Baleti Kombëtar i Kosovës, përmbylli sukseshëm gjysmë-sezonin me premierën e shfaqjes ‘AEON’, një performancë që e mbushi skenën me artin dhe emocionin e pafund. Shfaqja që erdhi si bashkëpunim nga BKK dhe koreografi Daniel Cardoso, ishte një kryevepër kontemporane që sfidoi dhe frymëzoi audiencën dhe futi në mendime rreth konceptit të kohës, shkruan KultPlus.
“Aeon” eksploron një nga konceptet më universale dhe misterioze të njerëzimit: kohën. Çfarë formon gjithçka? Çfarë ndikon në vendimet tona dhe përfundimisht përcakton trajektoren e jetëve tona? Këto pyetje thelbësore janë në zemër të kësaj shfaqje që trajton një burim të pashtershëm, të cilin nuk mund ta plotësojmë ose ta rikuperojmë pasi të jetë harxhuar.
Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, me veshjet, ngjyrat, lëvizjet e tyre, bënë që i gjithë koncepti i kësaj shfaqje të transmetohet tek publiku dhe të përcjellin vizualisht të gjithë pikëpyetjet që njerëzit kanë mbi kohën.
Trupa e baletit, të përbërë nga Aulonë Nuhiu, Behie Murtezi, Blerta Fanaj, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Ilir Krasniqi, Isa Beg Gjocaj, Jeta Musolli, Kreshnik Musolli, Leonora Rexhepi, Marigonë Beha, Mërgime Morina, Muhame Bikliqi, Rikon Krasniqi, Sead Vuniqi, Vjollca Llugiqi dhe Vlora Prizreni, treguan edhe njëherë potencialin që ky institucion ka dhe që mund ta sfidojnë veten e tyre në çdo stil vallëzimi.
Pjesë e kësaj shfaqje ishte edhe vetë drejtori i BKK-së, Sinan Kajtazi, i cili në ‘AEON’ vjen në cilësinë e muzikantit, në klarinetë.
Balerina Behie Murtezi tha për KultPlus se për këtë shfaqje kanë punuar diku rreth dy muaj dhe se ka qenë një shfaqje sfiduese marrë parasysh se i përket një stili më ndryshe nga shfaqjet e mëparshme.
“Kemi punuar rreth dy muaj për këtë shfaqje, na ka marrë shumë kohë dhe përkushtim sepse ka qenë një shfaqje më ndryshe nga të tjerat shumë dinamike në koreografi, pastaj kostumet dhe grimi janë një pjesë e rëndësishme dhe e bëjnë më të veçantë si shfaqje. Bashkëpunimi me koreografin ka qene korrekt, Cardoso është një koreograf që kërkon shumë. Në proces te provave për shkak të dinamikës së punës ka pasë raste ku kemi pasë edhe lëndime mirëpo fatmirësisht të vogla dhe i kemi kaluar lehtë”, u shpreh Murtezi.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli edhe ballerina Vjollca Llugiqi, e cila tha se kjo shfaqje trajton një temë interesante siç është ajo e kohës.
“Ka qenë një periudhë e gjatë e provave për arsye se kemi qenë në të njëjtën kohë edhe me një premierë tjetër në Neë York dhe provat kane qene te tejzgjatura mirepo bashkepunimi ka qene fantastik si me koreografin ashtu edhe me asistenten e cila me të vërtetë ka bërë një punë teper të mirë.
Ne si trupë veç kemi qenë të njohur me stilin e koreografin për shkak qe ky ka qenë bashkëpunimi jonë i dyte me të dhe kjo na e ka lehtësuar punën për shkak se e kemi dikur se çfarë kërkon”, tha Llugiqi.
Me këtë premierë, Baleti Kombëtar i Kosovës përfundoi suksesshëm këtë gjysmësezon, duke lënë një përshtypje të thellë te audienca dhe kritikët.
Shfaqja “Aeon” ishte një dëshmi e përkushtimit dhe talentit të trupës së baletit, si dhe e vizionit të Daniel Cardoso. Ajo pasqyroi potencialin e jashtëzakonshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës për të sjellë në skenë shfaqje që jo vetëm argëtojnë, por edhe sfidojnë dhe frymëzojnë./KultPlus.com