Shkruan: Shenoll Muharremi
Viti 1999 nuk ka qenë hera e parë që na kanë vrarë e dëbuar prej trojeve tona. Kjo ka ndodhur sistematikisht me shekuj. Nuk duket që kemi pasur kapacitete si shoqëri për të reaguar, parandaluar ose edhe luftuar kolektivisht kundër armiqve dhe pushtuesve.
Hera e parë në histori ka qenë kur UÇK-ja ka arritur të organizohet si trup kolektiv i shoqërisë. Jo të reagojmë me banda prej 2000-3000 luftëtarësh, por si një organizim shoqëror mbrojtës. As kësaj radhe nuk kemi qenë të përkryer, se pak jemi mobilizuar, ndoshta vetëm rreth 2% e burrave, por megjithatë kjo ka qenë pjesëmarrja dhe suksesi më i madh ndonjëherë.
Vetëm një herë në histori, në mijëra vite, ka ndodhur që dikush të reagojë për të na mbrojtur dhe parandaluar spastrimin etnik, vrasjet, masakrat tjera.
Kjo ka qenë një mrekulli!
Janë harmonizuar aq shumë yje në qiell që kjo të ndodhte. Gjasat kanë qenë të vogla, sepse ka pasur diplomatë që UÇK-në e kanë brenduar si organizatë terroriste. Ndoshta pak veta e kanë besuar se mund të ndodhte. Por ndodhi. Mrekulli, me plotë kuptimin e fjalës, kur e krahasojmë me historinë tonë për 20 shekuj të tjerë.
Sot të gjithë duhet të jemi falënderues në përulje për ata që vendosën për ndërhyrjen e NATO-s. Kjo nuk ka qenë një punë e lehtë për tu bë. Por ka qenë veprimi më i duhur i një aleance dhe mbase kurora e saj kryesore, që në histori do të mbetet si momenti kur aleanca reagoi për një çështje jo vetëm të sigurisë, por edhe humanitare. Mbrojti një shoqëri të tërë që po dëbohej nga shtëpitë e saj nga regjimi më gjakpirës në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.
Sot dhe gjithmonë duhet të falënderojmë NATO-n dhe të gjitha vendet anëtare që bënë këtë veprim, i cili më pas çoi drejt lirisë së Kosovës dhe u zhvillua në ndërtimin e institucioneve demokratike e më vonë edhe në një shtet të pavarur./Nacionale