Në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, mbrëmë është rikthyer në skenë opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”. Emocione të papërshkrueshme, interpretim brilant nga artistët tanë dhe një publik i magjepsur që erdhi për të përjetuar këtë vepër të pavdekshme.
Ministri Hajrulla Çeku: Opera e parë kosovare “Goca e Kaçanikut” me kompozitor Rauf Dhomin, produksion i përmasave botërore u shfaq në Gjakovë.
“Një mbrëmje e jashtëzakonshme arti nga Opera e Kosovës në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës dhe solistët, në regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe nën drejtimin e Edon Ramadanit. Mirënjohje pa fund për të gjithë të angazhuarit në inskenimin e kësaj vepre. Faleminderit për punën dhe përkushtimin tuaj”.
Tenori tanimë me famë ndërkombëtarë, kumanovari Ismet Vejseli, I cili ishte ndër protegonistët e eventit për gazetën “Lajm” shpalosi impresionet dhe emocionet.
“Mbrëmë në Gjakovë në teatrin “Asim Vokshi”, performova një nga dy rolet kryesore në operën e parë kosovare “Goca e Kaçanikut”, të kompozitorit Rauf Dhomi. Roli i “Trimorit”, është një rol i cili kërkon përgatitje shumë të lartë vokale dhe skenike, prandaj e falemnderoj institucionin e Operës së Kosovës për besimin dhe ftesën. Puna intensive me regjisorin e madh Nikolin Gurakuqi dhe përgatitjet muzikore me maestro Edon Ramadani, na u shpërblyen me duartrokitje dhe ovacione të gjata nga publiku gjakovarë, tha për gazetën “Lajm” Ismet Vejseli, duke shtuar se ishte kënaqësi për mua si artist nga Maqedonia e Veriut, gjegjësisht nga Kumanova, “të jem i involvuar direkt në ngjarjet dhe kulturën kosovare dhe në këto momente historike të Operës së Kosovës”.
“Kjo për mua ishte hera e dytë brenda 6 ditëve që paraqitem në të njejtën skenë, njëherë me Filharmoninë e Kosovës e mbrëmë me Operën e Kosovës”, u shpreh tenori me famë ndërkombëtare Ismet Vejseli.
Pas suksesit në Gjakovë, “Goca e Kaçanikut” në regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe nën drejtimin e Edon Ramadanit, do të shfaqet në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, më 25 nëntor 2024, prej orës 19:00./Lajm