Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Të kalosh një mandat qeverisës pa asnjë njohje, pavarësisht kushteve që përshkrova më lart, është e pajustifikueshme. Çdo justifikim nuk vlen para faktit.
Më 4 shtator bëhen plot katër vite që kur Izraeli njohu shtetin e Kosovës. Ajo njohje ishte meritë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në përpjekje për të arritur një sukses ndërkombëtar në kuadër të fushatës së tij elektorale në SHBA me një “marrëveshje” midis Kosovës dhe Serbisë.
Gjithsesi kjo vepër e bën Donald Trump të kujtohet për mire në Kosovë dhe ish-kryeministrin Hoti të kujtohet për të vetmin sukses të marrëveshjes që nënshkroi në Zyrën Ovale të presidentit amerikan. Ka nga ata që e qortojnë vendimin për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, por ajo që fitoi Kosova ishte e pamendueshme për atë kohë. Në fund të fundit nuk përcaktohet kryeqyteti izraelit nga vendi ku qëndron selia e ambasadës së Kosovës në Izrael.
Prej asaj kohe, pra prej afër 4 vitesh, Kosova nuk pati më asnjë njohje ndërkombëtare. Disa mburren se nuk ka as ç’njohje si rezultat e deversionit të Beogradit te vende e shtete të dobëta e të korruptuara. Por kjo nuk është objekt diskutimi e shqetësimi në opinionin publik. Qytetarët e Kosovës duan të dinë pse po ndodh kjo situatë, kur në 47 muaj nuk vjen asnjë njohje? Çfarë bën diplomacia e Kosovës dhe si mund të të dalë ajo nga kjo gjendje? Cilat janë arsyet që asnjë shtet, nuk mori deri më sot vendimin për ta pranuar shtetësinë e Kosovës? U duk se së paku Greqia do ta hidhte një hap të tillë, por edhe kjo pritshmëri u tret në ujë.
Pyetjet janë legjitime. Shqetësimi është padyshim i madh dhe i drejtë. Në fund të fundit substanca dhe përmbajtja e suksesit të institucioneve të Kosovës është pranimi i saj nga shtetet dhe organizatat ndërkombëtare. Vetëm në këtë mënyrë ajo mund të arrijë të pranohet edhe në OKB. Situata e njohjeve është trishtuese jo vetëm në këto katër vite, por edhe në tetë vitet e shkuara. Po cilat janë disa nga shkaqet kryesore? Që në fillim duhet thënë se ato janë komplekse, të ndërthurura dhe nuk ka qëllim aspak të gjej fajtorë pa faj.
Mosnjohjet janë stopuar herët. Pas ardhjes në pushtet të Rilindjes në Tiranë ato erdhën duke u pakësuar vazhdimisht derisa diku nga viti 2015-2016 u stopuan. Kjo ndodhi për shkak se presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës, si dhe kryeministri i Shqipërisë, u morën vesh për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Pra për ndarjen e saj dhe eliminimin e shtetësisë. Kjo është arsyeja kryesore pse nuk u bënë më njohje në tetë vitet e fundit. Në dy vitet e para të qeverisjes së sotme të Vetëvendosjes dhe Listës Guxo ishte e vështirë, ndoshta e pamundur të ndryshohej situata e krijuar më parë.
Në këto vite që qeveris së zotit Kurti ndodhën përplasje dhe përballje të shumta edhe me faktorin evropian dhe amerikan. Fërkimet që u krijuan kanë ndikuar që SHBA-të dhe vendet e fuqishme evropianë të heqin dorë nga përpjekjet e tyre për ndikim te vendet mos-njohëse. Madje edhe bllokimi i pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës ishte një reagim për kundërshtitë e zotit Kurti për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Që do të thotë se njohjet dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare janë kushtëzime për lëshime ndaj Serbisë nga ana e Kosovës. Në këtë mënyrë, duhet thënë se njohjet janë kushtëzuar me qëndrimet e palës së Kosovës, si presion për të lëshuar sovranitet ose edhe territor ndaj Serbisë.
Shqipëria ende vazhdon të mos lobojë për njohjet për shtetin e Kosovës. Diplomatët e saj janë nën presionin e kryeministrit të Shqipërisë që të mos veprojnë në dobi të forcimit të shtetësisë së Kosovës. Madje ka nga ata diplomatë shqiptarë që me dëshirë militantësh flasin për dobinë e ndarjes së Kosovës. Që do të thotë se politikat serbe për zhbërjen e Kosovës janë ende në agjendën e qeverisë dhe diplomacisë shqiptare.
Dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme. Diplomacia e Kosovës në dy vitet e fundit kishte mundësi ta thyente bllokadën, për të cilën shkrova më lart. Nuk mund të gjendet asnjë justifikim për dështimin e kësaj diplomacie në njohjet ndërkombëtare dhe për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës, duke u fokusuar vetëm te sovraniteti, çka besoj është e suksesshme, la menjanë ruajtjen e sinoreve të veprimtarisë diplomatike për njohjet ndërkombëtare.
Qeveria dhe diplomacia e Kosovës duhet ta ridimensionojnë dhe projektojnë më mirë punën e tyre për shtimin e njohjeve. Të kalosh një mandat qeverisës pa asnjë njohje, pavarësisht kushteve që përshkrova më lart, është e pajustifikueshme. Çdo justifikim nuk vlen para faktit./Bota Sot