Ambasadori amerikan ka dështu me Albin Kurtin. Qe pse
Ambasadori amerikan ka dështu me Albin Kurtin. Qe pse 27.09.2024 | 03:35
Nga Berat Buzhala
 
Më shurrë ose pa shurrë, ambasadori amerikan ka dështuar me Albin Kurtin. Sigurisht që faturën për këtë dështim nuk e paguajnë amerikanët, por e paguajmë ne.
 
Ky raport si i tillë është mjaft ironik. Ambasadori amerikan zemërohet gjatë fjalimit të tij në një konferencë në Prishtinë, shkon aq larg, sa që përdorë shprehje jodiplomatike: shurrë, për shkak të një krize në mes të raporteve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës e që çmimin e përkeqësimit do ta paguajë ekskluzivisht Kosova.
 
Në anën tjetër, nëse e shen njeri Albinin, iu ka bë fytyra si samun i iftarit. Duket pa asnjë gajle. Amerikanët thonë: jemi prishë me juve, ky thotë: nuk jemi prishë.
 
A e keni pa, bile edhe i ngelet hatri nëse e pyet për këtë temë. Qysh e bën njëfarë fytyre.
 
Nejse, t’i lëmë mimikat, të kthehemi te substanca.
 
Substanca është kjo: Krejt isharetet janë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ngri raportet me Ministritë kyçe në fushën e sigurisë: atë të Brendshmen, të Mbrojtjes dhe të Drejtësisë.
 
Ama, disponimi i mbështetësve të Kurtit dhe vetë Kurti, për këtë temë, kurrë s’ka qenë më i mirë.
 
Veç shkoni në Tëitter ose kudo që poston ambasadori Hovenier, edhe e shihni se çka komentojnë shqiptarët e Kurtit. Gjuhën që ata përdorin kundër ambasadorit amerikan, kurrë nuk e kanë përdorë ndaj Rusisë.
 
Pse ka ndodhë kjo, ose pse po ndodhë kjo?
 
E para, Kurti i ka fitu zgjedhjet, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes kryediplomatit të saj në Kosovë, Jeff Hovenier, patën bë diçka që për mua ka qenë shokuese.
 
Vendosën me i shly dhe me i harru të gjitha kujtimet e këqija që Amerika i kishte me Albin Kurtin, në 20 e kusur vite njohje dhe komunikime.
 
Ishte e njëjti Albin që në mënyrë të përhershme u kishte dalë kundër amerikanëve në Ballkan. Për gjithçka.
 
Çkado që kanë thënë amerikanët, ky ka thënë jo, edhe ka thirrë protesta. Një ambasadore ua ka sulmu, e ajo ambasadore e pati denoncuar.
 
Vetëvendosja, jo që nuk e dënonte sulmin ndaj saj, po bile edhe ironizojke. Jemi shty – thonin.
 
Amerika, në vend se me t’i qëronte hesapet më moti me këtë ….njeri, ata e lanë me u rritë, gjatë gjithë kohës kur elita tjetër politike po komprometohej.
 
Kur po them “me i qëru hesapet”, po them me e pas shti në listë të zezë, në shkurt të vitit 2007, kur ky pati thirrë atë protestën kundër Pakos së Ahtisaarit.
 
Albinin, Amerika do të duhej ta kishte në listën e zezë, kur Albini ka qenë shumë më i vogël. Nuk do të hidhërohej kurrkush atëherë. M’e shti tash në listë të zezë, është pak problem.
 
Qysh, pse me e shti në listën e zezë?
 
Sepse i pati mbledhë mijëra njerëz në sheshin e Prishtinës, dy ishin vrarë.
 
Motivi i protestës? Që ta ndaltte procesin e shpalljes së pavarësisë, kishte në emër të një pavarësie më të plotë. Ky kërkonte këso pavarësie që nuk e ka as Franca.
 
Mendja e amerikanëve që tash ky është pjekë, e është mbushur mend. Me këtë disponim erdhi në Kosovë, Jeff Hovenier. Demek, e kemi fillu një faqe të re të raporteve me Albin Kurtin.
 
Premisa është gabim: Qysh guxon një shtet si Amerika, me 100 gajle të tjera nëpër botë, e që këto gajle nganjëherë lidhen edhe me vendin tonë, ose i lidh Rusia, me e sjellë veten në këtë derexhe, që ta trajtonte një manipulator si Albin Kurti si interlokutor të barabartë dhe serioz.
 
Këtij njeriu, në takimin e tij të parë, është dashur që Amerika t’ia tregojë vendin, e jo ta linte këtë m’e shitë mjegull nëpër popull, qysh demek raportet e tij me Amerikën janë mjaltë e tamël.
 
Ti që je duke punu në ambasadën amerikane, e që ka me të ra hise me e përkthy edhe këtë editorial, shtine edhe këtë fjali:
 
Unë kam shumë shokë, që në dukje janë njerëz normal, që mendojnë që e gjitha kjo është një lojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Kurtin.
 
Demek, Amerika ia bën me sy këtij, i thotë: çliroje ti veriun, e mandej kinse sa ta mashtrojnë Serbinë, i bërtasin Albinin.
 
Ky keqkuptim ka fillu në fillim të mandatit të Kurtit, kur Kurti e ndali njëfarë referendimi të Serbisë në Kosovë edhe pse shtetet e QUINT-it, i patën thënë: “leje”.
 
U patëm ngulë edhe ne servilët e ndërkombëtarëve bile. I patëm thënë qeverisë: leje referendumin se nuk ka gajle.
 
Kur e ndali Kurti, doli Amerika edhe tha: “në rregull është, Kosova është shtet sovran”.
 
Upssss. Mbetëm ne si legenë. Diçka e tillë nuk kishte bë vaki kurrë më parë.
 
Kur Amerika thoshte: kjo nuk bën, ajo nuk bënte. Tash me Albinin bëni.
 
Propagandistët e Qeverisë, dolën e na shanë, na pështynë, e nuk lanë kurrgjë të zezë pa na thënë neve.
 
“A po e shihni” – thonin – “kur e sheh Amerika që ti po e do shtetin tënd, ata të respektojnë më shumë”.
 
Mandej, nuk kalonin as dy javë, e shihnim Kurtin me Jeffin duke pi birra si shokë, në maica. I drejtoheshin njëri-tjetrit me “Albin” e me “Jeff”.
 
Shokë ‘kry – kreje’. Këqyrshin futboll bashkë.
 
Më fjalë të tjera, qytetarët kanë shumë foto në internet të Jeffit dhe Albinit, duke ndejtë si shokë, kështu që tash kur ata e dëgjojnë Jeffin duke u bë nervoz, thonë: ‘hajt bre se qenka shitë ky në ndërkohë”, ashtu qysh është shitë sipas tyre, edhe Chris Hill në Beograd, Escobar në Bosnjë, etj.
 
Me njerëz si Albin Kurti, nuk mund të bëhesh shok sepse ta keqpërdorë zemërgjerësinë. Raporti me të, duhet të jetë raport strikt i punës.
 
Në fakt, ky e ka thënë edhe vetë që nuk e ka asnjë shok në jetë. Këtë ma kanë kallëxu këta që kanë dalë prej Vetëvendosjes.
 
Pra, i dashur ambasador, mos u mërzit. Nuk ke çka bën. Kështu jemi ne.
 
Parimisht jemi të pashkollë, ose me shkollë por të pashkolluar, në masë të madhe jemi mosmirënjohës, përveç nëse jemi duke pasë frikë.
 
Ti Jeff, ndoshta nuk e mban në mend. Baballarët e këtyre trimave që të shajnë ty në rrjete sociale, prisnin në rend në vitet e 90-ta që ta paguanin rrymën dhe tatimin për shtetin serb.
 
Përveç ata që i keni çu në Hagë. Në Prishtinë? Në Prishtinë, prej frikës, aq shumë u patën zbutë e asimilu, se atyre që luftonin, iu thonin ‘selakë’.
 
Fatkeqësisht Jeff, në Ambasadën amerikane në Prishtinë, është shumë më i madh numri i njerëzve që më shumë i besojnë Albin Kurtit, sesa ty dhe Amerikës.
 
Nuk është që i besojnë shumë Albin Kurtit, sa i urrejnë ata që kanë qenë para Kurtit.
 
Ambasador, mere qetë, merre shtruar.
 
Nuk është vetëm faji yt. Kjo është edhe natyra jonë, shto këtu edhe elementin rus, që i kanë futë duart në çdo porte të internetit, duke i fry nxitjes dhe përçarjes me Amerikën.
 
Për pak harrova: Mos llogarit shumë as në Vjosën, se as nuk ka guxim, e as nuk ka dije që ta kryej ndonjë punë. (Ajo) do ta përfundojë mandatin duke u anku./Nacionale
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave