Në zemër të Shqipërisë jugore, vetëm 30km larg nga qyteti i Tepelenës, vitet e fundit ka dalë në sipërfaqe fshati i bukur turistik i Nivicës, çatia e krahinës së labërisë
Nivica sot është fshati më i madh i krahinës së Kurveleshit, me një sipërfaqe prej 105m2. Gati i pezulluar në ajër, fshati Nivicë shtrihet në një lartësi prek 750 metrash mbi nivelin e detit, në trupin e Malit të Këndrevicës.
Pak histori
I shfaqur relativisht vonë në hartën turistike të Shqipërisë së sotme, ky lokalitet ka qënë një vendbanim i rëndësishëm nē lashtësi. Kalaja e ndërtuar nga romakët, rreth shekullit të IV-II p.e.s, ka qënë bërthama rreth të cilēs u krijua qyteza e lashtë. Një zonë ku kryqëzoheshin rrugë të rëndësishme të periudhës, si romakja Salaria (ende sot një nga rrugët më të gjata dhe të rëndësishme të kryeqytetit italian), rruga e Kuçit, Bënçës dhe Vërnikut. Për keto arsye, thuhet se Nivica ka qēnë ndër vendbanimet më të rëndësishëm të fisit ilir të amantëve.
Aktualisht, qendra e fshatit është krejtësisht e re pas restaurimit të bërë në Nivicë në vitin 2018, si rezultat i përfshirjes së saj në projektin “100 fshatrat”.
Qendra e Nivicës. Foto nga esmeralda Keta.
Natyra, një bukuri e rrallë
Vështirë të zgjedhësh çfarë të shohësh më parë kur mbërrin në Nivicë. Honet mahnitës të kanionëve, tashmë sekret i zbuluar me kënaqēsi nga turistët e shumtë që i kanë vizituar; ujëvarën me lartësi 220 metra e një ndër më të lartat në Europë; përrenjtë e ujit që rrjedhin nga kanionet; majën e Seferëve rrethuar me lisa e siç mendohet, tempulli i fundit pagan në rajon qe endë nderohet nga banorët vendas.
E ndërsa mendohesh, më mirë të hysh nën hijen e Rrapit të Nivicës, në qendër të fshatit, e që qëndron aty prej 250 vjetësh.
Kanionet e Nivicës. Fontilo nga Visit Gjirokastra
Si të mbërrish dhe ku të qëndrosh
Nëse udhëtoni me makinën tuaj, apo një makinë me qera, atëherë në rrugën Tepelenë – Gjitokastër, gjeni kthesën për Nivicë. Bëse udhëtoni me transport publik, mund të mbërrini me autobusin e linjës Tiranë – Tepelenë dhe me të zbritur, të merrni një taksi për Nivicë.
Nivica është menduar të mbetet një fshat që edhe pse hap krahët për vizitorët, të respektojë ritmin e tij natyral, jo të një turizmi masiv. Kështu, modeli më i përhapur i strukturave mikpritëse është ai i bujtinave të vogla me karakter familjar.
Kuriozitet
Ndër shekuj, Nivica ka mikpritur figura tē shquara historike edhe ndërkombëtare dhe mendimtarë të shquar. Ndër ta, përmendim udhëtaren e njohur angleze, Edith Durham, në fillim të shekullit XX, apo Luigi Ugolino-n, arkeologun italian, emri dhe jeta e të cilit janë të lidhur ngushtë me punën arkeologjike në sitin e Butrintit. /IntoAlbania/ KultPlus.com