Nga: Çun Lajçi
Sonte gjumi bahet n’vetima e bubullima, që m’kënaqin shpirtin.
Interesant… Mes bjeshkësh s’të bika ndërmend për bastardët n’librat e Çunit, as për dialogjet Serbi – Kosovë, as çka po thotë Grenelli e ku po e ve firmën Avdullahu!
Këtu po t’errka nata e po t’zbardhka dita herë n’thepa t’Shalës, herë n’rudina t’Kelmendit, herë n’Qafë t’Pejës herë n’Qafë Thore, por bjeshkë m’u ngi jo se jo!
E çuditshme, dita e pestë që s’mendoj për atë dreq virusi, as për dizenfektues duarsh, e mos t’flasim për arrnat e ngjitun hundësh si strajca kuajsh. Maska e vdekje s’paska n’këto bjeshkë!
Dita e pestë që rri i veshun me tirqi, xhamadan e plis.
A thu u ktheva gjurmëve t’Çun Mulës?!
Këtu flitkan zgërlyqet, shpellat, zallinat, gërlat, pishat n’plasat e e rrasave t’lame shekujsh. Rrugët e frikshme si bri cjepsh këtyne kërshave, fadromat paskan ardhë nga Shkodra me çel rrugë shkambit e me ra ma shpejtë n’Thethin e shaljanëve. Këtu s’flitkan analistët shterpak të RTK-së, TV Dukagjinit, T7-shit!
Këtu flitkan fajkojt, xheraqinat, zogjët e natës e gurgullojka lumi Shalës mes për mes Thethit.
Kur m’folën për guiden e djemve që vinë n’kambë prej Rugovës, tue kalua bjeshkët e Belegut, tue iu ngjitë kërshave t’Valbonës e tue u zhdirgj thepave me ra n’Theth, thashë qysh s’iu frigohen ujqëve?!
Verës s’janë t’rrezikshëm, dimnave të çartin kur bahen llaçemi, llavë, kope, tufë me dhetë e ma shumë, por borës mbi tre metra s’ka djalë nane që zbret kërrshave tëposhtë, tha Arian Çerku, thethjani që i ka shkel këto maja tue i pri guidës.
Dje nuk xhirova ndaj u futa pishave tue lyp rrëshinë për lahutën e Gëzimit. Ai edhe pak ditë e fluturon për Londër, i duhet lahuta edhe atje për me ia kujtua Gropën e Portës, ku verës i kullosin dhëntë.
Por u lodha e disa herë u ndala me pushua, provova me i mbyll sytë e m’u përqendrua tek vaji i qyqës, por kisha harrua se ajo mbas gjysmës së verës e mbyll kaçepin, s’këndon ma deri n’verën tjetër.
Kur e mbaruem xhirimin me kët shkjaun e plagosun, Kristina asistentja e regjisorit m’tha: mos ke dëshirë ti me Galën me shkua sonte n’Theth me ba natën? Qëlloni t’pushueshëm për nesër, se do t’xhirojmë të nji kullë tepër e vjetër që vetëm n’kamb shkohet ose me kuaj.
U nguta me i thanë po…
Vërtetë vonë u nisem nga Qafëthorja e vonë zbritëm n’Shalë. Thethi kishte ra n’gjumë e n’gjumë ramë edhe ne, se ishim të dërmuem nga xhirimet e stërgjatuna, por edhe nga rruga e tmerrshme.
Si zbardhi dita i hapa sytë, dola n’ballkonin me dërrasa, para të cilit ishin dy pemë arrash plot e përplot kokërra. Prit t’shoh o Theth, se natën tu kam fut si hajn n’zemër thash. Prit t’shoh nga arat tua se boll t’shikova nga majat e bjeshkëve që tri ditë e net!
I vesha tirqit shpejt e shpejt e dola te kisha, iu solla rreth e rreth t’bekuemes s’mbulueme me dërrasa, asaj të Fishtës e t’Anton Arapit. U mundova me i pa ato bukuritë e përfoluna nga të tjerët, por jo… Ishin e s’ishin… Diçka kishte ndodh m edhe me Thethin e bukur, dora jonë kishte fillua me çorodit. Pak edhe koha!
Shumë kullat ishin shkatërrua e shumë bujtina ndëtue tue prish hieshinë e bjeshkës!
Rrugicat e ngushta plot gurë, t’rrethuem me tela xhemborë nuk të joshin as deri te Kulla e Ngujimit me shkua, as deri te Syni i kaltër!
Këtu hala u dashkan kuajt me samar për me dalë deri n’Shosh.
Gjithçka e bukur kishte mbet n’shkrepat e pashkelun, atje ku dora shqiptare s’ka mbërri hala!
Qafa e Pejës ishte po ajo që lamshi i penit iu sos Fishtës, bash aty kur deshti me mat atdheun me dredhën e djallit!
Dita e xhirimit ishte e gjatë e koha s’premtoi as varrin e Elsit, përkëthyesit të Lahutës, me vizitua. Nesër thashë kam kohë me pa diçka ma shumë, por kur ra terri e filloi shiu, organizatori i ndrroi planet për të nesërmen. Furgonat natën u nisën për Qafë Thore e Thethi mbeti i gurtë, i thatë, i vjetër, i humbun mes shkambit e qiellit, i harruem si sot si njiqind vjet ma parë. Hej, dy shtete shqiptare për dy shekuj e t’harruem mes veti mbetën Shalë, Pult e Shosh.
Kjo krahinë e Dukagjinit kurrë s’u lidh me Shkodrën, përveçse me kambët e kalit e t’njeriut! E Prishtina kërkon ta lidhë Serbinë me Durrësin përmes Ferrovisë, e s’flet me Tiranën për nji rrugë që do ta lidhte Malsinë me Dukagjinin e Shkodrën, e do tu këthehej jeta këtyne katundeve!
Hej n’shekullin e 21-të, Shala gjashtë muej ditë izolohet nga bota!
Mjerim i soji t’vet, për Kosovën e Shqipninë!
Sonte s’kemi rrymë këtu n’Bunin e Bajraktarit, por kemi shi e erë n’naltësinë 1760 metra mbi det.
Sonte gjumi bahet n’vetimë e bubullimë bjeshkësh, që mua ma kënaqin shpirtin!
Theth, 23.09.2020
/Bota Sot