Përmbyllet ETNOFEST-i: ‘Lumturia’ që solli ky festival në edicionin e tij të 14-të
Përmbyllet ETNOFEST-i: ‘Lumturia’ që solli ky festival në edicionin e tij të 14-të 19.08.2024 | 12:00
Mbrëmja e fundit e edicionit të 14-të të Festivalit të Artit dhe Kulturës, Etnofest, përmbylli një cikël të paharrueshëm të netëve artistike, ku çdo moment reflektoi pasionin dhe përkushtimin për artin dhe kulturën, duke risjellë copeza nga trashëgimia e popullit shqiptar, mënyra e vjetër e jetësës përmes veglave, muzeve, ekspozitave, vallëve e këngëve shqipe.
 
Në këto nëntë netë intensive, publiku pati mundësinë të ndjekë një program të pasur artistik, i cili u kurua me kujdes nga organizatorët e festivalit.
 
Sheqerie Bucaj, bashkëorganizatore e festivalit, shprehu kënaqësinë për suksesin e arritur gjatë këtij edicioni. Ajo theksoi rëndësinë e programit artistik që u prezantua në këto nëntë netë, duke nënvizuar veçanërisht laboratorin praktik me teoritë e Jerzy Grotowskit, i përcjellur nga regjisori italian Mario Biagini, i cili kishte zënë vend në këtë edicion. Publiku pati mundësinë të ndjekë çdo ditë nga afër provat e shfaqjes së përgatitur duke u bazuar dhe frymëzuar në këto teori teatrale.
 
Një qasje inovative që i dha një dimension të ri festivalit.
 
Qendrat e kulturës nga e gjithë Kosova po ashtu i dhanë një atmosferë feste këtij festivali. Ansamble të ndryshme performuan para një publiku që duartrokiti vazhdimisht në nder të kryesuesve dhe valltarëve, për risjelljen e valleve që tashmë ruhen si një vlerë kombëtare anembanë botës. Ata gjithashtu prezentuan dallimet rajonale përmes veshjeve të veçanta, kostumeve tradicionale që simbolizuan bukurinë unike të përcjellur ndër shekuj.
 
Në natën përmbyllëse prezent ishte qendra e kulturës ‘Kaqaniku’ e cila nën ritmin e këngës ‘xhamadani vija vija’, dasma kosovare etj., përcolli bashkëndjenjen me publikun, gjallërinë dhe dashurinë ndaj vlerave artistike që mbizotëruan në skenën e amfiteatrit kryesor në Kukaj.
 
Ajo që e karakterizon këtë festival padyshim është edhe programi i cili çdo natë solli para spektatorëve nga një shfaqje të re, produkt i krijuesve vendor nga fusha e teatrit. Në këtë edicion u dhanë rreth 7 shfaqje artistike, secila e punuar dhe e paraqitur në skenat e etno-kompleksit, përmes aktorëve të shquar nga komuniteti artistik.
 
Në përmbylljen e Etnofestit 2024, sipas programit ishte planifikuar edhe një shfaqje tjetër.
 
Megjithatë, jo gjithçka shkoi sipas planit. Shfaqja “Të Bardhët” e regjisorit Besim Ugzmajili, e cila trajton diskurset racore dhe gjinore, nuk u realizua për shkak të reshjeve të shiut, të cilat pamundësuan realizimin e kësaj paraqitjeje.
 
Prapeseprape, Etnofesti mbetet një adresë e njohur për spontanitetin, riformësimin dhe dinamikën për t’u ambientuar në skena të hapura, gjë kjo e thënë edhe nga aktorët performues të cilët gjatë këtij edicioni theksuan ndjenjën që t’a japin skenat nën ndriçimin e natyrshëm të hënës, në amfiteatrot e krijuar atë-lloj që publiku ta ndjejë sa më afër shfaqjes.
 
Një moment tjetër, e ashtu krijuar për të qenë simbol i angazhimit, vlerave të përcjellura dhe pjesëmarrjes, ishte edhe ai i ndarjes së çmimeve nga ky festival.
 
Çmimet e edicionit të 14-të u dhanë nga juria profesionale e përbërë nga:
 
ILIRIANA ARIFI – Regjisore, SKËNDER BOSHTRAKAJ – Skulptor, DILAVER KRYEZIU – Koreograf.
 
Çmimet u ndanë në dy sfera kryesore atë të Muzikës dhe etnoperformancës dhe Teatrit.
 
MUZIKË DHE ETNOPERFORMANCA:
 
VALLTARI MË I MIRË: Fiona Konxheli, gjimnaste ritmike
VALLTARI MË I MIRË: Furkan Rrahmani, QK Kaqanik
KËNGËTARJA MË E MIRË: Adelina Paloja, soprano
KËNGËTARI MË I MIRË: Nuredin Bendaj, Vlorë
INSTRUMENTISTI MË I MIRË: Sihana Badivuku, violinë
KOSTUMOGRAFIA MË E MIRË: « Konaku i Rajcës » Prenjas, Shqipëri
ETNOKOREOGRAFIA MË E MIRË: Ansambli « Zëri i Kamenicës » Kamenicë
ETNOANSAMBLII MË I MIRË: Ansambli « Deçani » Deçan
 
TEATRI:
 
AKTORJA MË E MIRË: Anisa Ismajli në shfaqjen « Jepi ngjyra jetës »
AKTORI MË I MIRË: Ernest Malazogu në shfaqjen « Audienca »
SKENOGRAFIA MË E MIRË: Burim Arifi në shfaqjen « Audienca »
REGJIA MË E MIRË: Bashkim Ramadani në shfaqjen « Audienca »
SHFAQJA MË E MIRË: shfaqja « Audienca »
ÇMIMI I KARIERËS: Luiza Xhuvani, Tiranë
ÇMIMI SPECIAL I ETNO FESTIT: Mario Biagini, Itali
 
Një komponent tjetër përmes të cilit u dhanë shumë mesazhe, u pasqyruan vlera historike si dhe u gërshtuan forma të ndryshme artistike ishin edhe ekspozitat e hapura që zunë vend në këtë edicion.
 
Që nga dita e parë, e cila shënoi hapjen me performancën ‘Ten ten’ e sjellë nga Yllka Brada bashkë me Jakup Ferrin, nga e cila u prezantua një stil i veçantë i kostumografisë i frymëzuar nga ndjenja e identitetit nga arti e tradita, e deri tek çdo ekspozitë tjetër, ky Etnofest mund të cilësohet shtëpi artistike dhe derë e hapur për krijuesit e pikturës e skulpturës.
 
Gjatë 9 ditëve, vizitorët patën rastin të shihnin këto ekspozita: ‘Vallezime ngjyrash’ nga Nusret Salimaxhiqi; ‘Peisazhe me diell, kulla dhe lule’ nga Kaqusha Jashari; ‘Frymë antike’ nga Diella Valla; ‘Vibracione shpirtërore’ nga Albulen Neziri; ‘Bukuroshja e fjetur’ e Haxhi Gjonit; ‘Avatarja me plis’ e sjellë nga Eremira Belegu-Deçan dhe Fatos Kabashi; ‘Gjurme lumturie’ Teuta Ibriqaj; ‘Trashëgimia e Krajes dhe Ulqinit’ Korab Kraja; ‘Vallezime dheu dhe zjarri’ prej Laura Sllamniku-Kryeziu; ‘Art i poqerisë’ nga Luan Kuqani si dhe ‘Eksponate etnografike’ nga muzeu etnografik në Kukaj.
 
Po ashtu, festivalin e pasuruan performancat gastronomike dhe artizanale, të cilat u shtrinë në të gjitha hapësirat e destinuara për gatimin e ushqimeve tradicionale të cilat u servirën vazhdimisht për vizitorët e Etnofestit.
 
Performanca e këngëtares Edona Reshitaj në përmbylljen e ciklit të etno-netëve në kuadër të Festivalit të Artit dhe Kulturës, Etnofest, la një përshtypje të pashlyeshme tek publiku. Me sharmin e saj skenik, Reshitaj arriti të ngrinte në këmbë të gjithë të pranishmit, të cilët iu bashkuan këngëve të vjetra të interpretuara prej saj në një stil krejtësisht unik, që ndërthurte elemente të zhanrit pop dhe jazz. Interpretimi i saj, i ngrohtë dhe i veçantë, krijoi një atmosferë magjepsëse, duke i dhënë një fund të shkëlqyer festivalit dhe duke emocionuar publikun me një përvojë të paharrueshme gazmore.
 
E si risi këtë vit në Kukaj, ishin edhe DJ-të e njohur nga zhanret e reja muzikore, që elektrizuan çdo natë adhuruesit e muzikës moderne, rrymave të reja të ritmit. Mes nostalgjisë për këngë të kënduara ndër breza e deri tek rikrijimi i tyre për kënaqësinë e gjeneratave të reja, Ardian Berisha i dha vulë diversitetit, pranimit dhe shijes së re muzikore.
 
Me një publik të shumefishuar që u pa të jetë prezent këtë vit, e po ashtu mes miqeve nga komuniteti artistik, diasporës që patën destinacion Kukaj, e deri tek vizitat nga krerët qeveritarë, ky edicion përmbylli programin e vitit 2024. Vlen të përmendet që prezent gjatë kësaj nate përmbyllëse ishte edhe Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, bashkë me drejtoreshën e kulturës në komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, prej të cilëve, Etnofesti pati mbështetje gjatë këtij edicioni.
 
E në fund, Fadil Hysaj tha se ky edicion ka arritur ta përmbushë konceptin e tij, sepse sipas tij, njerëzit kanë përjetuar atë pulsin e lumturisë, nga energjia e festivalit, art-terapia që përcjell ky festival përmes të gjitha vlerave tradicionale që ringjallin nostalgji, dhe ndjenja dashurie e lirie.
 
Për vitin e ardhshëm, Hysaj zbuloi se koncepti do të fokusohet në temën e identitetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të identitetit tonë kombëtar përmes artit, kulturës dhe traditës.
 
Etnofesti përfundoi me një premtim për më shumë, duke lënë gjurmë të thella në avancimin, projektimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të kulturës artistike në Kosovë, si një burim i rinjohjes dhe përjetimeve të mishëruara me artin./ KultPlus.com
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave