Dy medalje i ka fituar në Braga të Portugalisë, zyrtari policor i Kosovës, Anton Cena. Të parën në xhudo e fitoi me IPPON duke e renditur Policinë e Kosovës sërish si të parën në Evropë, ndërsa medaljen e dytë , atë të argjendtë në not.
Në këto gara evropiane përfshihen institucionet policore, të zjarrfikësve, doganave dhe të korrektuesve.
Polici tashmë i artë, në garën për veteranë mbi 60 vjeç nuk pati kundër garues, ai garoi me seniorë shumë më të ri në moshë duke fituar në dy luftërat me IPPON.
Ndërkohë, nga ajo që ka bërë të ditur Policia e Kosovës e cila i ka shpërndarë edhe fotografitë nga këto gara që po mbahen në Braga të Portugalisë, zyrtari Cena ka garuar edhe në disiplinën e dytë kundër një garuesi brazilian, duke u bërë sërish i pari në këtë disiplinë të kategorisë, deri në 69 kilogramë.
Ndërkohë, pas garave në xhudo, ai mori pjesë edhe në disiplinën e notit, në garën me gjatësi prej 2 mijë metrash, duke arritur ta fitojë medaljen e argjendtë.
Cena, pritet të garojë edhe në një disiplinë tjetër të notit në gjatësi prej 4 mijë metra, duke shtuar pritjet e Policisë së Kosovës edhe për një tjetër medalje nga ai.
Policia thotë se përmes përfaqësimit me zyrtarë policorë profesionalë, të përkushtuar e të përgatitur mirë në çdo aspekt, dëshmojnë para vendit dhe botës se është një polici profesionale, e cila në kuadër të saj ka zyrtarë profesionalë jo vetëm në fushën policore, por edhe në atë sportive të kategorive e disiplinave të ndryshme, siç është kjo e xhudos dhe notit.rtk.