Autori i njohur i letërsisë botërore Salman Rushdie, ka dhënë një intervistë për prestigjiozen The Guardian, ku ka treguar për jetën private, për rutinën e tij si për lansimin e librit të tij të ardhshëm, shkruan KultPlus.
Ndër të tjera, në këtë intervistë vërehet një ironi e hollë e autorit, ndërkaq edhe humori i tij është i theksuar.
Më poshtë keni intervistën e Rushdies.
Kur keni qenë më i lumtur?
Ndihem mjaft i lumtur tani, megjithëse pandemia është problem. Virusi më preku shpejt dhe nuk isha mirë, për gati dy javë e gjysmë. Nuk pata simptomat më të rënda dhe çdo ditë e më shumë, e kuptoj se jam nga njerëzit që ishin me shumë fat.
Kujtimi më i hershëm?
I mbështetur në supet e tim eti në Bombay, duke parë Sherpa Tenzing Norgay-n, ndërsa përshëndet me dorë nga makina, pas ngjitjes së parë të Everestit.
Tipari që urreni më shumë te të tjerët?
Të qenit të pandershëm.
Çasti më i vështirë?
Është kaq i vështirë, sa nuk thuhet.
Sendi më i çmuar që keni?
Një shufër e vogël argjendi, tri centimetra e gjatë. Daton në qershorin e vitit 1947 dhe në të është gdhendur harta e pacopëtuar e Indisë. Ma dhanë një ditë pasi linda, ndaj është sendi më i hershëm që kam.
Kujt do t’ia besonit rolin, në filmin e jetës tuaj?
Herën e fundit që më bënë këtë pyetje, thashë: “Johnny Depp-it, për shkak të ngjashmërisë së madhe fizike” – dhe gazetari i tabloidit, mendoi se e kisha seriozisht.
Cila është fjala e parapëlqyer, për ju?
“Fund”. Janë dy fjalë: edhe “ndjesë”.
Çfarë u detyroheni prindërve?
Pikëpamjen laike, e kam falë babait. Nënës time, i detyrohem për gjithçka tjetër.
Cili libër, ju ka ndryshuar jetën?
“Liza në botën e çudirave”… ose, ndoshta një libër humoristik për Supermenin. Këta më ngjitën virusin e leximit dhe kjo çoi në mënyrë të pashamngshme tek ai i të shkruarit.
Çfarë donit të bëheshit kur të rriteshit?
Shkrimtar, më vjen keq ta them… E mërzitshme ta dëgjosh, e di, por kjo është e vërteta.
Fjala më e rëndë, që ju ka thënë dikush?
Kur isha rreth 22 vjeç, isha i ftuar në një mbrëmje mode në Chelsea. Më prezantuan me një stilist të njohur, i cili, menjëherë më ktheu shpinën dhe u largua. Dhjetë minuta më vonë, u kthye dhe më tha: – Më vjen keq, që u solla aq vrazhdë me ju… Por, më thanë se jeni hebre. – E mbaj mend, fort mirë emrin e tij, por le të bëjmë sikur e kam harruar.
A keni thënë ndonjëherë “Të dua”, por pa qenë e vërtetë kjo?
Po.
Po të mund të ktheheshit pas në kohë, ku do të shkonit?
Do të rri këtu, faleminderit! Në të shkuarën, kishte mjekim jo kaq të mirë për dhëmbët.
Kur keni qarë për herë të fundit dhe pse?
Kur pashë në Netflix, filmin e Sooni Taraporevala-s, “Yeh Ballet”… Më ktheu në Bombay dhe çuditërisht, pata një ndjesi të fortë përmallimi.
Kë shihni, si arritjen tuaj më të madhe?
Nëntëmbëdhjetë libra. Vitin e ardhshëm, njëzet…
Kur i keni pasur problemet më të mëdha me ligjin?
Gjatë viteve ’90, kur kisha nevojë për mbrojtje nga punonjësit e policisë. U bëmë miq të mirë, me disa prej tyre.
Çfarë jua prish gjumin?
Asgjë. Fle si qengj.
Cili është mësimi më i rëndësishëm, që ju ka mësuar jeta?
Të jesh plotësisht, vetvetja!
Na tregoni ndonjë të fshehtë!..
Ende s’e kam mbaruar së lexuari, “Middlemarch”, të George Eliot-it. / KultPlus.com