Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se ka bërë hapjen e aktiviteteve tërë ditore që i dedikohen mërgatës, në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të tyre.
Me anë të një kumtese për media bëhet e ditur se në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë janë hapur tashmë tendat me lojëra atraktive për fëmijë, tendat e informimit, ku qytetarët mund të informohen rreth aktiviteteve që MPJD i ka dedikuar mërgatës, si platforma Shijo Kosovën dhe Made In Kosova(MIK).
“Gjithashtu te këndet e informimit qytetarët kanë hapësirë për t’u njoftuar për shërbimet konsullore që ofrohen nga MPJD dhe misionet diplomatike nëpër botë, vizat, si dhe uljen e tarifave për shërbimet konsullore, vendim ky që ka hyrë në fuqi pak ditë më parë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet apel te të gjithë qytetarët nga diaspora që ende nuk janë regjistruar, që mund ta kryejnë regjistrimin online, i cili për mërgatën është i hapur deri më 31 gusht të këtij viti.
Përveç pikave informuese, në shesh janë hapur edhe këndë për ushqim dhe pije që do të qëndrojnë të hapura gjatë tërë ditës së sotme.
Përmbyllja e këtyre aktiviteteve bëhet në mbrëmje kur edhe fillon koncerti ‘Faleminderit Mërgatë’, i cili nis nga ora 18:00 deri në orën 23:00 dhe hyrja do të jetë falas për të gjithë, thuhet tutje në njoftim të MPJD-së.