Nga: Prof.Dr. Enver Bytyçi
Ndërkohë lemeria e drejtësisë evropiane do të vijë, kur të shohë se si SPAK i hoqi Berishës të drejtën e lëvizjes jashtë vendit, pa marrë pëlqimin e parlamentit.
Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg do ta shqyrtojë me përparësi kërkesën e kreut të opozitës shqiptare, Sali Berisha, për të revokuar masën e arrestit shtëpiak. Nga të dhënat dhe informacionet që u publikuan, duket qartë se Sali Berisha, emri, roli dhe pozita e tij në politikën shqiptare, do të kenë një arbitër të paanshëm, Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Për këtë jam krejt i bindur. Po jap një shembull nga eksperienca ime personale:
Kur shkova në qershor të vitit 2002 dhe kërkova azil politik në Gjermani, pas disa kohësh u bë gjyqi. Në sallën e gjyqit unë fillova të sqaroj të gjitha rastet e dhunës fizike e psikologjike të SHIK-ut të Fatos Klosit kundër meje për shkak se isha botues i revistës “KOHA” atë kohë, por gjyqtari më ndërpreu shpejt dhe tha “Nuk më duhet asnjë fakt tjetër. Për shkak të një shkrimi të një autori të njohur në atë revistë, ty Gjykata e Faktit të ka gjobitur 500 mijë lekë (të reja), ndërsa Gjykata e Apelit të ka gjobitur dy milion lekë (të reja). Gjykata e Apelit nuk mund ta rrisë, aq më pak ta katërfishojë masën e dënimit të Gjykatës së Faktit. Kjo do të thotë se në Shqipëri sa më lart në shkallët e gjykimit, aq më të politizuara janë gjykatat”! Kaq mjaftoi që gjyqtar të vendosë dhënien e azylit jo vetëm për mua, e jo vetëm për bashkëshorten time dhe vajzën që kisha me vete në Gjermani, por edhe për djalin dhe vajzën e madhe, të cilët nuk ishin me ne. “Ata, tha ai, për shkakun tënd rrezikohen në Shqipëri”!
E dhashë këtë shembull për të provuar faktin se shkelja e procedurave për masën e arrestit ndaj Doktor Berishës do të mjaftojnë që Gjykata e Strasburgut të marrë vendim në favor të kërkesës së tij. Kjo do të ndodhë edhe për arsye të tjera. Së pari se kryeministri i Shqipërisë dhe Sorosi nuk kanë akses në kërë Gjykatë. Së dyti se integriteti profesional i gjyqtarëve është i nivelit të atij gjyqtarit të Goettingenit në Gjermani që dha vendimin e azylit për mua. Gjykata e Strasburgut nuk ka gjyqtarë “melezë” që bëhen trima kur janë nën mbrojtjen e bandave të Edi Ramës! Së treti dhe kryesorja, se Edi Rama nuk do të mund të përdorë paratë e korrupsionit e të grabitjes së taksapaguesve shqiptarë për të blerë gjyqtarë në Strasburg.
Në Dosjen “Berisha” GJEDNJ do të gjejë aq shumë shkelje, sa rasti do të shënohet në tekstet universitare për t’u trajtuar me studentët e shkencave juridike. Nuk besoj që Gjykata e Strasburgut të ketë shqyrtuar ndonjë çështje me shkelje kaq flagrante, si ato që qëndrojnë në atë dosje. Nuk ka mundësi të ketë ndodhur as në Rusi e Bjellorusi, që prokurorët të shesin veprimet antiligjore të një kryebashkiaku për llogari “krimi” për ish-kryeministrin. Ajo që shkruhet në dosje se “Berisha ndryshoi destinacionin e kompleksit Partizani”, ndërkohë që ka dokumente që atë e ka bërë Rama, do të çmend gjyqtarët e Strasburgut. Ndërkohë lemeria e drejtësisë evropiane do të vijë, kur të shohë se si SPAK i hoqi Berishës të drejtën e lëvizjes jashtë vendit, pa marrë pëlqimin e parlamentit.
Kur gjyqtarët e Strasburgut të shohin se krye politikani opozitar i një vendi kandidat në BE është mbajtur i izoluar ende pa ngritur akuzë ndaj tij, me siguri që do të venë duart në kokë. Ndërsa kur të mësojnë se akuzohet për “korrupsion pasiv” pa asnjë lloj prove për këtë, ata do të thonë: “Në çfarë vendi diktatorial të Afrikës ka ndodhur kjo”?! Mundet që përfaqësuesi i Shqipërisë në këtë gjykatë të përpiqet t’u thotë gjyqtarëve se “Shqipëria drejtohet nga një artist piktor” dhe se ajo “është vend demokratik”, por fakti që SPAK nuk ka pranuar provat e mbrojtjes dhe të Berishës për të provuar pafajësinë, do ta bëjë juristin shqiptar në Strasburg qesharak.
Dosja Berisha nw Strasburg do të shqyrtohet me shpejtësi. Çfarë e shtyn Strasburgun ta bëjë këtë, madje ende pa dhënë vendimin përfundimtar Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë?! E shtyn nevoja dhe detyrimi qytetar e demokratik për të ruajtur stabilitetin në vendin tonë. E shtyn detyrimi që opozita të jetë e lirë në fushatën elektorale që po afron. E shtyn edhe fakti se në Strasburg kanë mjaftueshëm informacion për përfshirjen e kryeministrit shqiptar në afera korruptive e në bashkëpunimin e tij me grupet mafioze e kriminale. GJEDNJ ka marrë informacion se Edi Rama bën gjueti shtrigash dhe e përdor SPAK-un në këtë politikë kriminale të tij.
Por ka edhe një mundësi tjetër. Që pak ditë para se GJEDNJ të shqyrtojë Dosjen Berisha, Gjykata Kushtetuese në Shqipëri ta nxjerrë kreun e opozitës nga arresti shtëpiak e t’i japë të drejtën ta drejtojë opozitën në liri. Rasti i Donald Trump në SHBA është shumë më i komplikuar sesa ky i Berishës dhe ai po çlirohet ditë pas dite nga çdo akuzë. Berisha ka vetëm një akuzë dhe ajo pa asnjë provë. Prej këtej mund te besohet plotësisht se rasti i Sali Berishës është unik në vendet anëtare të Këshillit të Europës! Rast i pastër abuzimi i kundërshtarit të tij në pushtet, ndaj dhe i duhet rikthyer liria e plotë!/Bota Sot