Nga Imzot Dodë Gjergji
Fort të dashur miq,
Jam thellësisht mirënjohës ndaj famullisë së Shën Jozefit në Stubëll, shoqatës Dom Mikel Tarabulluzi dhe Komunës së Vitisë, që “Takimet e Don Mikelit” vazhdojnë të mbahen rregullisht.
Edhe pse, dorën në zemër, si shumë iniciativa, lëvizje dhe ngjarje që filluan viteve të errëta të dekadës së fundit të shekullit XX, nuk e kanë ma shkëlqimin e dikurshëm entuziast, por zbehtësinë e pakënaqësisë. Kjo, më shumë si pasojë e keqpërdorimit e lirisë, keqkuptimin të demokracisë dhe keq vlerësimin e historisë, se sa si shkak i pamundësive. Gjë që ka bërë të krijohet një distancë e frikshme mes nesh dhe vetës sonë.
Kur populli ynë jetonte situata të vështira arrinte të shkurtonte çdo distancë mes nesh dhe gjente forma kreative për të ndriçuar ditët e errëta të asaj kohe. Duke pranua njeri-tjetrin me dashuri, duke u kujdesur për njeri-tjetrin me solidaritet, duke bashkëvepruar me guxim, e duke festuar me gëzimin e shpresës.
Këndej,
Nëse themi që Lidhja demokratike në krye me Presidentin Rugova ishte rreze shprese që ngrohte zemrat tona dhe na bënte të gjithë qirinj të ndezur, për të reflektuar para syve të botës zjarrin e dashurisë së një populli që kërkonte liri dhe mëvetësi.
Nëse dëshmojmë që Rinia e asaj kohe në Krye me Anton Çetën punuan shkëlqyeshëm për ti shua hasmëritë mes nesh dhe unifikoj popullin tonë, sikur thoshte Gjergj Fishta: ”Tog si kokrra në shegë”.
Nëse Shoqata Nënë Tereza në krye me Mons. Lush Gjergjin e Prof. Jakë Mitën, arritën të nxisnin ndjenjën e humanizmit dhe bamirësisë mes nesh, ashtu që uria dhe varfëria, të mos e detyronte njeriun tonë të dorëzohej.
Nëse, mësimi nëpër shtëpia, ishte alternativë, që të mos lenim gjeneratat nën terrin e mosdijes.
E, nëse Lufta, me krye sakrificën e Familjes Jashari, ishte çmimi më sublim që duhet të paguanim për lirinë tonë.
Atëherë, lirisht mund të themi që “Takimet e Dom Mikelit”, në krye me Ipeshkvin Nikë Prela, dhe prof. Engjëll Sedaj, në ato vite të vështira, ishin “dasma kulturore” që na ndihmoi të kthenim vajin në gëzim.
Këndej edhe njëherë dua të ju përgëzoj për iniciativën e marrë, që në edicionin e sivjetëm të “Takimet e Dom Mikelit” të kujtojmë Ibrahim Rugovën, këtë figurë të ndritshme të historisë së popullit tonë. Sepse, jam i bindur që “ripërtypja” e kujtimeve tona na mundëson të zbërthejmë thelbin e së vërtetës. Po, edhe shndërrohen në dëshmi për brezat që vijnë.
Të flasësh për Rugovën duhet ta kesh kohën, së paku një ditë të tërë, këndej duke qenë se koha është e kufizuar, unë do të mundohem t’i them vetëm disa fjalë me të cilat do të përpiqem ta përshkruaj këtë personalitet tejet të rëndësishëm të popullit tonë, i cili ishte dijetar i ndritur, burrë i ndershëm, lider i jashtëzakonshëm dhe vizionar i shpresës, i cili gjatë shtegtimit me popullin e vet “nëpër luginën e vdekjes”, la gjurmë të dukshme në zemrat e atyre që e kanë njohur, kujtime mbresëlënëse tek liderët e botës së qytetëruar dhe një ndikim domethënës në historinë e Kosovës.
Ai, vërtetë përfaqësonte më të mirën e virtyteve të gjithë neve, frymëzonte vlerat tona humaniste dhe mjeshtërisht arrinte të lidhte nyjën e fijeve të shkëputura të këtij humanizmi, duke filluar nga Gjergj Kastrioti e te Pjetër Bogdani. E prej tij, deri te koha jonë. Kështu ai trasoi rrugën drejt qytetërimit tonë natyrorë – evropian dhe u bë modeli i përkryer për gjithë popullin tonë.
Lirisht mund të themi që edhe sot ai është modeli më i mirë nga i cili duhet të frymëzohemi. Të dimë sesi duhet jetuar liria, si të përdorët paqja dhe si duhet të trajtohen të tjerët, sidomos miqtë e vendit tonë. Dhe si duhet artikuluar kërkesat e reja në udhëtimin tonë drejtë të ardhmes: qartë, sinqerisht dhe me respekt.
Pasi, nuk duhet lejuar që ata të cilët dëgjuan klithmën tonë për liri, dhe tek të cilët gjaku i derdhur i të bijve dhe bijave tona zgjoi ndërgjegjen njerëzore të tyre, t’i dëshpërojë sjellja jonë kryeneçe e jo falënderuese.
Rugova e dinte mirë, se çlirimi dhe liria nuk mund të vinin vetëm si produkt i përpjekjeve tona, por se përpjekjet tona mund të bëheshin produktive, vetëm nëse do të arrinim të kinim mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. E kjo mbështetje mund të fitohej vetëm duke shpalosë vlerat e përbashkëta, identitare, kulturore dhe botëkuptimore.
Pra, përpjekjet e tija nuk kishin vetëm dimension politik për mëvetësi dhe liri, por edhe kulturor e moral. Ai besonte se çdo individ dhe komb, gjatë përpjekjeve për drejtësi, liri dhe paqe, duhet të rinovoi vetën e vet dhe ta përshtatë vetën e tij me natyrën që këto vlera bartin në vetvete.
Rugova, po ashtu, ishte mbështetës i fortë i përparimit nëpërmjet punës, sakrificës, durimit dhe mirëkuptimit. Sidomos, duke promovuar dhe vlerësuar diversitetet brenda nesh, në bazë të meritave dhe kontributeve e jo në bazë të sasisë apo numrave.
Megjithatë, kjo nuk nënkuptonte mungesën e ndërtimit të lidhjeve të forta dhe gjithëpërfshirëse ndërmjet grupeve të ndryshme fetare dhe etnike tek ne.
Këndej, duhet të thuhet që mbështeti një qasje të ndershme dhe gjithëpërfshirëse, duke ndihmuar në ruajtjen e harmonisë mes nesh dhe nuk pushoi kurrë duke punuar për një shoqëri që respekton të gjitha diversitetet, mbështet gjitha komunitetet, pavarësisht besimit apo origjinës së tyre.
Në përfundim, Ibrahim Rugova ishte një lider që përfaqësonte më të mirën e virtyteve njerëzore dhe një model të udhëheqjes që ishte i bazuar në dashuri, respekt dhe paqe. Ai ishte një njeri që e kuptonte se për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për Kosovën, ishte e nevojshme të kalonte përmes një procesi të thellë shpirtëror dhe moral, një udhëtim që kërkonte përkushtim ndaj idealit të paqes dhe drejtësisë.
Këndej, të gjithë duhet ta ruajnë ta kultivojnë trashëgiminë e tij si një testament të udhëheqësit paqësor./drita.info
(Fjalimi i plotë i Sh. T. Imzot Dodë Gjergji në manifestimin “Takimet e Dom Mikelit 2024” në Stubëll të Epërme, më 21 shtator 2024)