579 ditë sanksione
579 ditë sanksione 14.01.2025 | 16:25
Muajt në vazhdim do të sjellin shtrëngim ose shlirim të lakut të sanksioneve e masave shtrënguese kudo në botë. Me ardhjen e administratës së re republikane, Washingtoni do të ketë në krye plot proponentë që janë ithtarë të politikës me sanksione e kufizime. Ndërkaq, në BE brenga kryesore është rreth gjendjes në Ukrainë, me një trohë shpresë vetëm për Sirinë e cila mund të përfitojë sebep rrëzimit të regjimit të Assadit. Kosova, në anën tjetër, mban sanksione të dyfishta. Kështu, trashëgimia e qeverisjes katërvjeçare të Kurtit paraqet një tablo gati të pashpresë prej pakësimit të takimeve të nivelit të lartë me përfaqësues të ShBA dhe BE e deri te pezullimi i fondeve dhe humbja e gjithçfarë mundësish.
 
Shkruan: Col Mehmeti
 
Heqja e kufizimeve të ShBA kundrejt Kosovës nuk duket të jetë as llaf goje me rastin e ndërrimit të administratave në Washington. Në rend të ditës më tepër zënë vend paralajmërimet për fillimin e procesit të heqjes së sanksioneve ndaj Sirisë pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit.
 
Në fakt, shtrëngimi i masave sanksionuese pati qenë thuajse ‘specialitet’ i administratës së parë të Trumpit (2017-2021)—vetë sekretari i atëhershëm i Thesarit Steven Mnuchin kishte thënë se ai e kishte kaluar ‘gjysmën e kohës me sanksione.’ Shumë nga mbështetësit e trysnisë maksimale ekonomike do të kenë pozita kyçe në administratën e re, me Marco Rubion si njëri nga më të shquarit në këtë drejtim.
 
Megjithëse masat sanksionuese amerikane ndaj Kosovës nuk janë as të krahasueshme me ato ndaj Rusisë, Iranit e shteteve të tjera, ato me siguri që do ta mpakin potencialin e normalizimit të marrëdhënieve me administratën e re të Trumpit. Zhvillimi më i ri i këtyre ditëve ka qenë vendimi më i fundit i ShBA për sanksione ndaj NIS-it, kompanisë serbe të naftës (Naftna Industrija Srbije), për shkak të hises ruse në pronësinë e saj.
 
Nga Zyra e Departamentit të Thesarit është bërë me dije se kompania në fjalë është shtuar në listën e sanksioneve që shënjestrojnë Gazprom Neftin dhe Rusinë. Kërkesa e Washingtonit, me këtë rast, është që Serbia t’i tërheqë plotësisht kapitalet dhe interest ruse brenda një afati 45-ditor.
 
Serbia me më shumë leva gjeopolitike
 
Shumë komentues politikë ndajnë bindjen se, duke përfituar nga izolimi ndërkombëtar i Kosovës, Serbia dhe Vuçiqi kanë leva më të mëdha për t’i shkëputur Washingtonit më shumë përfitime. Kjo iu mundësua, parasëgjithash, nga ‘Deklarata mbarëserbe’, dokumenti 13-faqësh, që u miratua vjet gjatë një mbledhje të përbashkët të qeverive të Serbisë dhe Republikës Serbe.
 
Në mbledhjen që kaloi me moton ‘një komb, një asamble’, dokumenti në fjalë përvijëzoi atë që u lexua si vizion agresiv i Beogradit për mbizotërim në rajon. Duke e radikalizuar Banja Llukën e duke filtruar me ambiciet ekspansioniste në kurriz të paqes rajonale, Vuçiqi e shiti mirë imazhin e tij në Perëndim si frenues i prirjeve të tilla.
 
Mirëpo me ndryshimin e mundshëm të klimës gjeopolitike, administrata e re mund të jetë e cytur që të jetë më e favorshme ndaj Beogradit dhe Banja Llukës.
 
BE nuk lëviz
 
Optimizëm nuk duket se ka as në frontin tjetër ku ka sanksione më të prera ndaj Kosovës. Nga Brukseli nuk ka as më të voglën lëvizje përtej deklaratës së vjetshme të zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, se vendimi për heqjen e masave ndëshkuese nuk i takon Kosovës e as kryeministrit të saj, Albin Kurti, por është diçka që u takon shteteve anëtare të BE-së.
 
Në qershor të 2023-s, duke marrë vëng nga ngjarjet në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian pati vendosur ‘masa të kthyeshme e të përkohshme.’ Nga atëherë e deri më sot janë bërë 579 ditë me pak e hiç përpjekje për t’i hequr ato. Këto masa ndëshkuese përfshinin: pezullim të aplikimeve të reja në fondet e BE-së, ashtu sikundër edhe pezullim të takimeve të niveleve të larta mes institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve të shteteve anëtare.
 
Rrjedhoja më negative e masave të tilla ishin në financat publike të vendit, të cilat kësisoj goditeshin drejpërdrejtë nga prerja e financimeve për projekte të reja.
 
Për shkak të gjendjes hallligë të ekonomisë së vendit, fondet e BE-së çmohen si kontribut domethënës për financat publike. Megjithëse sot e gjithë ditën nuk ekziston një pasqyrë e saktë mbi humbjet financiare, dëmi më i madh nga sanksionet e BE-së është ai i humbjes së mundësive më shumë sesa ai i humbjes së fondeve.
 
Degradim takimesh
 
Përtej dimensionit thjeshtësisht ekonomik, sanksionet krijuan një plasaritje në reputacionin e jashtëm të Kosovës. Masat e tilla synonin të bënin me gisht e të turpëronin (‘name and shame’) qeverinë e Republikës së Kosovës, duke e izoluar udhëheqësinë e saj. Në këtë paketë ishin paraparë pezullimi i ftesave për pjesëmarrje në ngjarje të nivelit të lartë apo vizita të dyanshme nga BE dhe shtetet anëtare.
 
Një krahasim numerik është i mjaftueshëm për të vlerësuar përmasat e ndikimit: nëse vetëm në gjysmën e dytë të vitit 2022, kryeministri Albin Kurti pati 21 takime me krerë të institucioneve të BE-së apo të shteteve anëtare, një vit më vonë, për po të njëjtën periudhë, ra në 14 takime.
Mjet disiplinimi
 
Sanksionet, në formë masash kufizuese, konsiderohen si mjet thelbësor i politikës së jashtme dhe asaj të sigurisë të BE-së, me anë të të cilave Brukseli synon të parandalojë konflikte apo t’iu përgjigjet shfaqjes së krizave. Me anë të masave kufizuese synohet që të vihen në jetë ndryshime politikash apo veprimesh të caktuara të vendeve të shënjestruara, ashtu sikurse edhe ndaj entiteteve apo individëve që janë përgjegjës për përvijim politikash a veprimesh problematike.
 
Vlerësohet se BE janë në fuqi mbi 40 sanksione të ndryshme, ku disa prej tyre janë të obliguara prej Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kurse të tjera janë vendosur në mënyrë të pavarur nga BE./Nacionale
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave