Ish-ambasadori shqiptar në OKB: Rikthimi i Trumpit mund të sjellë të papritura për Kosovën dhe Shqipërinë: Çdo gjë mund të...
Ish-ambasadori shqiptar në OKB: Rikthimi i Trumpit mund të sjellë të papritura për Kosovën dhe Shqipërinë: Çdo gjë mund të... 30.04.2024 | 02:01
Intervistë ekskluzive me Agim Neshon, ish-ambasador i Shqipërisë në OKBNesho: Osmani korri një fitore të shkëlqyer ndaj Vuçiqit
 
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Agim Nesho, e ka cilësuar si një «fitore të shkëlqyer», paraqitjen e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, ndaj presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit.
 
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Nesho ka thënë se Osmani bëri lëvizje të zgjuar kur mori me vete në OKB, katër viktimat e dhunës dhe gjenocidit serb.
 
Ndërsa, duke folur për presionin diplomatik nga amerikanët ndaj Kosovës, për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, diplomati ka theksuar se Kosova s’duhet të ketë frikë për të pranuar këtë çështje, por pa prekur sovranitetin e vendit dhe mosdhënien e kompetencave ekzekutive.
 
Ai parashikon se vendimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, mund të shtyhet në maksimum brenda këtij viti, si pretekst për formimin e Asocacionit.
 
Ndërsa, duke komentuar për një ardhje të mundshme të Donald Trumpit në krye të SHBA-së, Nesho parashikon që kthimi i tij mund të sjellë të papritura për Kosovën dhe Shqipërinë.
 
Intervista e plotë:
 
“Bota sot”: Z.Nesho, si e vlerësoni paraqitjen e presidentes Osmani, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila mori me vete katër heroinat (viktima të dhunës dhe gjenocidit serb)?
 
Agim Nesho: Fjala e presidentes Osmani në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ishte një paraqitje dinjitoze, një fjalë e mirë-përgatitur, që solli një fitore të shkëlqyer ndaj presidentit të Serbisë, që kishte marrë pozicionin e viktimizimit të popullsisë serbe në Kosovë dhe shtynte nevojën e rikthimit të UNMIK-ut dhe Rezolutës 1244 (1999) në stabilizimin e situatës.
 
Fjala e presidentes Osmani e portretizoi Vuçiqin dhe politikën e tij si një vazhdim të nacionalizmit të Millosheviqit, ku ai ka shërbyer si ministër propagande. Pjesëmarrja e heroinave - viktima të dhunës dhe genocidit serb në Kosovë - ishte një lëvizje e zgjuar për të sensibilizuar opinionin publik botëror se çfarë ka ndodhur në Kosovë dhe pretendimet e Vuçiqit nuk janë gjë tjetër, veçse një propagandë për të justifikuar politikat e tij shoviniste dhe tendencat e Serbisë nacionaliste për dominim në rajonin e Ballkanit.
 
“Bota sot”: Pas zgjedhjeve të fundit në katër komunat veriore (Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë e veriut), krerët e Kosovës kanë bërë thirrje për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës. A besoni se do të ndodhë një gjë e tillë së shpejti?
 
Agim Nesho: Vendosja e masave ndaj Republikës së Kosovës ishte një presion që BE dhe komuniteti ndërkombëtar ushtron ndaj Kosovës për të realizuar më lehtë angazhimet e saj në kuadër të normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ky veprim i njëanshëm ka shërbyer si një ‘karrotë’ për Serbinë në shërbim të dëshirës së perëndimorëve për ta tërhequr Serbinë drejt BE-së. Megjithëse shihet qartë që Serbia nuk ka vullnet politik për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe po kërkon kohë për të vazhduar lojën e saj të pasinqertë me Perëndimin, heqja e këtyre masave do të varet nga dy arsye: Së pari, nga nevoja që komuniteti ndërkombëtar do të ushtrojë presion ndaj Kosovës për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe, së dyti, në funksion të gabimeve që mund të bëjë Serbia nacionaliste në politikat e saj pro ruse dhe prirjen për të vepruar në realizimin e politikave për hapësirat serbe. Në të kundërtën, do të ishte mëse normale që këto masa të hiqeshin menjëherë pas presionit të Beogradit për mospjesëmarrje të serbëve të Kosovës në zgjedhje.
 
“Bota sot”: Vendimi përfundimtar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës pritet të merret në muajin Maj. A mendoni se do të kalojë, marrë parasysh që disa deputetë e kanë përmendur si pengesë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin sipas tyre, duhet ta formojë Kosova?
 
Agim Nesho: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një fitore historike për Kosovën, pavarësisht se vendimin përfundimtar e ka mbledhja e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që do të mbahet më 16 Maj. Votimi përkrahës dhe pozitiv në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është një hap determinant dhe i rëndësishëm që nuk mund të anashkalohet nga Komiteti i Ministrave, për të cilin kishte kërkuar qëndrim. Maksimumi i shtyrjes së këtij vendimi mund të jetë brenda këtij viti, ku mund të shërbejë si argument insistimi i vendeve të QUINT-it për ta kaluar çështjen e Asosiacionit.
 
Duket se Kosova po e kalon me sukses anëtarësimin në një nga organizatat më të fuqishme evropiane siç është Këshilli i Evropës.
 
“Bota sot”: Zyrtarët amerikanë po vazhdojnë thirrjet e tyre ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si duhet t’i përgjigjet Kosova këtyre thirrjeve, sipas jush?
 
Agim Nesho: Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kohë që insistojnë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme midis Kosovës dhe Serbisë dhe shtyjnë për pranimin e Asociacionit të komunave serbe nga ana e Kosovës. Insistimi i tyre vjen nga parimi i seriozitetit që duhet të ketë një shtet në zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe për t’i hequr çdo argument Serbisë për mosnjohjen e Republikës së Kosovës. Çështja e Asociacionit është dakortësuar në takimet e Brukselit në 2013 dhe kjo është një çështje që duhet të zbatohet.
 
Në këtë situatë, Kosova nuk duhet të ketë frikë për të pranuar Asosiacionin, por pa prekur sovranitetin e vendit dhe mosdhënien e kompetencave ekzekutive. Kosova duhet të respektojë ligjin dhe Kushtetutën e saj, por duhet të jetë aktive në diskutimin e kësaj çështjeje dhe të jetë ajo që përcakton kushtet e veprimtarisë së Asociacionit siç e ka përcaktuar edhe Plani Ahtisaari.
 
“Bota sot”: Çka parashihni se mund të ndodhë me fatin e Kosovës dhe Shqipërisë, në rast se Trump vjen sërish në pushtet? A mund të rikthehet ideja për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi?
 
Agim Nesho: Ardhja e mundshme e Administratës Trump në SHBA, mund të sjellë të papritura për vetë politikat e kompromisit që ka kjo administratë. Karakteri i Administratës Trump është transaksional dhe ka si parim që çdo gjë mund të hapet për diskutim për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme, pavarësisht se çështja e Kosovës është një çështje historike e mbyllur. Nacionalizmi serb dhe rus kërkojnë që çështja e veriut të Kosovës të ridiskutohet si një ‘konflikt i ngrirë’ midis dy vendeve.
 
Mendoj që qëndrimi i unifikuar i politikës në Kosovë dhe në Shqipëri mund të bëjë të pamundur çdo skenar që mund të prekë interesat kombëtare dhe të prekë sovranitetin e vendit. Asnjë politikan nuk ka guximin të propozojë diçka të papranueshme nga opinioni publik, që mund të sjellë konflikt dhe destabilitet.
 
“Bota sot”: Si një diplomat, si i vlerësoni marrëdhëniet aktuale mes Kosovës dhe Shqipërisë?
 
Agim Nesho: Marrëdhëniet midis dy shteteve të të njëjtit komb, janë larg marrëdhënieve që priten dhe duhet të jenë. Mendoj që përgjegjësinë kryesore për këtë situatë e kanë marrëdhëniet që ka krijuar z. Rama me Vuçiqin si dhe përfshirja e regjimit të Tiranës me projekte të rrezikshme për Ballkanin, që janë inicuar nga nacionalistët serbë, si ndryshimi i kufijve dhe Ballkani i Hapur. Politikat anti-kombëtare të Ramës, që stabiliteti ballkanik mund të vendoset duke anashkaluar Kosovën dhe kënaqur oreksin nacionalist të Serbisë, kanë sjellë në këtë situatë. Për të qenë i dobishëm për skenarët e mësipërm, Rama e projekton veten sikur përfaqëson gjithë hapësirat shqiptare dhe si njeriu që influencon midis shqiptarëve, gjë që është ndaluar nga personaliteti i fortë i Albin Kurtit, i cili duke qenë sovranist nuk lejon lojëra politike në kurriz të çështjes shqiptare. Por, rotacioni politik në Shqipëri mund të sjellë menjëherë përmirësim dhe zhvillim të këtyre marrëdhënieve.
 
“Bota sot”: Pse nuk u ndëshkua Serbia ende për sulmin terrorist në Banjskë, me 24 shtator të vitit të kaluar?
 
Agim Nesho: Ngjarjet në Banjskë ishin një provokacion terrorist i sponsorizuar nga Serbia, që në thelb treguan karakterin shovinist të Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar duhej të vendoste sanksione kundër Serbisë, por nuk e bëri për arsye se shumë personalitete perëndimore vazhdojnë të besojnë se Vuçiq duhet të trajtohet si i ‘privilegjuar’ për të bërë kthesën dhe larguar nga Moska. Kjo politikë preferenciale ndaj Serbisë, e shprehur hapur nga vende si Franca, ka sjellë një disbalancë në trajtimin midis Kosovës dhe Serbisë dhe ka ndikuar në normalizimin e nevojshëm për realizimin e marrëveshjes midis dy vendeve.
 
“Bota sot”: Si e komentoni politikën luftënxitëse të presidentit serb Vuçiq, që jo rrallë përmend mundësinë e konfliktit në Ballkan (sidomos Kosovën)?
 
Arim Nesho: Presidenti serb Vuçiq, por edhe shumë politikanë serbë, mbeten në pararojë të politikave nacionaliste dhe luftënxitëse në rajonin e Ballkanit. Veriu i Kosovës është pjesë e strategjisë së tyre për të destabilizuar rajonin. Për nacionalistët serbë, veriu i Kosovës mbetet një ‘konflikt i hapur’ dhe një çështje e pazgjidhur, pavarësisht se është pjesë territoriale e pandarë e Kosovës e bazuar në zgjidhjet e Komisionit Badinter dhe mënyrën që komuniteti ndërkombëtar pranoi zgjidhjen për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë. Vuçiq e ka ngritur këtë skenar për arsye se shtyhet dhe përkrahet nga Rusia, e cila shikon zhvillimet në Ballkan si një mënyrë për të shtrirë influencat e saj në rajon. Në Ballkan, Kosova dhe Bosnja-Hercegovina janë të vetmet vende jo-anëtare të NATO-s, ku Serbia dhe Rusia mund të provokojnë. Prandaj, veriu i Europës, si vendet Balltike, ashtu edhe Ballkani Perëndimor, mbeten zona me rrezik potencial ku Rusia revizioniste mund të provokojë. Kjo është shpresa e vetme e Serbisë për të realizuar politikën e saj për të përfituar diçka nga ‘padrejtësitë e së kaluarës./Bota Sot
Biskota me çokollatë dhe avokado – Ëmbëlsira e shëndetshme Avokado mund të jetë një zëvendësues i shkëlqyeshëm i vajit ose i gjalpit, për ta bërë këtë mjafton
Recetë: Brokoli me gjizë e hudhra, shumë e shëndetshme Kjo është një recetë e thjeshtë, shumë fantastike dhe e pasur në vlera ushqyese. Përgatitet me
Maska që tërheqë fytyrën më mirë se botoksi Nuk keni nevojë të humbni shumë para për t’u dukur më të rinj!
Smoothie nga limoni dhe jogurti për dobësim dhe metabolizëm të shpejtë Nëse dëshironi të hiqni shpejt dhe shëndetshëm kilogramët nga kofshët dhe stomaku, atëherë ky
Palëpeta gjermane: Brumi më i shijshëm, por më i mira është që mund të jetë i njelmët dhe i ëmbël! Jemi të sigurt që do të kënaqeni në gatimin interesant dhe në shijen e parezistueshme të palëpetave