rikthimi i fokusit tek fëmijët, qoftë ata që punojnë në media, qoftë ata që menaxhojnë qytetin, e ka bërë qytetin më të ndjeshëm, që të mendojë më shumë për gjeneratën e ardhshme, se sa për zgjedhjet e ardhshme. Ndaj, i jam asaj shumë mirënjohës edhe familjes së saj, bashkëshortit, fëmijëve që na janë bashkuar në këtë fushatë. Të falënderoj Mira për shembullin fantastik dhe frymëzimin tek fëmijët, se unë kam vënë bast që ky qytet e ka të ardhmen më të mirë falë tyre”, tha Veliaj.
Prezantuesja e njohur televizive ftoi që kësaj nisme të suksesshme të mbjelljes së pemëve të reja në qytet t’i shtohen edhe qindra qytetarë të tjerë.
“Ftoj të gjithë ata që festojnë sot, në Ditën e të Dashuruarve, të vijnë të mbjellin pemë për të çelur përherë zemra. Dua që të gjithë ata që duan të bëjnë dhurata dhe që duan që pema e tyre të çelë gjithmonë, e të mos thahet kurrë, të vijnë të bashkohen me nismën tuaj dhe ta bëjnë këtë qytet me sa më shumë oksigjen dhe me sa më shumë jetë e dashuri”, nënvizoi Causholli.
Për Ditën e të Dashuruarve, Bashkia e Tiranës ka organizuar dhe një sërë aktivitetesh ku qytetarët do të kenë mundësi që të kalojnë një ditë ndryshe krah njeriut të tyre të zemrës. /Panorama/