Gjatë gjithë verës në Mbretëri të Bashkuar ka një festival muzikor pothuajse çdo javë.
Pikat kryesore përfshijnë fillimin e festivaleve verore me “Big Weekend” të Radio 1 në maj, me dominimin e Glastonburyt në qershor, e më pas festivalet në Reading e Leeds.
Disa mund të thonë se adhuruesit britanikë të muzikës live janë të llastuar me mundësitë që kanë për të zgjedhur.
Në disa pjesë të tjera të botës nuk ka asnjë mundësi për të kërcyer në një fushë, me një birrë në dorë e të shijosh muzikën live.
Pikërisht këtu Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjini donin të ndryshonin gjërat duke e nisur festivalin “Sunny Hill” në qytetin e familjes së tyre, në Prishtinë, Kosovë – një pjesë e botës që pak artistë ndërkombëtarë kanë bërë turne.
“Dua ta ndryshoj retorikën se si njerëzit mendojnë për Kosovën, se ajo është e shkatërruar nga lufta”, shpjegoi Dua në fillim të këtij viti. “Kur jetoja në Kosovë, asnjë nga artistët që doja të shihja nuk erdhi”.
Dua është lindur në Mbretëri të Bashkuar por u zhvendos në Prishtinë si fëmijë pas luftës në fund të viteve ’90 ku mbetën të vrarë mbi 10 mijë persona, ndërsa Kosova luftoi për pavarësi nga Serbia.
Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, ndonëse disa shtete – përfshirë Serbia – refuzojnë për ta njohur atë.
“Rimëkëmbja e vendit mori më shumë vite nga sa do të donim”, tha Dukagjin Lipa.
Ai thotë se e kishte “gjithmonë ëndërr” të ketë diçka si Sunny Hill në Prishtinë, pasi kishte punuar në industrinë e ngjarjeve muzikore live për vite para se Dua Lipa të bëhej yll botëror i muzikës pop.
Në vitin 2018, 10 vjet pasi Kosova e shpalli pavarësinë, u lansua festivali Sunny Hill i Dua Lipas ndërsa dhjetëra e mijëra festuan një nga të tyret që ka arritur famën botërore.
Por, në atë kohë ishte e vështirë të bindeshin artistët të tjerë botërorë të interpretonin dhe në vitin vijues ylli i “New Rules” iu drejtua miqve të saj Miley Cyrus dhe Calvin Harris, e iu kërkoi të ishin protagonistë kryesorë. Dyshja performoi atë vit për herë të parë në rajon.
Kjo më pas ndryshoi mënyrën se si festivali u pa nga artistët tjerë dhe ekipet e tyre menaxhuese.
“Ne me të vërtetë tejkalojmë veten kur bëhet fjalë për përbërjen e interepretuesve. Kur flas me artistët e i ftoj të vijnë, u them: ‘Më beso do të keni pajisjet më të mira të zërit që mund të blini me para’”, tha Dukagjin Lipa për “BBC News”.
Të dhënat e tij të fundit vlerësojnë se rreth 40 për qind e vizitorëve ishin nga jashtë Kosovës – duke vënë në dukje ndikimin e fuqishëm nga diaspora e vendit, pasi ata sjellin miq me vete.
Disa kishin ardhur madje edhe nga Chicago e SHBA-së për të parë artistë si Bebe Rexha, Burna Boy, Stormzy dhe DJ Snake, që ishin kryesorët e festivalit Sunny Hill që u mbajt fundjavën e kaluar.
Groove Armada, Black Coffee dhe Griff po ashtu ishin në përbërjen e yjeve të cilët interpretuan në Sunny Hill fundjavën e kaluar.
Kosova mendohet se ka popullsinë më të re në Evropë, pasi mbi gjysma e popullatës vlerësohet se është nën moshën 30-vjeçare.
Kufizimet në udhëtime, shkaku i vizave që ishin në fuqi deri në fillim të këtij viti, nënkuptonin që muzikantët vendasë nuk kishin fleksibilitetin për të luajtur në pjesë tjera të kontinentit.
“Nuk është e lehtë të jesh muzikant”, shpjegon këngëtari Arbër Salihu, i njohur si La Fazani. “E vetmja mënyrë për të fituar të ardhura të mira është duke luajtur në klube nate”.
Kohët e fundit ai fitoi një shfaqje të madhe televizive në vend, por thotë se pa Sunny Hillin ai nuk do të mund të luante live para një turme prej mijëra adhuruesve dhe shpreson që pjesëmarrja në listën e të ftuarve të Lipas ta ndihmojë të përmirësojë karrierën e tij.
“Sunny Hill është një nga gjeneratorët më të mëdhenj të imazhit pozitiv të Kosovës. Ka shumë njerëz të grupeve ndërkombëtare këtu dhe shpresoj që mund të kem rënë në syrin e ndokujt, të cilit mund t’i pëlqejë ajo që bëj”.
I freskët pasi pa vajzën e vet si titullare në një prej festivaleve më të mëdha në botë, at “Glastonbury” Dukagjin Lipa thotë se do të jetë e vështirë që projekti i tij Sunny Hill, i cili u zhvillua për herë të parë në pronën e saj të re të përhershme për të akomoduar audiencën në rritje, do ta arrijë një status të tillë si “Glastonbury”.
Ndonëse, ai thotë se miqtë e industrisë si pronari i Coachellas, Paul Tollett, thonë se projekti u kujton Glastonuryn e viteve ’80 dhe ka plane për të bërë më shumë se një festival i muzikës live.
“I dua artistët që kalojnë një apo dy ditë më tepër në Prishtinë dhe kanë mundësi të takohen me artistët lokalë dhe të shkëmbejnë idetë. Shpresojmë që vitin e ardhshëm ne mund të krijojmë një lëvizje me disa punëtori”, ka thënë Dukagjin Lipa./Koha.net