Forca Strategjike Rezervë (SRF) e KFOR-it, e dërguar nga Mbretëria e Bashkuar, do të tërhiqet nga Kosova pas përfundimit të një misioni 45-ditor që ka mbështetur përpjekjet e KFOR-it për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë banorët e Kosovës.
Sipas njoftimit, ky mision ka përfshirë Forca Strategjike Rezervë të KFOR-it dhe Forcën Rezervë Aleate (ARF), dhe ka përmbushur një gamë të gjerë detyrash, si patrullime rutinë dhe misione zbulimi, disa prej të cilave u zhvilluan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
KFOR-i bëri të ditur se me fillimin e tërheqjes, parashikohet rritje e lëvizjeve të automjeteve dhe pajisjeve ushtarake në rrugët kryesore tranzite të Kosovës.
“KFOR shpreh falënderime për mirëkuptimin e komuniteteve dhe do të bëjë gjithçka të mundshme për të minimizuar çdo ndikim të mundshëm në jetën e tyre të përditshme. Këto lëvizje janë të domosdoshme për një tërheqje të sigurt dhe të rregullt të forcave tona",thuhet tutje në njoftimin e KFOR-it.