Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi
Sjellja dhe angazhimi i Edi Ramës kundër Sali Berishës, por edhe kundër Ibrahim Rugovës në shërbim të miqve të tij në Kosovë, është shembull i sjelljes tipike me xhelozi, urrejtje dhe hakmarrje ndaj rivalëve të tij, me qëllimin e vetëm që përmes intrigës dhe djallëzive të bëjë një vend në histori
Mbrëmë në Tirana Hotel International, këtu në Tiranë, u promovua kolana e librave me të dhëna dhe fakte të autorit Adnan Merovci, libra të cilat i përkushtohen konferencave për shtyp të të premtove të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Në këtë promovim ishte edhe Prof. Dr. Sali Berisha. Unë ndjej detyrim të falënderoj me zemër autorin e këtyre librave, me të cilat evokon historinë e njeriut më të shquar të kohëve moderne në Kosovë dhe në Ballkan. Por nuk dua të ndalem në përmbajtjen e librave, pasi nuk i kam lexuar. Nuk dua gjithashtu të flas as për ceremoninë e promovimit të tyre, sepse këtë funksion e kanë kryer mediet në Shqipëri dhe në Kosovë.
Ajo çfarë auditorin e la me gojë hapur ishte qasja filozofike e Prof. Dr. Sali Berisha në vlerësimet e tij për binjakun e tij të politikës shqiptare, Dr. Ibrahim Rugova. Me sy, veshë e gojë hapur të pranishmit në promovim e ndoqën fjalën e zotit Berisha. Foli me gjuhën e kujtimeve dhe të një filozofi të spikatur. Është e dyta herë që ai i jep Ibrahim Rugovës titullin e misionarit. E tha këtë ide edhe në Konferencën e 30 nëntorit të vitit të kaluar, organizuar nga Instituti i Studimeve të Evropës Juglindore në Tiranë e në Prishtinë, kushtuar 80 vjetorit të lindjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Kishte vetëm 24 orë që kishte dalë nga arresti shtëpiak dhe erdhi me shumë dëshirë në atë konferencë, kushtuar jetës dhe veprës së misionarit Ibrahim Rugova.
Por ajo që tha mbrëmë ishte shumë më e plotë. Berisha e nisi tregimin e tij me një episod dëmethënës. Tregoi se si në korrik të vitit 1992, gjatë një samiti të Nismës së Detit të Zi në Stamboll, i kishte kërkuar kryeministrit të Greqisë, Micotaqis, të takonte Rugovën dhe të informohej prej tij për situatën në Kosovë. Ndërkohë Micotaqis-n u bind për këtë takim vetëm atëherë kur Berisha i thotë se „Rugova është shumë paqësor dhe me të mund të bisedohet këndshëm“ Kështu kreu i ekzekutivit të Greqisë u bë kryeministri i parë evropian që priti në Selanik Ibrahim Rugovën.
Më pas Doktori tregoi shumë episode dhe dëshmi reale, me të cilat provohej veprimtaria e mendimi i Ibrahim Rugovës si misionar. Por po riprodhoj vetëm njërin prej tyre. Tha se në vitin 1999 tek bisedonte me një diplomat amerikan i kërkoi atij që Perëndimi të mos i kundërvihej Ibrahim Rugovës. Ishin ndoshta kohët më të vështira për Kosovën dhe presidentin e saj të marrë peng nga Beogradi dhe Milosheviçi. Dhe gjatë bisedës argumenti i Berishës ishte ky: - Me Rugovën askush nuk mund ta fitojë betejën. Kur diplomati amerikan i kërkon arsyen, Dr. Berisha i përgjigjet: - Se ai nuk është politikan, është misionar. Dhe politika kurrë nuk e fiton betejën me një misionar! Ishte kjo ndoshta sinteza filozofike më e saktë për të përcaktuar rolin, kontributin dhe forcën e ideve, vizionit dhe veprimtarisë së Ibrahim Rugovës.
Sali Berisha nga dritarja e ngujimit që i bëri regjimi e pati konsideruar Ibrahim Rugovën si shqiptarin më të madh të të gjitha kohëve, pas Skënderbeut. Në konferencën që përmenda më lart të 30 nëntorit të vitit të kaluar e përmendi dhe aspektin misionar të Ibrahim Rugovës dhe dha jo pak prova e dëshmi për tezën e tij. Por mbrëmë ai zbërtheu me aftësitë e një filozofi arsyen, ndikimin dhe efektin e një politikani misionar si Ibrahim Rugova. E shpjegoi me shëmbëlltyrën dhe misionin e Nënë Terezës. Dhe kur kjo vjen nga një bashkëpunëtor e bashkëkohës i ngushtë i Ibrahim Rugovës, atëherë duhet kuptuar se objektiviteti shtohet në pikën më të lartë të tij.
Në përgjithësi politikanët, ashtu si edhe njerëz të profesioneve të tjera, ushqejnë njëlloj gare, për të mos thënë xhelozie e më shumë se kaq. Ka politikanë e liderë, si Edi Rama, të cilët kërkojnë vend në histori duke „varrosur“ rivalët e tyre. Sjellja dhe angazhimi i Edi Ramës kundër Sali Berishës, por edhe kundër Ibrahim Rugovës në shërbim të miqve të tij në Kosovë, është shembull i sjelljes tipike me xhelozi, urrejtje dhe hakmarrje ndaj rivalëve të tij, me qëllimin e vetëm që përmes intrigës dhe djallëzive të bëjë një vend në histori. Ndërkohë Sali Berisha shfaq një karakter dhe tipar tjetër të qasjes së tij ndaj politikanit vizionar e misionar, si Ibrahim Rugova.
Vetë ky qëndrim i Profesor Sali Berishës shfaq në vetvete një qasje filozofike, e cila shpreh karakterin e tij fisnik në vlerësimin në rastin konkret të veprës dhe kontributeve të Ibrahim Rugovës. Kjo ndodh se Berisha është i plotësuar në një formë tjetër nga ajo e Rugovës si politikan. Kjo ndodh, sepse edhe Berisha është një misionar, por në një aspekt ndryshe nga Rugova. Ibrahim Rugoa ishte misionar i paqes, harmonisë, ekzistencës, durimit dhe sakrificës në durim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sali Berisha tashmë është misionar i luftës për dinjitet dhe integritet, pa të cilin njeriu kurrë nuk mund të jetë i lirë. Ibrahim Rugova i vetëm i bindi të gjitha shtetet vendimmarrëse për të ndërhyrë me forcë kundër Serbisë dhe për ta pranuar shtetësinë e Kosovës. Sali Berisha i bindi kritikët e tij se dinjiteti dhe integriteti nuk kanë çmim. Ibrahim Rugova homogjenizoi dy milionë shqiptarë, pikërisht se ishte një misionar. Sali Berisha homogjenizoi opozitën shqiptare, me qëllim që të rrëzojë një diktaturë të dytë në Shqipëri, atë të narco-shtetit të Rilindjes së Edi Ramës! Edhe ky është mision.
Nuk mund të them sa ishte shembulli i Rugovës inspirim për Sali Berishën. Por mund të them se të dy ata, në mënyrën e tyre e ndryshe nga njëri-tjetri, janë misionarë e jo vetëm politikanë. Për kushtet që veproi Ibrahim Rugova, duket qartë se ai ishte një model dhe fenomen i panjohur në Ballkan e në Europë. Për kushtet në të cilat Sali Berisha u persekutua dhe triumfoi mbetet një shembull klasik i qëndresës, durimit dhe vendosmërisë së jashtëzakonshme. Të dy do të mbeten shkolla të politikave misionare!
Takova para një jave një socialist nga Kukësi dhe më tha: “Sali Berisha na ka bërë krenarë, jo vetëm ne malësorëve, por të gjithë shqiptarët”! Kjo ndodh kur je misionar! Misionarin nuk e thyen asnjë politikë dhe asnjë politikan. Këtë mësim nga Ibrahim Rugova e aplikoi me mjeshtëri, mençuri, zotësi, durim dhe vendosmëri të pashoqe edhe Sali Berisha. Ai e ndjen nën lëkurën e tij të qenit misionar! Prandaj dhe flet si filozof për binjakun e tij, të madhin e të madhërishmin, Ibrahim Rugova!/Bota Sot